E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirë se vini në Shqipëri!

Ku tjetër në botë ndodh që 88 për qind e qytetarëve dëshirojnë t’i bashkohen klubit më pak të mikpritshëm të Bashkimit
Europian? Merrni për në jug të Brukselit. Po shkojmë në Shqipëri, sepse aty do të gjejmë diçka për të cilën mund të ndihemi paksa të turpëruar; vetëkënaqjen me stilin tonë të jetesës.
Shqipëria? Ekonomia e këtij vendi do të ketë rritje këtë vit, rreth 2 për qind, në kohën kur pjesa dërrmuese e botës po njeh rënie. Sistemi politik vazhdon të jetë i trazuar që pas zgjedhjeve të qershorit, që përfunduan me rezultat aq të ngushtë, sa socialistët humbës vazhdojnë të braktisin parlamentin dhe mbushën rrugët e Tiranës me protestues fundjavave.
Megjithatë, javën e kaluar, Shqipëria mori dritën e gjelbër për të negociuar anëtarësimin me BE-në. Shpërblimi përfundimtar për vite të tëra përpjekjesh mund të jetë vetëm pak vjet larg, për më tepër me një mbështetje prej 88 për qind për anëtarësim.
Kur dëgjon presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, të paraqesë vizionin e tij, e kupton se ndodhet në fund të vijës së verdhë të Brukselit. Dhe, kur kthehesh në Tiranë, disa vjet pas vizitës së fundit atje, gjen një aeroport të ri, një rrugë të re që lidh aeroportin me kryeqytetin, rrugët të mbushura me dyqane, kafene në çdo qoshe, pallate që kapin qiellin. Vetëm gropat në rrugë mbeten të njëjta. Një ndjesi energjie dhe përparimi duket se të mbërthen të gjithin në Shqipëri. Vendi i vogël e i varfër, me një histori të pazakontë staliniste, po i kthen 17 vjetët e lirisë në diçka të jashtëzakonshme. Riparimi i pjesëve të dëmtuara me pjesë të reja e të shëndetshme, por edhe mëkatet e vjetra i gjen së bashku. Parkingjet janë të mbushura me Mercedezë. Por, kjo është vetëm një pjesë e historisë së mbijetesës, mirësisë, por edhe humorit. Nëse ky do të jetë vendi i 28-të apo i 29-të i Unionit, atëherë do të ketë diçka për të festuar: Kjo lidhet me vazhdimësinë e një ideje, që ne, të zhytur thellë në padijen e tabloidëve, kemi humbur imagjinatën për ta përqafuar.
Çfarë shikojnë 88 për qind e shqiptarëve kur hedhin vështrimin përreth? Një Greqi e merakosur për ta pranuar Shqipërinë. Një mori vizitash dhe fjalimesh nga zyrtarët e lartë të diplomacisë britanike, mes të cilëve edhe David Miliband, që kërkojnë zgjerimin e BE-së. Dhe një veri, jug, lindje dhe perëndim të trazuar.
Kroacia dhe Sllovenia përjetuan një ndarje të dëmshme rreth vijës kufitare detare. Bosnja është sërish në krye të paqëndrueshmërisë në Ballkan, derisa baraspeshat burokratike po prishen. Serbia, ndonëse me një president të zotin, ende kërcënohet nga brenda nga nacionalizmi i vjetër dhe ogurzi. Kurse, Kosova është një katastrofë etnike në pritje për të ndodhur. Kemi dhe dy fëmijët që kanë zënë këmbët, Maqedoninë e Malin e Zi. Dhe, çdokush i trembet zhytjes së sërishme të rajonit në mosbesim dhe ndëshkim.
Nëse bisedon me njerëz nga të gjitha anët e Ballkanit, BE-ja është përgjigjja e parë që iu vjen në gojë. Na ndihmoni të ndihemi diçka më shumë sesa pjesë të mbetura në fund të kontinentit! Na bëni ta ndjejmë e ta kuptojmë se nëse bëjmë përparimin e kërkuar, ju do të na shpërbleni.
Dhe, kjo është arsyeja pse duhet parë përtej 1200 miljeve nga Tirana në Londër e përreth. Ju do të supozoni se nga fakti se Catherine Ashton, shefja e re e kandiduar e diplomacisë evropiane, nuk është e zgjedhur nga vota, kjo e bën diplomacinë evropiane të pakuptimtë. Por nuk është kështu. Politika e jashtme që ka vlerë për ne të gjithë, është ajo që përfshin stabilitetin afër shtëpisë sonë dhe marrëdhëniet përreth kufijve tanë.
A mund të ndalojë ky koncept në Calais? Kjo tingëllon si shaka e keqe në muajin kur Lufta e Parë Botërore filloi në Sarajevë.
Kjo është fyerje për trupat britanike që përpiqen të ruajnë paqen e brishtë në Kosovë dhe në Bosnjë. Një iluzion që bën të harrojmë mësimet e jashtëzakonshme të jetës evropiane që nga rënia e Murit të Berlinit. Është një mohim për një botë që dëshiron të jetë më afër. Një Bashkim Evropian me 34 vende, apo më shumë? Ai po vjen përmes një perdeje dyshimi apo mungese mirësjelljeje nga ana jonë. Nëse keni nevojë për një vizion që ta duartrokisni, ejani në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe gjeni pak shpresë në mes të gropave të rrugës.

(Marre nga "The Guardian")

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›