E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet projektligji për akcizat

11-04-2012 / Gazeta 55

Komisioni i Ekonomisë

Akciza mbi cigaret, alkoolin, kafenë dhe karburantet pritet të aplikohet në një formë të ndryshme duke filluar nga data 1 korrik e këtij viti. Komisioni i Ekonomise miratoi të martën projektligjin "Për akcizat" i cili parashikon rritjen me 20 për qind të akcizës për pijet alkoolike. Ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria, theksoi zëvendësministri i Financave Alfred Rushaj, parashikojnë vjeljen e akcizës për mallrat e listës duke u bazuar mbi përbërjen neto të produktit. "Nga ndryshimet e propozuara pritet të preket vetëm pijet me përqindje të lartë alkooli, vendim ky që nuk prek konsumatorin", deklaroi Rushaj. 

Drafti parashikon rritjen me 20 për qind të akcizës për birrën me alkool më të lartë se 6 për qind të masës. Zakonisht, birra përmban mesatarisht 4 deri 4.5 për qind alkool. 

Kjo kategori pritet të paguajë të njëjtën akcizë si edhe deri më tani. Përveç birrës me përqindje të lartë alkooli, akciza për mallrat e tjerë pritet të jetë e njëjtë me nivelin aktual. Aktualisht akciza për çdo litër naftë apo benzinë që hyn në vend llogaritet 37 lekë, akciza për cigaret është 70 lekë për paketë, kurse për verën varion nga 20 deri në 35 lekë për litër në varësi të sasisë së prodhimi. Për sa i përket birrës, ajo është ndarë në katër shkallë për të favorizuar prodhuesit vendas. Minimumi i akcizës për birrën është 10 lekë për litër për ata që prodhojnë pak dhe 30 lekë për litër për ata që prodhojnë më shumë. Mallra të akcizës, të cilat sjellin të ardhura të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, pas Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, janë cigaret, karburantet dhe pijet alkoolike. Këto janë mallra tradicionalë, ndërkohë, qeveria futi në listë gomat, ambalazhet plastike dhe ato të qelqit. Sipas projektligjit të miratuar nga komisioni i Ekonomisë, akciza e cigareve do të mblidhet jo më sipas paketës por mbi 1 000 cigare. Për çdo 1 000 cigare, shteti do të vjelë 3 500 lekë akcizë. Edhe në rastin e cigareve nuk kemi të bëjmë me rritje të akcizës pasi 3 500 lekë do të mblidheshin edhe nëse 1 000 cigaret do të ndaheshin në 50 paketa me nga 20 cigare. Ndryshimi bëhet me qëllim shmangien e devijimeve nga detyrimi apo taksimin pa të drejtë i duhanpirësve. Aktualisht, në treg qarkullojnë paketa me numër të ndryshëm cigaresh, siç janë për shembull paketat me 10 cigare apo me 25 krahas atyre standarde me nga 20 të tilla.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›