E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirë dosjet e Ilustracioni me selektivitet, por a i shkon mendja kujt për dosjet e korrupsionit këto 19 vite demokraci

>Nga Besi BEKTESHI
Ilustracioni i vonuar së tepërmi në Shqipëri, është një nga elementët e qartë të vonesës së madhe në pastrim të shoqërisë shqiptare dhe po ashtu të shpirtit të kësaj shoqërie, e cila ka lejuar ndër vite ndymjen e marrë dhe të pa shoqe politike dhe ideologjike. Që tani ky Ilustracion po bëhet me target dhe (kuptohet kur vjen puna që të bëhet në 2009-tën) i bie ndesh edhe parimeve kushtetuese, po merret vesh dhe po e deklarojnë edhe të huajt, dhe patjetër që po shkon drejt hullive natyrore të pa sinqeritetit tonë politik. Kur nga njëra ana reagojnë pjesë të shoqërisë që e duan atë Ilustracion të përgjithshëm dhe të pastër, kjo është diçka e mirë, por që mbeturinat e rudimentet e diktaturës e duan të sajuar dhe jo të ndershëm, kjo është vazhdim i denjë i nënëmadhes parti. Natyrisht që përgatiten edhe elementë që protestojnë për të aprovuar një ligj që nuk i bën nder sidomos shtresës së persekutuarve dhe patjetër ka edhe reagime që dënojnë mënyrën dhe synimin thelbësor që është vendosur në targetin primitiv të ligjit. Po ashtu edhe Presidenti ka reaguar disi, por ka reaguar kryesisht si përmbajtje kushtetuese dhe me sa duket do të ketë seri ky aprovim ligji. Por kanë deklaruar e prononcuar edhe ekspertë të huaj dhe për më tepër amerikanë që vërtetojnë ligjërisht se ky ligj i bie ndesh neneve të kushtetutës, dhe përbën forcim pushteti të pesë vetëve apo edhe nuk mund të ketë aplikim ligjor normal. Gjithmonë me shënjestrat tona ligjore kur kemi selektivitet ligjor dhe interesa brenda në ligj, bëjmë edhe të tilla ligjësi selektive të pa pranueshme demokrativisht. Ilustracioni jonë në ligjin e formuar, nuk shikon brenda targetit që kërkohet nga bota e qytetëruar. Por shikon targetin e anësive të pushtetit të sotëm, duke përjashtuar nga pastrimi dhe luçidimi shoqëror, elementë dhe individë që nuk kanë aspak më pak faj dhe peshë të tij se sa spiunët e rëndomtë dhe prokurorët e partisë së djeshme. Ka partiakë, sekretarë të tillë e ministra, por edhe elementë të medias dhe të artit e kulturës që nuk dalin për pastrim edhe pse kanë bërë faje të shëmtuara mbi popullin e tyre. Për më tepër janë edhe sot në pushtetet politike dhe kuvendore apo edhe më tutje në lartësitë e institucioneve si përfaqësuese të popullit dhe të emëruar. Kemi dy të këqija të mëdha që janë targeti selektiv i ligjit me interesa të ngushta pushtetërore dhe opozitare, dhe po ashtu shkelje ligjore të kushtetutës. Kjo patjetër është edhe mënyra më e qartë për të qenë gjithmonë të jashtëzakonshëm dhe origjinalë në demokraci. Por jemi kështu edhe të pa ndashëm me kohën e kaluar, sepse edhe atëherë në një farë mënyre kështu është vepruar. Selektiviteti në goditje është përdorur nga lideri dhe partia për të mbijetuar. Dje nga masakrimi i shoqërisë dhe politikës ideologjike vrastare direkt në popull, sot nga paudhësitë me demokracinë dhe ekonominë. Pak ndryshim ka. Ilustracioni me ligj!! Po kujt i shkon në mëndje si në pozitë dhe opozitë të bëjnë një Ilustracion ekonomik dhe financiar të hajdutëve dhe mashtruesve që nga viti 90 e deri më tani?!! Të dosjeve të famshme të korrupsionit!! Të privatizimeve të bujshme dhe të pa vlera, por edhe me target përfitues. Të shkatërrimit financiar të 97-ës dhe të pasurimit ekonomik të viteve të fillimit. Të vazhdimit korruptiv më vonë me tendera dhe shitje e blerje të ekonomisë së shtetit??! Të pasurimit individual me leje të partive në pushtet dhe të pasurive të vendosura si pasojë e background-it në mbështetje partiake dhe pushtetërore?!
