E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet projektligji për bonot e thesarit, hidhen në tregun ndërkombëtar 300 milionë euro bono

Kryeministri Berisha vlerëson këtë hap, si dëshmi të një zhvillimi shumë të rëndësishëm cilësor të ekonomisë dhe financave të vendit

Shqipëria do të dalë në tregun financiar ndërkombëtar me bonot e saj të thesarit.

Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për euro-bondet, të cilin Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi si, "dëshmi të një zhvillimi shumë të rëndësishëm cilësor të ekonomisë dhe financave të vendit.

Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri u shpreh optimist se, "tregu i bonove të thesarit (euro-bondeve) do të jetë një treg i favorshëm për Shqipërinë".

Ai informoi se "dy institucione ndër më kryesoret në botë, Deutsche Bank dhe JP Morgan kanë marrë përsipër trajtimin e euro-bondeve të Shqipërisë. Euro-bondet dalin në treg duke pasur mbështetjen e një ekonomie të pashoqe për treguesit e saj", tha Kryeministri Berisha duke vënë në dukje treguesit në rritje të ekonomisë shqiptare gjatë 3-mujorit të parë 2010.

"Shqipëria del në një kohë globale dhe sërish jep sinjalet më pozitive. Ekonomia shqiptare këto tre muaj në disa aspekte ka një perfomancë të paprecedentë", tha Berisha.

Sipas tij, "eksportet shqiptare në 3-mujorin e parë të këtij viti kanë pasur rritjen më të madhe në historinë e vendit dhe një rritje të paparashikuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë".

Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "eksportet e vendit pothuajse janë dyfishuar nga 225 mijë ton në tremujorin e parë të 2009 në 390 mijë ton për të njëjtën periudhë të këtij viti".

Rritja në vlerë e eksporteve "Made in Albania", sipas Kryeministrit Berisha "është më e madhe, nga 6 miliard lekë ka arritur në 14.9 miliard lekë".

Kryeministri theksoi se "rritje të admirueshme kanë edhe eksportet me mallrat e përpunuara (fasonet), të cilat nga 19 mijë ton që ishin në tremujorin e parë të 2009-tës, kanë arritur në 48 mijë ton këtë vit. Nga 16 miliard lekë në tremujorin e parë të 2009, fasonet kanë arritur këtë vit në 20.33 miliard lekë".

"Rritje mbi parashikimin kanë pasur edhe të ardhurat. Organet tatimore dhe doganore kanë realizuar në muajin mars rreth 22 për qind, tej parashikimit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar", tha Kryeministri Berisha.

Ai ftoi të gjithë ata që flasin për një krizë ekonomike në Shqipëri, të lexojnë të dhënat për eksportet shqiptare që nxirren jo vetëm nga agjencitë e vendit, por edhe nga një seri agjencish ndërkombëtare.

"Ata që flasin për krizë i ftoj të lexojnë të dhënat e të ardhurave dhe ti marrin ato nëpërmjet transaksioneve bankare. Taksat në tërësi janë on-line, po kështu edhe doganat", tha Kryeministri, duke shtuar se ekonomia shqiptare është në gjendje entuziaste dhe këtë nuk e cenoi as cunami financiar.

“Shteti të marrë të gjitha përgjegjësitë për problemet e pronësisë ndaj investitorëve”

Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot, që shteti të marrë të gjitha përgjegjësitë për problemet e pronësisë ndaj investitorëve, në mënyrë që të garantojë stabilitetin e nevojshëm për investimet në vend.

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë, Kryeministri Berisha tërhoqi vëmendjen për faktin se "në raste të caktuara, pretendime nga më absurdet, viktimizojnë investitorët". "Njerëz që kanë patur zero pretendim pronësor, sapo marrin vesh se një investitor interesohet për një pronë, ngërthehen në veprime mafioze dhe hapin padi vetëm që ta gjobisin investitorin, duke kërkuar deri edhe 50 mijë euro që të ndërpresin procesin", tha Kryeministri Berisha.

Sipas tij, "këta persona do të merren me shtetin. Nëse kanë të drejtë, shteti do tu përgjigjet qindarkë për qindarkë. Por nëse hyjnë në procese të pandershme, do të marrin atë që meritojnë", tha Kryeministri Berisha.

Duke u ndalur te dhënia e lejeve minerare, Kryeministri u shpreh se pasuritë minerare dhe ujore janë pronë publike.

"Duhet të qëndrohet me gjithë forcën e ligjit dhe të garantohet ushtrimi i autoritetit shtetëror pas çdo leje të dhënë, sikundër duhet të zbatohen rregullat më të ndershme të shpronësimit. Nëse hapet minierë në pronën e dikujt, kjo pronë duhet të shpronësohet mbi bazën e rregullave", tha Kryeministri Berisha.

Sipas tij "nëntoka është pronë publike, pasi edhe kur blihet një pronë, kjo bëhet me sipërfaqe për metër katror".

"Ky ligj është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është përgatitur me ekspertizën më të mirë. Dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë punuar në përgatitjen e tij dhe zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë që kanë udhëhequr këtë proces", tha Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›