E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet rregullorja e re e Maturës Shtetërore 2009

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, ka firmosur dje rregulloren e re të Maturës Shtetërore 2009, e cila përcakton të gjitha procedurat, detyrimet e palëve, si dhe afatet që duhen përmbushur për këtë proces. Ndryshe nga rregullorja e një viti më parë, risia e Maturës 2009 përqendrohet kryesisht në lëndët me zgjedhje. Kështu në rregulloren e re saktësohet fakti se do të përjashtohen nga dhënia e këtyre dy provimeve të gjithë ata të rinj kandidatë që aspirojnë të ndjekin degë të arteve dhe të sporteve. "Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto institucione të arsimit të lartë publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje", thuhet në rregulloren e Maturës Shtetërore 2009.

Ndërkohë që një tjetër ndryshim i rëndësishëm është bërë edhe lidhur me njohjen e provimeve të lëndëve me zgjedhje për të gjithë ata kandidatë që i kanë dhënë në vitet e mëparshme. Për këtë çështje, rregullorja saktëson se: "Të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e institucioneve të arsimit të lartë publik, për t‘u regjistruar në këto shkolla këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në këto raste ata i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën e Pjekurisë origjinale dhe mandat-pagesën e një tarife, masa dhe modalitetet e pagesës së të cilës do të bëhen të njohura nga MASH".

Gjithashtu, në rregulloren e re përcaktohet edhe fakti se "për të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e institucioneve të arsimit të lartë publik, rezultatet e arritura nga nxënësi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur nxënësi ka marrë vlerësim kalues vetëm njërin nga provimet me zgjedhje(përveç rasteve kur nxënësi kërkon ta rijapë lëndën). Sipas rregullores, nëse nxënësi kërkon t‘i ruhet rezultati i mëparshëm, në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë, për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Po kështu, për rastet kur "nxënësi e ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t‘i njihet rezultati i saj, do t‘i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën".

Mundësia

Në rregulloren e re të Maturës Shtetërore 2009 ofrohet një tjetër mundësi për të gjithë ata të rinj që e kanë përfunduar më parë maturën, pra kanë dhënë vetëm dy provimet e detyruara, por që këtë vit kanë vendosur të fillojnë studimet e larta. Në rregullore thuhet se "të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë vetëm provimet e detyruara, por jo provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për t‘u regjistruar në degët e institucioneve të arsimit të lartë publik këtë vit duhet të japin provimet me zgjedhje, pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur dëftesën e pjekurisë origjinale".

Afatet

Rregullorja e maturës së këtij viti mes të tjerash ka nene të veçanta që lidhen me afatet që duhen respektuar nga strukturat e posaçme të Ministrisë së Arsimit që lidhen me këtë proces, por edhe me ato që ngrihen në të gjitha shkollat e vendit për mbarëvajtjen e katër provimeve të maturës.

MASH miraton deri më datë 11 shkurt: Formularët A1 dhe A1z (të dhënat e nxënësit/kandidatit dhe kërkesat e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje). Udhëzuesit e formularëve A1, A1z. AVA dërgon në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së formularët A1, A1z, udhëzuesit për ta dhe modelin për tabelën T për përmbledhjen e të dhënave nga formularët A1, A1z. KMSH-të e DAR-ve dhe ZA-ve i dërgojnë ato në KSHMSH-të deri më 20 shkurt. MASH miraton deri më datë 1 prill: Formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë). Udhëzuesin e formularit A2. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A2, brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH. Çdo nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme, pavarësisht nëse jep apo jo provimin me zgjedhje, plotëson dhe dorëzon formularin A1 në KSHMSH-në e shkollës ku ai mëson, brenda datës 10 mars. Çdo kandidat plotëson dhe dorëzon formularin A1z në KSHMSH-në e shkollës ku ai caktohet, brenda datës 10 mars. Në periudhën 11-24 mars KSHMSH plotëson në bazë të formularëve A1,A1z të dorëzuar nga nxënësit e kandidatët tabelën T. Formularët e plotësuar A1, A1z dërgohen zyrtarisht nga KSHMSH e shkollës në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së brenda datës 25 mars, së bashku me tabelën e plotësuar T përmbledhëse të të dhënave të formularëve. KMSH-të e DAR-ve dhe ZA-ve hartojnë mbi këtë bazë listat e plota me të dhënat e të gjithë kandidatëve, sipas modelit të dërguar nga AVA, dhe i dërgojnë ato zyrtarisht dhe në formë elektronike, të ndara sipas shkollave, në AVA, brenda datës 31 mars.

KSHMSH dërgon zyrtarisht në KMSH-në e DAR/ZA-së formularët A2, të plotësuar sipas nenit 29, si edhe tabelën e regjistrimeve, brenda datës 2 korrik. KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së, pasi bën verifikimet përkatëse, i dërgon formularët, ndarë sipas shkollave, së bashku me tabelat e regjistrimeve, zyrtarisht me shkresë përcjellëse në MASH, më 11 korrik. KSHMSH, 1 (një) ditë pas përfundimit të vitit shkollor, njofton çdo nxënës për numrin e regjistrimit. KSHMSH-ja evidenton nxënësit mbetës dhe njofton zyrtarisht KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së për nxënësit mbetës, 1 (një) ditë pas përfundimit të vitit shkollor. KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së, 2 (dy) ditë pas përfundimit të vitit shkollor, njofton zyrtarisht AVA-në për çdo nxënës mbetës, duke dërguar edhe në formë elektronike listën e nxënësve mbetës sipas shkollave.

Penalizimet

Rastet kur maturantët përjashtohen nga provimi

Ditën e provimit nxënësi/kandidati përjashtohet dhe nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se: nuk është i pajisur me dokument identifikimi; nuk qëndron në vendin që i caktohet; përpiqet të japë provimin për një nxënës tjetër; bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit; merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës të tjerë; bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit; përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe (vetëm për provimin e matematikës) vizore e kompas. Gjithashtu, çdo nxënës mund të penalizohet në rast se merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve; largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit; heq, shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test; dëmton testin(palos, zhubros, gris) ose nuk e dorëzon atë.

Me këto veprime nxënësi ose kandidati mund të përjashtohet nga provimi, madje për disa raste i hiqet e drejta të japë provimet e Maturës për vitin në vazhdim. Përgjegjësi i administrimit të provimit për raste shkeljesh nga nxënësi ka të drejtë ta largojë atë nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët.

Në rast se nxënësi refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit, evidenton rastin me procesverbal dhe lejon vazhdimësinë e provimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›