Aksident, vdes rumunia me të fejuarin shqiptar
Një aksident që ka ndodhur në autostradë, në afërsi te mbikalimit të Sukthit ka pasur si pasojë dy të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Viktimat janë 2 të rinj nga qyteti i Kavajës si dhe një shtetase rumune 19 vjeçare e cila ishte e fejuara e drejtuesit të mjetit të aksidentuar.
Vetëm 8 orë pas një aksidenti të ndodhur në afërsi të mbikalimit të Shënavlashit ku humbi jetën një 17-vjeçar, rreth orës 03:00 të mëngjesit pas një përplasje me bordurën anësore ndarëse të korsive mjeti që drejtonte Elisidon Hasani kanë humbur jetën 2 të rinj të tjerë 22-vjecari Roland Sakja dhe 19-vjecarja rumune e fejuara e tij, Nikoleta Dudanic.
Përplasja ka qenë e forte edhe për shkak të shpejtësisë së madhe pasi kur mjeti është karamboluar me paretin ndarës të korsive rrugore ai ka shkuar fluturimthi rreth 80 m në largësi dhe është përplasur me murin kufizues të një firme private. Sipas policisë e cila ka shkuar në vendngjarje pas telefonatave të drejtuesve të mjeteve që kanë qenë duke udhëtuar në momentet e aksidentit, shkak për aksidentin tragjik është bërë humbja e kontrollit të automjetit tip Peugeot me traga KJ 95 20 D, e cila ka dalë nga rruga dhe më pas ka pësuar disa saltro duke përfunduar në kanalin anësor të autostradës.
Sipas bluzave të bardha dy viktimat kane humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa drejtuesi i automjetit ndodhet në gjendje kritike. Policia sqaron se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe lagështia në rrugë. Grupi i tre të rinjve ka qenë duke u kthyer nga qyteti i Tiranës dhe po udhëtonte për në Kavajë, ndërkohë që duke qenë orë me mjete të rralluara që qarkullojnë në ato moment drejtuesi i mjetit ka udhëtuar më shpejt dhe duke u nisur nga gjurmët e fërkimit në murin ndarës të korsive si dhe nga vendi ku ka ndaluar mjeti i aksidentuar mendohet se shpejtësia mund të këtë qenë rreth 160 km në orë dhe kjo ka qenë edhe shkaku i humbjes së jetës së dy pasagjerëve të makinës. Në këtë rast ka ndikuar për keq edhe koha me shira që binin si dhe mungesa e ndriçimit në rrugë, që në krahun e Durrësit është tërësisht në errësirë.
