“Miratoni rezolutën çame, nuk ka më kohë”

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi në Komisionin e Jashtëm
Gjatë mbledhjes së radhës të Komisionit të Jashtëm është diskutuar rezoluta çame, e propozuar nga PDIU. Por marrja në shqyrtim e kësaj rezolute ka ngjallur debate në komision për rendin e ditës.
Deputetët e PS janë kanë kërkuar shtyrjen e diskutimeve pasi sipas tyre nuk janë njoftuar për diskutimet që do të zhvilloheshin në mbledhje. “Nuk na keni njoftuar çfarë do të diskutohet, kjo është një mbledhje jashtë radhës. Nuk mund të na impononi për çështje që nuk janë parashikuar për t’u diskutuar”, ka thënë deputetja Arta Dade.
Ndërkohë, nga ana e tij kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka kërkuar që deputetët të shqyrtojnë rezolutën çame. “Kemi 3 muaj që e kemi sjellë këtë projekt, javën tjetër duhet të diskutohet në Kuvend”, ka theksuar Idrizi.
Deputeti i PD-së Fatos Beja është shprehur se po punohet nga relatorët për çështjen çame dhe ata do të shpjegojnë si është situata.
Idrizi ndër të tjera ka kërkuar që të mos zvarritet shqyrtimi i rezolutës çame pasi sipas tij, ajo është kusht për koalicionet.
“Më vjen mirë që të gjithë kolegët kërkojnë seriozitet për çështjen çame. Ka patur kohë që relatorët të shqyrtojnë rezolutën çame. Të mos zvarritet shqyrtimi i rezolutës çame, ajo është kusht për koalicionet. Deputetët ta votojnë rezolutën çame, se kjo është çështje shqiptare”, është shprehur Idrizi.
Ndërkohë deputetët e PS-së në komision kërkuan edhe seancë dëgjimore me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti në lidhje me fondet për ambasadat.
Në përgjigje të kërkesës së tyre, deputeti demokrat Fatos Beja theksoi se ministri do të jetë në komision për të raportuar në lidhje me këtë çështje javën e ardhshme.