Qeveria miraton rritjen e kompensimit të energjisë për shtresat në nevojë
Këshilli i Ministrave miratoi dje një ndryshim në vendimin "Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike".
Vendimi përcakton rritjen e kompensimit financiar me 140 lekë/muaj për çdo përfitues, duke e çuar në total masën e kompensimit të energjisë elektrike në shumën 640 lekë në muaj për çdo përfitues, mbështetur në nivelin e ri të çmimit të miratuar nga ERE.
Disa nga kategoritë që përfitojnë nga ky vendim janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, familjarët që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar dhe kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të punësuar në sektorin publik apo privat.
Gjithashtu, nga ky vendim përfitojnë edhe kryefamiljarët që marrin pension pleqërie shtetërore që jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim pa të ardhura, familjet e punonjësve buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat.
...