E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag epidemie, gripi mbërthen vendin



Rritet ndjeshëm numri i personave të prekur nga gripi. Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik raportojnë se nga java në javë ka pasur rritje të numrit të personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pranë mjekut të familjes apo poliklinikave qendrore. Ata shprehen se ka një rritje të rasteve me 30 për qind krahasuar me dy javë përpara. Ndërkohë që shifrat do të pësojnë rritje edhe ditët në vijim.

Të dhënat

Temperaturat e ulëta dhe ndryshimi i shpeshtë i motit kanë bërë që ditët e fundit të rritet ndjeshëm numri i të prekurve nga virusi i gripit. Mjekët raportojnë se moshat më të prekura janë fëmijët dhe pleqtë, kjo si shkak i imunitet më të dobët në krahasim me moshat e tjera. Vetëm gjatë këtyre ditëve në urgjencën e pediatrisë kanë kërkuar ndihmë mjekësore rreth 220 fëmijë në ditë. Ndërkohë që edhe në ditët e para të muajit shkurt vihet re tendenca në rritje e personave të prekur nga gripi. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik shprehen se me gjithë numrin e lartë të personave të kontaminuar në janar, ai do të pësojë rritje dhe se jemi në prag epidemie.

Sipas tyre, muaji shkurt dhe mars është sezoni i njohur për gravitetin e kësaj sëmundjeje dhe fluksin e lartë të personave të prekur. Ndërkohë që edhe gjatë muajit janar, gati 40 mijë persona rezultojnë të jenë të prekur nga virozat gripale. Të gjithë këta persona u janë drejtuar poliklinikave dhe qendrave shëndetësore për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Specialistët vijojnë të sensibilizojnë publikun për të kryer vaksinën antigrip. Sipas tyre, vaksina është efikase, pasi ajo mbron nga tre tipa virusesh, ndërsa në qarkullim ka pasur edhe shumë viruse të tjera. Megjithatë, pranohet se ka pasur edhe raste të personave të prekur nga i njëjti virus që kanë bërë vaksinën, por simptomat kanë qenë më të lehta. Për sa u përket muajve shkurt dhe mars, pritet që numri i të prekurve nga virozat gripale të vijë në rritje. Specialistët e ISHP-së shprehen se aktualisht është koha për kryerjen e vaksinës, pasi marsi mund të sjellë një epidemi më të rëndë.

Më të prekurit

Gripi është një sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga virusi i familjes orthomyxoviridae. Ai dallohet nga sëmundjet e tjera, pasi simptomat janë specifike. Simptomat e para të gripit janë temperaturat e larta, dhimbje të muskujve, të kyçeve, kollë të fortë dhe të thatë. Por, në disa raste, gripi mund të ketë dhe shenja të tjera dalluese, siç është rasti ku një person ka dhimbje barku. Kjo është një nga rastet e veçanta të shfaqjes se virusit. Po reshtu, një person i prekur nga gripi mund të ketë shfaqje të disa shenjave apo pullave në lëkurë, si dhe mund të ndiejë dobësi fizike. Është një sëmundje sezonale dhe shkakton dëmin më të madh midis të moshuarve dhe fëmijëve. Si epidemi e gripit ose grip i rëndë merret kur 10-20% e popullsisë së një regjioni janë të infektuar. Bartësit më aktivë dhe njëherazi kryesorë të infektimit janë fëmijët.

Shkaqet

Shkaktarë të epidemisë dhe pandemisë janë viruset epidemike të grupit A dhe rrallëherë të grupit B. Këto viruse janë në gjendje të ndërrojnë gjatë kohës molekulat antigjene të sipërfaqes: Hemaglutin (H) dhe Neuraminidase (N) dhe me këtë gjatë një riinfektimi depërtojnë në sistemin e imunitetit të njeriut. Njeriu duhet të kontaktojë menjëherë shërbimin mjekësor kur përveç se ka kollë e ka edhe të vështirë për të marrë frymë.

Kurat në kushtet e shtëpisë

Për ta kuruar në kushtet e shtëpisë duhet që në shfaqjen e simptomave të para të merret tableta antigrip, të pihen shumë lëngje të pasura me vitaminë C. Është e domosdoshme që trupi të fuqizohet nëpërmjet vitaminës C. Mjekët rekomandojnë që në këto raste nuk duhet që të konsumohen çajrja, por preferohen lëngjet në temperaturë normale, pasi çaji i nxehtë ka veti që ta acarojë më tepër laringjitin e prekur nga virusi, me anë të nxehtësisë.

Kujdes, të prekurit nga virusi i gripit nuk duhet të përdorin antibiotikë pa rekomandimin e specialistit, duhet të vishen sa më lehtë dhe të konsumojnë sa më tepër supa.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›