E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ndërtimi i rrugëve, shans dhe potencial i madh për punësim

22-03-2013 / Gazeta 55

Rruga Gramsh-Kodovjat, investim me vlerë 500 milionë lekë. Kryeministri Berisha vijon në Gramsh turin e inaugurimit të veprave publike: “E gjithë përpjekja jonë në funksion të punësimit, në katër vitet që vijnë, 250 mijë vende të reja pune”


Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje segmentin rrugor Gramsh-Kodovjat, një rrugë e rikonstruktuar sipas parametrave bashkëkohore, e cila krijon kushte normale transporti, duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore dhe tregjet bujqësore.  Berisha në fjalën e tij theksoi faktin se qeveria është përqendruar më shumë se në çdo gjë tjetër në ndërtimin e një infrastrukture moderne, sepse beson se në këtë vend nuk ka asnjë pëllëmbë tokë për tu braktisur dhe investimet në infrastrukturë, krijojnë mundësitë të mëdha dhe të jashtëzakonshme për të dalë nga varfëria, për të ndërtuar një jetë në mirëqenie. Kryeministri Berisha theksoi se alternativa e kësaj qeverie është investimi dhe zhvillimi, dhe tashmë këto janë të provuara, ndërkohë që përballë është një alternativë tjetër, e cila është veçse një gënjeshtër. “Qeveria jonë është përqendruar më shumë se në çdo gjë tjetër në  ndërtimin e një infrastrukture moderne, sepse ne besojmë se në këtë vend, nuk ka asnjë pëllëmbë tokë për tu braktisur, ne besojmë se në Gramsh, në Mokër, në Dukagjin, në Tropojë dhe kudo, kushti vendimtarë është infrastruktura, janë rrugët, janë shkollat, ujësjellësit, kanalet vaditëse, kanalizimet, sepse toka vetë është një tokë pjellore, sepse klima është një klimë e mrekullueshme, sepse mundësitë janë të mëdha dhe të jashtëzakonshme për të dalë nga varfëria, për të ndërtuar një jetë në mirëqenie. Ne e bazojmë punësimin, sepse katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka për të nxituar artizanatin në mbarë vendin dhe do të krijojmë grande për artizanët, do të krijojmë grande, të cilat do të ndihmojnë  ata për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre. Këto janë llogaritë tona dhe këtyre iu duhet tu besoni, sepse këto janë të provuara, ekzistojnë dhe një alternativë tjetër, e cila është gënjeshtër, gënjeshtër dhe vetëm gënjeshtër”, u shpreh Berisha. Duke u ndalur tek premtimi i bërë për hapjen e 250 mijë vendeve të reja pune në katër vitet që vijnë, Kryeministri Berisha tha se, ky është një premtim real dhe shumë konkret. “Rruga është punësimi, sepse rruga krijon mundësi, fton të gjithë investitorët sipas interesave të tyre të investojnë në Kodovjat, të investojnë në çdo skaj të Shqipërisë, aty ku ka infrastrukturë moderne. Rruga është punësim, sepse rruga me ndërtimin e saj punëson qindra, krah pune. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar në shkallë vendi mbi 10 mijë kilometra rrugë, në të cilat kanë punuar për ndërtimin e tyre në rrugë kombëtare, autostrada, rrugë kombëtare, në rrugë dytësore, jo më pak se 58 mijë forca pune. Rruga është punësim, sepse është mundësi më e madhe shkollimi. Rruga është shëndet, sepse është mundësi e shërbimit shëndetësor më të madh. Vetëm katër vitet që shkuan qeveria ka kredituar me grande 42 mijë familje shqiptare. Por në qoftë se ne kemi kredituar 42 mijë familje dhe krijuar dhjetëra mijëra vende pune, katër herë më shumë ka investuar në sektorin  privat, në ferma në agro-biznes dhe në blegtori në vend. Gjatë këtyre viteve që shkuan në sektorin bujqësor u punësuan në bizneset e këtij sektori rreth 100 mijë shqiptarë. Çfarë premtojmë ne? Në katër vitet që vijnë të punësojmë jo 100 mijë, por të punësohen 130 mijë shqiptarë dhe unë ju jap fjalën ju, se ne do të dyfishojmë grandet për Gramshin dhe mbarë Shqipërinë, për fermerët e Gramshit dhe të mbarë Shqipërisë. E tërë përpjekja jonë është dhe do të jetë, të krijojmë sa më shumë vende pune, të krijojmë në katër vitet që vijnë edhe 250 mijë vende punë të reja”, u shpreh kryeministri Berisha. Ai theksoi gjithashtu se qeveria katër vitet që vijnë do të dyfishojë grandin e saj për fermerët e Shqipërisë dhe do të krijojë fermat më moderne që vendi ka njohur. Një tjetër investim i madh që do të bëhet në zonë është ndërtimi Kaskadës së Devollit.  Krahas saj, theksoi kryeministri, janë 9 hidrocentrale të tjera, në ndërtimin e të cilave do të punësohen të pakën 8 mijë punonjës. Kryeministri ka garantuar kryetarin e komunës se qeveria do të investojë çdo projekt që do të hartohet për zhvillimin e komunave dhe se në Gramsh do të ketë një transformim të madh të infrastrukturës së vendit. Rruga Gramsh - Kodovjat me gjatësi 13,4 km dhe gjerësi 5 – 6 m është një financim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 500 milionë lekësh. Nga ndërtimi i kësaj rruge përfitojnë 13 mijë banorë në komunat Kodovjat, Pishaj, duke shërbyer edhe si arterie kryesore për komunat Kukur e Lenie të këtij rrethi. Investimi i shërben zonës në zhvillim nga ndërtimi i hidrocentraleve në Kaskadën e lumit Devoll. Gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit janë investuar 8 herë më shumë se qeverisja e PS. Janë ndërtuar mbi 80 km rrugë, 25 Shkolla, 10 ujësjellës dhe 18 ambulanca e qendra shëndetësore. Janë subvencionuar mbi 500 fermerë ose 400 ha me ullinj, bajame, vreshta, blegtori e dru frutor. Qeveria ka kontraktuar dhënien me koncesion të ndërtimit të 9 HEC-ve duke krijuar mundësinë e hapjes së vendeve te reja të punës. Ndërsa numri i bizneseve të reja  është rritur në 800 nga 530 biznese që ishin në 2006. “Ndaj dhe ne, gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 90 kilometra rrugë. Unë jam sot këtu, për tu dhënë fjalën ju se në rrethin tuaj do  ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë, se Gramshi do të lidhet me Maliqin, se rruga e Gramshit  do të shkurtohet në 10 kilometra të tjera me Elbasanit dhe se tuneli i Elbasanit, afron Kodovjatin afron Gramshin, me një orë më shumë me kryeqytetin e vendit, me Tiranën”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›