E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet rritja e akcizës për karburantet

Komisioni i Ekonomisë miratoi dje projektligjin "Për akcizat", i cili parashikon unifikimin e taksës me 37 lekë/litri për të tria tipet e karburantit, naftë D1, D2 dhe benzinë. Opozita është shprehur kundër me argumentin se ligji i ri rrezikon të rrisë çmimin e naftës në vend nga ana e importuesve. Vetë tregtarët pretendojnë se me çmimet aktuale të naftës në bursë, akciza që paguhet është 31 lekë, ndërsa rritja e saj në 37 lekë rrezikon të ndikojë në çmimin final për të paktën 6 lekë/litri. Nga rritja e taksës së akcizës për karburantet, qeveria parashikon të krijojë rreth 1.5 miliardë lekë të ardhura në buxhetin e shtetit. Zv/ministri i Financave, Florion Mima, i hodhi poshtë argumentet për rritje të çmimit nga ana e importuesve. Duke folur në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, Mima tha se shkaku i unifikimit të taksës me 37 lekë ishin përfarimi i shkallës tatime me vendet e Bashkimit Evropian dhe me vendet e rajonit.

Aktualisht importuesit e karburanteve paguajnë akcizë 75 për qind të vlerës mbi vlerën e mallit në ton, që i bie 37 lekë/litri e poshtë. Zëvendësministri i Financave tha gjithashtu se ndryshimet prekin gazoilin, për të cilin masa e akcizës, nga akcizë ad-valorem prej 75 për qind, por me kufizim jo më shumë se 37 lekë për litër dhe jo më pak se 27 lekë për litër, bëhet akcizë specifike, vetëm 37 lekë për litër. Aktualisht, me çmimin e naftës në bursë 463 dollarë për fuçi, akciza që paguhet nga importuesit është rreth 31 lekë për litër. Sot, çmimi i eurodiezelit me shumicë është 88-89 lekë për litër, kurse me hyrjen në fuqi të akcizës së re çmimet do rriten me të paktën 5-6 lekë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›