E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirditë, 14 mijë banorë mbeten të izoluar

MIRDITË – Pos dy bashkive Rrëshen dhe Rubik, qendër qytete, të gjitha njësitë e tjera vendore-komuna në Mirditë rezultojnë të izoluara nga dëbora e rënë përgjatë gjithë natës dhe paradites së sotme. Trashësia e dëborës varion nga 1 deri në 2.5 metra në zonat e thella malore.

Sipas nënprefektit Gjon Pjetri, 14 mijë banorët e komunave Fan, Orosh, Selitë, Kthellë dhe Kacinarë janë të izoluar nga trashësia e dëborës së rënë vrullshëm ndërsa rrugët rurale dhe ato në mes fshatrave dhe lagjeve janë të bllokuara. Më problematike gjendja paraqitet në Selitë, ku trashësia e dëborës e kalon 2 metra ndaj është bërë thirrje ministrisë së mbrojtjes të adresojë një traktor të tonazhit të rëndë më zinxhirë.

Emergjenca shëndetësore janë paraqitur në disa fshatra, por më i rëndi ka qenë ai i një fshati të komunës Fan, ku është bërë evakuimi i Ded Nikës me plasje stomaku, të cilin nga Domgjoni deri në qendër Fan e kanë sjellë vetë banorët e fshatit pas 5 orë rrugë në këmbë duke e transportuar në mjet rrethanor.

Ndihmë ka kërkuar dhe B. Deda ne Lajthizë ku trashësia e dëborës i kalon 2,5 metra. Gjithashtu banorët në këtë fshat apo Nënshejt rezultojnë të izoluar dhe pa ushqime për vete dhe për bagëtitë me të cilat dhe përballojnë jetesën.

Shtabi i emergjencave civile bëri një takim sot në Rrëshen ku ishte prefekti dhe kryetari i këshillit të qarkut Lezhë, ndërkohë që ky qark shënon vetëm Mirditën të izoluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›