E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirditë, një muaj pa drita, protestë para CEZ

MIRDITË - Pas afro dy muaj pritje pa energji elektrike, banorët e fshatrave të komunës Kaçinar, sot i janë drejtuar Zyrës së Kujdesit për Klientin të CEZ-it në Mirditë me një protestë paqësore. Qindra banorë të këtij fshati, me furgona të porositur nën drejtimin e kryetarit të komunës, kanë zbaritur në të ftohtin e acartë nga fshati, pasi u ka humbur durimi në pritje të energjisë elektrike të munguar prej afro 2 muaj. Ata u shprehën për Shekullin se edhe Krishtlindjet edhe Vitin e Ri e kemi kaluar pa drita në shtëpi, dhe kjo nuk ka ngjarë tash mbi 40 vite në këtë mënyrë.

Mungesa e energjisë elektrike erdhi për shkak të djegies së transformatorit të fshatit, dhe pas ankesash të shumta në organet drejtuese, në ministri dhe vetë drejtuesit e CEZ-it askush nuk është parë të interesohet për këtë problem. Njëri prej banorëve u shpreh se me familjen time shtatë anëtarëshe jetoj vetëm me një përkrahje sociale por energjinë e kemi paguar gjithnjë, rrimë pa bukë e ushqime, por jo pa drita. Ndërkohë që vetë drejtuesit e komunës sqarojnë se kjo zonë e varfër malore mbi 70 për qind jeton me përkrahje të papërfillshme sociale, e megjithatë energjinë elektrike të konsumuar e kanë paguar gjithnjë.

Nga ana tjetër banorët shprehën se CEZ-i nuk është kujtuar asnjëherë për problemet me energjinë elektrike atje, as për shtylla e as për tela. Ne i kemi vënë vetë ato, shtylla të drunjta dhe riparimet i kemi bërë vetë, por nuk mund të blejmë transformatorë, thonë ata. Nga ana tjetër, ata ngrenë shqetësimin edhe për mënyrën sesi ata duhet të paguajnë energjinë elektrike, pasi u duhet të zbresin nga fshati për tek zyrat e kujdesit për klientin në qytet, pasi tashmë energjia nuk paguhet në fshat ose në qendër të komunës. Ndërkohë që edhe pse i kanë matësit e energjisë, askush nuk shkon të shohë sasinë e konsumuar, por caktohet një faturë subjektive.

Banorët dhe vetë drejtuesit e komunës vunë një afat përfundimtar për rregullimin e këtyre problemeve nga CEZ-i, në të kundërt, ata u shprehën se do të bllokojnë rrugën në autostradën për Kosovë. / Gjergj Marku

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›