Vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë do të merret në qershor, në Samitin e Sarajevës
Garanton Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos
Vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën do të merret në një samit të posaçëm që do të zhvillohet në muajin qershor të këtij viti. Pohimin e bëri dje në Sarajevë, Miguel Angel Moratinos, Ministër i Jashtëm i Spanjës, vend ky që e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.
Moratinos tha se “Ballkani Perëndimor dhe Bosnja janë lartë në listën e prioriteteve të BE-së”. Ai këto komente i bëri pas takimit me ministrin e jashtëm të Bosnjës, Sven Alkalaj, në Sarajevë.
Morations evidentoi faktin se në qershor në Sarajevë, me nismën e Spanjës, do të mbahet samiti Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, i cili, sipas tij, do të ketë rëndësi historike dhe do të jetë rast për Bosnjë Hercegovinën, që të tregojë përcaktimin e saj për ardhmëri evropiane.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, ka theksuar se Bashkimi Evropian është i gatshëm për ta shpallur tërheqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Ballkanit Perëndimor, në muajin qershor.
Ndërkohë për Bosnje Hercegovinën, Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, citohet të ketë deklaruar se, “zyrtarisht do ta shpallim tërheqjen e regjimit të vizave në qershor 2010”.
Moratinos ka thënë se shpallja e këtij vendimi do të bëhet gjatë samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, në Sarajevë, në fillim të qershorit dhe nga ky vendim pritet të përfitojë dhe Shqipëria.
...