E Diel, 1 Nëntor 2026

Certifikimi euroatlantik i qeverisjes “Berisha”



Nëse qeveria dhe mazhoranca e zotit Berisha ka një kartë politike dhe elektorale të pakontestueshme, ajo është pa dyshim politika e jashtme. Me ratifikimin nga ana e Greqisë të MSA-së me BE-në Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt integrimit euroatlantik të vendit, gjë që përbën realizimin e një prej premtimeve më të rëndësishme elektorale të shumicës vjet më parë. Mbyllja e kapitullit të MSA-së hap rrugën drejt kandidimit për anëtar, gjë që dukej e pabesueshme të realizohej në vetëm 4 vjet qeverisje. Duhet theksuar se qeveria “Berisha” e gjeti Shqipërinë në raportet ndërkombëtare pothuaj në të njëjtën situatë që e la pas largimit me dhunë nga pushteti, në vitin 1997. Vendi apo, më mirë të themi, politika jonë e jashtme, kishte ngelur në vendnumëro gjatë dy mandateve qeverisëse të ish-komunistëve dhe aderonte vetëm në Këshillin e Evropës, anëtarësim që ishte realizuar nga PD-ja në vitin 1995, ndërkohë që PS-ja e kishte kundërshtuar këtë aderim. E përmenda këtë fakt për të bërë më të qartë kontrastin në politikën e integrimit euroatlantik dhe politikën e jashtme të dy qeverisjeve dhe dy krahëve politikë që dominojnë politikën shqiptare. Anëtarësimi në NATO dhe kandidimi për anëtar i BE-së janë dy arritje që, të shoqëruara me marrëveshjet e konventat përkatëse, përbëjnë një nivel përfaqësimi ndërkombëtar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve sa dinjitoz, aq edhe të pabesueshëm. Nuk besoj të ketë njeri me mendje normale të mos ta pranojë këtë pozitë ndërkombëtare si vepër e sukses të qeverisjes së zotit Berisha.

Mirëpo, e gjithë kjo nuk është arritur me “frymën e shenjtë”. Kjo situatë është pa dyshim fryt i një vizoni të qartë politik, i reformave dhe në mënyrë të veçantë meritë e individëve dhe stafeve që zoti Berisha ka angazhuar në një prej synimeve parësore politike të tij, integrimi euroatlantik i vendit. Sigurisht që ky sukses në politikën e jashtme është mbështetur fort nga zhvillimet e brendshme, suksesi i të cilave ka qenë kusht për arritjet ndërkombëtare të Shqipërisë. Dihen tashme parakushtet politike, ekonomike e ligjore të MSA-së, që me ratifikimin e MSA-së nga të gjithë anëtarët e BE-së presupozohen të realizuara plotësisht. Ky sukses i politikës së jashtme të Shqipërisë është një dukuri që mund ta provojë çdo qytetar i këtij vendi. Liberalizimi i lëvizjeve, sidomos për grupe të caktuara biznesmenët ,studentët, intelektualët etj është një fakt i prekshëm . Një kategori e veçantë që e ndien situatën e re në politikën e jashtme janë pa dyshim emigrantët. Pozita e tyre në raport me administratat shtetërore të vendeve ku jetojnë është përmirësuar dukshëm, në mënyrë të veçantë dhjetëra mijëra që jetojnë e punojnë në Greqi. Falë MSA-së, qeveria greke ka mundësuar pajisjen me leje qëndrimi të tyre, gjë që u ka siguruar atyre një pozitë shoqërore të barabartë me emigrantët e tjerë, gjë e pamundur të mendohej katër vjet më parë. Nuk e teprojmë në se themi se emigrantet tanë ne Greqi ishin pjesa me e diskriminuar e ekstrakomunitarëve në të gjithë BE-në.

Ndërkohë që, sipas të gjitha gjasave, heqja këtë vit e vizave me vendet e BE-së përbën ndoshta arritjen më të madhe praktike të integrimit euroatlantik të vendit. Ka edhe dhjetëra aspekte të tjera ku mund të vërehet përfitimi i qytetarëve shqiptarë nga arritjet në politikën e jashtme, por besoj se këto që përmenda, janë të mjaftueshme për të kuptuar masën e përfitimit praktik nga ky sukses i qeverisjes “Berisha”.

Një aspekt tjetër që provon suksesin e qeverisë në politikën e jashtme është pa dyshim edhe përqendrimi i sulmeve të opozitës ish-komuniste, i institucioneve shtetërore dhe mediave të varura prej saj ndaj arritjeve dhe figurave që orientojnë e drejtojnë politiken e jashtme që nga përpjekjet për t’i futur në burg e deri tek shpifjet e denigrimin publik e meditatik të tyre. Një kryqëzatë e vërtetë që kulmon pa dyshim me fushatën disavjeçare kundër ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha roli i të cilit në këtë sukses nuk mund të mohohet. Ky “agresion” politiko-mediatik i opozitës apo kundërshtarëve të tjerë të qeverisë mund të konsiderohet pa frikë si prova më e fortë se politika e jashtme është pjesë parësore e suksesit të qeverisjes “Berisha”.

Në rastin e ministrit Basha dhe suksesit të qeverisë në politiken e jashtme mund të shohim të konkretizuar proverbin e njohur: “Pema me fruta qëllohet me gurë”. Gjithsesi, nuk besoj se përpjekjet për denigrim mund ta kenë zbehur këtë pjesë të rëndësishme të arritjeve të qeverisjes “Berisha”. Përkundër tyre janë parlamentet dhe qeveritë e 27 vendeve anëtare të BE-së, që me votat dhe firmat e tyre kanë certifikuar suksesin në politikën e jashtme, që e parë në tërësi, përbën edhe vlerësimin zyrtar evropian për krejt qeverisjen “Berisha” në prag të mandatit të dytë të saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›