Kjo është edhe më kollaj, sepse shikohen qartë pasuritë e vendosura të çdo lloj ministri apo lidershipi partiak. Të çdo lloj deputeti dhe drejtorësh në institucione. Po ashtu edhe në media. Në doganat dhe prokuroritë apo edhe në gjykata të larta dhe të ulëta. Me çfarë i bënë një shumicë, pasuritë më të mëdha se në perëndim, me rrogat e shtetit?!! Po të shihen tokat, shtëpitë dhe bizneset e zhvilluara në këto vite, merret vesh qartë se prej ku, dhe si është vendosur edhe një sasi e madhe pasurie. Po bankat dhe pasuritë e këtij tarikati në to si brenda dhe jashtë, me një ligj të tillë nuk do të vërtetonin se niveli i tyre i jetës dhe pasurisë nuk është formal, por krejtësisht informal dhe korruptiv?!! Sa herë është bërtitur nga maxhorancat për antikurrupsionin dhe sa herë kjo thirrje ka qenë banale dhe elektorale, për tu pasuruar akoma më shumë ato që kanë bërtitur më shumë? Nuk mund ti ngjajmë dot kurrë disa shteteve perëndimore që pikërisht këtë gjë e kanë me ligj dhe kontrollin të rreptë dhe të fuqishëm. Pa le pastaj kur bërtasin për duar të pastra pikërisht ato që edhe kur i patën disi të pastra me parullën mani pulite i ndynë akoma më keq. Shteti afër nesh dhe demokratik Italia, si luftën kundër apalteve apo tenderave e ka bërë me ligje dhe gjykatës të rreptë, por edhe luftën kundër mafies me po ligje dhe komisione antimafie të posaçme e ka bërë dhe e bën.  Kanë pasur edhe heronj në luftën e tyre ligjore dhe fizike, me të tillë elementë të dëmshëm të një shoqërie. Kurse ne kemi vetëm fjalë në erë dhe brutalitet mediatik të pa ndershëm, deri në kufijtë e monstrozitetit. Nga cilado anë e politikës.
Pa përjashtim. Diktatura 45-së vite, spiunoi dhe futi me asnjë dallim antikomunistë dhe komunistë në burg, ideologjikisht dhe tenton të bëjë si pasojë e bishtave të saj edhe sot e kësaj dite, kurse demekodemokracia (politika dhe bishtat e saj institucionalë) jonë, ka vjedhur e pasuruar jo ndershmërisht për 19-të vite rresht pa u ndalur në mënyrë brutale, dhe tani mund të quhet një monstër e vërtetë. Pse duhet të konsiderohet monstër më e mirë? Ka pasur edhe viktima e po ti numërosh viktimat e 19-të viteve demokraci, është një fatkeqësi në vete, se dikush që nuk ka bosht kurrizor dhe nuk njeh monstrën nënë që është diktatura, kujton se e bija është më e keqe. Por në fakt nuk e ka fajin demokracia, por pikërisht nënëmadhja e cila e ka kapur për fyti dhe nuk do ta lëshojë edhe sot e kësaj dite. Sepse ajo jeton në mentalitetin dhe eksperiencën e individëve që diktatura i ka transportuar po politikisht në demokraci.
Në fundin e saj, diktatura i mësoi anëtarët e leverdisë të vidhnin dhe të mashtronin, të sajonin kuthe dhe intriga të lartësuara, të interpretonin besnikëri kur ishin të gjithë pandershmërisht jo idealistë, sepse ato Enveri i vrau. Si majtas dhe djathtas. Kush mbeti? Këto që janë sot dhe po Ilustrojnë me pasinqeritetin e tyre demokracinë shqiptare. E bëjnë për ditë dhe pa ndalim, me të vetmin arsyetim dhe përfitim, që është mbetja përjetësisht në politikë dhe në pushtet, në çdo anë qofshin, sepse shpesh erë edhe e ndërrojnë atë. Kur do të pastrohemi, kjo është për tu diskutuar gjatë, por akoma më shumë është për tu diskutuar se si, dhe a jemi në gjendje ta bëjmë këtë në ditët e sotme. Për dosjet e dikurshme dhe kanibalët e shoqërisë po në atë kohë kishim frikë, por sot për zhvatësit financiarë dhe ekonomikë kemi ankth. E njeriu ka frikë, por di se prej kujt të ketë, kurse ankth ka, kur nuk e di se prej kujt  ka frikë realisht.

Last Updated on Friday, 16 January 2009 11:42

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›