E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirazhi i Raport-Progresit

TIRANE - Muajit të parë të 2012-ës i erdhi fundi. Na u duk i gjatë. Erdhi i vrullshëm, i tensionuar, jobashkëpunues, si dhe plot me deklarata e kundërdeklarata. Do s’do, mendja na shkoi tek ai dokument i artë i quajtur “Raport-Progres i Bashkimit Europian”. Për ne, ai përmban formulën e Jetës së re.
Kaq shpejt u harruan vallë mesazhet dhe orientimet e tij? Raport-Progresi i 2011-ës, i prezantuar vetëm tetorin e kaluar nga Përfaqësuesi i Brukselit në Tiranë, Z. Ettore Sequi, mbetet ende shumë i freskët. Edhe jehona e tij gjithashtu.
Ky dokument i detajuar prej 72 faqesh, tregoi se Shqipëria duhet të bëjë akoma më shumë në rrugën e integrimit, për të merituar statusin e vendit kandidat dhe pikat tona të dobëta jepen shumë qartë në të. Ai shkroi me germa kapitale, se Integrimi duhet të jetë një objektiv kombëtar dhe se Bashkëpunimi duhet të mbizotërojë për të mirën e vendit.
Por realiteti shqiptar ende vret. Përpjekjet për ta zbatuar këtë dokument, që për një vit të tërë vëzhgon me imtësi dhe mban shënime, janë ecejake të mundimshme, ndërkohë që Bashkimi Europian vazhdon të financojë projekte prej miliona eurosh, në fusha të ndryshme kyçe në ndihmë të zbatimit të 12 prioriteteve. Mesazhet lexohen turbull; pamja e plotë nuk arrihet të shihet, por vetëm kënde të caktuara të saj.
Publikimi vjetor i Raport-Progresit të Bashkimit Europian përfaqëson një moment të rëndësishëm për çdo vend që inspiron të bëhet pjesë e familjes së madhe Europiane. Ajo ditë mbetet gjatë në mendje, me të gjitha detajet e saj. Edhe Shqipëria nuk bën dallim në këtë pikë. Një herë në vit, kryqëzojmë gishtërinjtë duke shpresuar të kemi plotësuar si duhet kriteret e vëna nga BE-ja. Dhe emocionet janë të justifikueshme.
Përpos shumë pyetjeve, ngjarjet e fundit në Shqipëri nxjerrin në pah edhe disa pyetje të tjera: Sa mirë e dinë përmbajtjen e këtij Raporti ata të cilëve iu drejtohet ky dokument? Sa shpesh i rikthehen atij? A është ai tashmë, busulla e punës së tyre?
Të bën përshtypje, se rrallë shikojmë ndonjë politikan shqiptar të flasë me një kopje të Raport-Progresit përpara dhe të citojë pjesë të tij, që lidhen me çështjet më të nxehta. Nuk është një praktikë e tyre, por dukshëm është e Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi. Ai shpesh bën një referim të qartë të Raportit lidhur me çështje të ndryshme. Përveçse kjo gjë i vjen natyrshëm, me këtë veprim, ky diplomat karriere nënvizon qartë dhe jep një shembull të shkëlqyer, se ky Raport duhet të jetë referimi kryesor i punës së qeverisë shqiptare në rrugën e nisur. Por jo vetëm i politikës. Por edhe i gazetarëve, për të pasur një orientim më të qartë se në ç’dritë duhet të shihen çështje të caktuara që shqetësojnë vendin; edhe i një studenti, intelektuali, shkrimtari, akademiku e me radhë. Shumëkush në këtë shoqëri të vogël gjen një pjesëz të vetes së tij në të. Ai është një manual, që të tregon si të montosh një makineri dhe më pas ta vësh në punë. Dhe më pas të marrësh shërbime prej saj.
A nuk do të linte shijen e një indiference totale, nëse një shqiptar do të ngrinte supet po të pyetej se përse flet ky Raport? Lëre mos e nga, nëse kjo do të ngjiste me një politikan! Prandaj një kopje e këtij raporti në mendjen e çdo shqiptari do të ishte një ndihmë për gjithsecilin nga ne.
Kjo do të ishte e mirë për të mënjanuar atë përshtypje se, ky dokument, i aftë të lëvizë një mal nëse ekziston vullneti politik, lexohet sot dhe harrohet nesër. Ose pretendohet se lihet në harresë. Kur e harron politika, shumë mirë mund të risillet në vëmendje nga shoqëria jonë.
Kjo do të na ndihmojë, që ky dokument të mos ndihet herë mbret e herë një hiç që përfundon në koshin e plehrave. Për momentin, Raport-Progresi ende ngjan me një mirazh në jetën e shqiptarëve.
Kur krejt papritur ndodh një shtrëngim duarsh midis politikanëve tanë, na duket se i afrohemi atij shumë afër, por kur tensioni politik ngrihet në maksimum brenda një kohe rekord, na duket se i largohemi me kilometra të tëra. E një ndjesi e tillë nuk është fort e këndshme, por ama e ka një të mirë: nuk ta lë shpresën të vdesë. Deri sa mbyll sytë, mbetesh me shpresën se megjithëse nën diellin përvëlues të shkretëtirës, një oaz për të shuash etjen barbare do ta gjesh.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›