E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reduktimi i taksave, zbardhet vendimi për bizneset

Basha: Të njëjtën nismë do ia propozoj edhe qeverisë për kompanitë që punësojnë mbi 500 persona

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ashtu sikurse kishte premtuar, ka dorëzuar dje për miratim në Këshillin bashkiak vendimin e reduktimit të taksave për bizneset që punësojnë mbi 50 të papunë. Duke folur edhe për këtë projektvendim, Basha ka deklaruar se në këtë garë ambicia e tij është e pa “fre”, duke bërë të ditur se ai do t’i propozojë edhe qeverisë që t’i kthejë gjysmën e tatimit, fitimit, ndërmarrjeve që punësojnë mbi 500 persona. “Kjo është një masë që do të nxisë ndërmarrjet që të hapin vende të reja pune. Në strukturën ekonomike të Tiranës ka vende për optimizëm. Ne do t’i japin biznesit një sinjal të qartë që jemi të hapur për bashkëpunim, për të bërë biznes”, - tha Basha. Sipas projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Këshillit bashkiak nr.3, datë 05.02.2007 ‘Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës’”, të ndryshuar, kryetari i Bashkisë së Tiranës propozon disa shtesa për miratimin e taksave e tarifave vendore, për lehtësirat fiskale ndaj bizneset. Kështu, me qëllim zhvillimin e nismës së lirë dhe biznesit, duke synuar uljen e papunësisë që i shërben rritjes së mirëqenies së komunitetit të qytetit të Tiranës, kryetari i Bashkisë ka marrë nismën për krijimin e kushteve lehtësuese për kategoritë e biznesit që e mbështesin këtë nismë.

Mbështetur në nismën e Bashës, për nxitjen e punësimit në qytetin e Tiranës janë parashtruar kërkesat që duhen plotësuar për të përfituar nga reduktimi i taksave. Më konkretisht, do të përjashtohen nga pagesa e taksës mbi pasurinë, taksës së tabelës identifikuese dhe tarifës së pastrimit dhe trajtimit të mbeturinave për katër vjet, të gjitha subjektet e reja të biznesit në qytetin e Tiranës që punësojnë mbi 50 punonjës, të marrë nga lista e të papunëve vetëm nga Zyrat e Punësimit Tiranë. Gjithashtu, lehtësira krijohen edhe për subjektet e ndërtimit, të cilët punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish, mbi 75 të tillë, të marrë nga lista e të papunëve vetëm nga

Zyrat e Punësimit Tiranë. Për këto subjekte ulet detyrimi në masën 30% për taksën e ndikimit në infrastrukturë nga lejet e ndërtimit, në rastet kur punësojnë mbi 75 punonjës, të marrë nga lista e të papunëve vetëm nga Zyrat e Punësimit Tiranë. Lehtësirat diktojnë si kusht të domosdoshëm, që të gjithë punonjësit e punësuar nga biznesi, duhet të jenë të konfirmuar dhe pajisur me dokumentacionin përkatës nga Zyrat e Punësimit në Tiranë. Në zbatim të lehtësirave, për përkrahjen e nismës për punësimin e mbi 50 punonjësve, do të përgatitet dhe nënshkruhet akt-marrëveshja me subjektet që i përgjigjen asaj nisme, duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e palëve për periudhën e parashikuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›