E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkësia ndëkombëtare shprehet në mbështetje të standardeve demokratike në Shqipëri

Bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë përkrahjen dhe ndihmën  ndaj Shqipërisë në funksion të arritjes së standardeve demokratike, konsolidimit të institucioneve të pavarura demokratike e kushtetuese dhe përmbushjes së aspiratave integruese të vendit tonë. Zyra e shtypit pranë Presidentit bëri të ditur se raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Jako Laks dhe z. Dejvid Uilshajër garantuan sot në takimin me  Presidentin Bamir Topi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si dhe vunë në dukje përparimin dhe transformimet e mëdha të shënuara nga vendi ynë, sidomos gjatë viteve të fundit. Bashkëbiseduesit në këtë takim trajtuan tema aktuale e të rëndësishme të zhvillimeve në vend, duke u përqëndruar kryesisht në ecurinë e reformave kyçe, realizimi i së cilave është një nevojë dhe domosdoshmëri në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Presidenti Topi prezantoi reformat dhe përpjekjet e vazhdueshme e konsensuale në drejtim të përmirësimit të sistemit gjyqësor në vend, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për përgatitjen dhe realizimin me sukeses të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të lira, të pakontestuara dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Z. Topi siguroi se si Kryetar i shtetit, do të vazhdojë të jetë “garant i Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe ruajtjes së ekuilibrave politikë e shoqërorë, duke luajtur rolin si katalizator për konsolidimin dhe forcimin e institucioneve të pavarura kushtetuese në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në familjen e madhe evropiane dhe strukturat euroatlantike”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›