“Edvini e la për 11 vite Tiranën pa një plan urbanistik”
Bashkia e Tiranës reagon pas akuzave së PS
Bashkia e Tiranës reagoi lidhur me pretendimet e ardhura nga Partia Socialiste për planin urbanistik. Sipas zëdhënëses së bashkisë Tiranë, Anila Bisha Edi Rama e la për 11 vite Tiranën pa një plan urbanistik, ndryshe nga kryebashkiaku Basha i cili hartoi një plan urbanistik të drejtë, me konsultimin e qytetarëve i cili krijon mijëra vende pune. “Qytetarët e Tiranës e dinë se Edi Rama ka qenë dhe është i fiksuar pas konfliktit politik. Për 11 vite, Tirana nuk kishte një plan urban për shkak të politikave të Ramës, të marrjes dhe dhënies dhe qytetarët e paguan shtrenjtë këtë. Në mungesë të një plani urban, gjatë kohës së Ramës rrugët ishin krejtësisht të prishura, zhvillimi ishte kaotik, lejet shtyheshin ose jepeshin pa kriter për miqtë e tij, biznesi nuk mund të zgjerohej, sipërmarrjet e reja kishin ngecur dhe vendet e reja të punës nuk u shfaqën kurrë. Kryebashkiaku Basha premtoi se do t’i vërë qytetarët e Tiranës të parët dhe e ka bërë. Kryebashkiaku i Tiranës hartoi një plan urban të Tiranës që është i drejtë, e bën Tiranën një qytet më të mirë për të jetuar e punuar dhe krijon mijëra vende të reja të punës. Ky plan u bë duke dëgjuar zërin e qytetarëve dhe duke u konsultuar me të gjithë të interesuarit, nga dita e krijimit të grupit të punës e derisa u miratua në Këshillin Bashkiak”, deklaroi zëdhënësja Bisha.
Më pas zëdhënësja e Bashkisë Tiranë vuri në dukje se Edi Rama kishte mundësi për ta bërë Tiranën qytet modern por e shkatërroi atë për pazare me miqtë e tij, duke lënë në 11 vjet pa asfaltuar 250 km rrugë të kryeqytetit. “Është qesharake se si Rama vë në listën e 100 arsyeve për ta votuar atë, pikërisht një nga dështimet e tij më të mëdha. Edi Rama kishte çdo mundësi për ta bërë Tiranën një qytet modern evropian por e shkatërroi këtë mundësi për pazaret me miqtë e tij, duke lënë 250 km rrugë të prishura dhe taksa të dyfishuara për qytetarët dhe bizneset”, theksoi ajo. Në fund të deklaratës, zëdhënësja e bashkisë nënvizoi faktin se, “ne do të vazhdojmë me punën tonë, t’i sigurojmë qytetarët e Tiranës se interesat e tyre janë prioriteti ynë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë Tiranën një qytet modern, me më shumë mundësi punësimi, më shumë lehtësira për biznesin, më shumë gjelbërim dhe me një të ardhme të sigurt”.