E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbesat i vjedhin dajës biznesmen 150 milionë lekë

Parukeria e blerë me paratë e vjedhura, e bllokuar dje në Tiranë

TIRANE/ Arrestohen kushërirat Oligerta Agushi e Laureta Kormaku me shoqen e tyre e një 16-vjeçar.

Blenë apartament e parukeri me paratë e biznesmenit të floririt.

Dy mbesat 18-vjeçare vjedhin 15 milionë lekë në banesën e dajës së tyre biznesmen në Tiranë. Dy vajzat, bashkë me një mikeshë të tyre, e kanë realizuar vjedhjen në tri etapa, pasi kanë zbuluar vendin se ku i mbante paratë biznesmeni i floririt, Abdyl Projko. Adoleshentet kanë futur në lojë edhe një djalë 16 vjeç, që e kishin njohur rastësisht, të cilin e kanë instruktuar për të marrë pjesë në vjedhje. Faza e parë e krimit, ku janë marrë njëherësh 5 milionë lekë, ka ndodhur në tetor të vitit 2011, ndërsa e fundit në ditën e parë të vitit të ri, kur Projko ka zbuluar vjedhjen dhe e ka denoncuar në polici. Vjedhja është kryer në vilën e biznesmenit Projko, që ndodhet në rrugën Sadik Petrela, në vendin e njohur ndryshe si Kodra e Priftit në Tiranë dhe policisë i janë dashur vetëm katër ditë për të zbuluar autorët. Hetimet e kryera nga oficerët e Komisariatit Nr. 4 kanë arritur të zbulojnë se autorët që i kanë vjedhur paratë biznesmenit të floririt janë pikërisht vajzat e motrës së tij, të cilat banonin në të njëjtën lagje me të. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se janë arrestuar me akuzat e vjedhjes në bashkëpunim dhe pastrim të produktit të veprës penale, 18-vjeçaret Oligerta Agushi dhe Laureta Kormaku, vajza tezesh e njëkohësisht mbesat e biznesmenit Projko. Policia ka arrestuar edhe mikeshën e dy adoleshenteve, Afërdita Pecmarkaj, 18 vjeç, që sipas Policisë, dyshohet të ketë marrë pjesë në vjedhje së bashku me 16-vjeçarin Gynter J., për të cilin ka nisur procedim penal në gjendje të lirë.
SKEMA E VJEDHJES
Mbesat e biznesmenit Abdyl Projko, Oligerta Agushi dhe Laureta Kormaku, banonin shumë pranë banesës së dajës së tyre te Kodra e Priftit në Tiranë dhe herë pas here bënin vizita në shtëpinë e tij. Duke qenë mjaft të lidhura me familjen e dajës, i cili kishte në pronësi një dyqan ku tregtonte bizhuteri floriri te tregu 5 Maji, kishin dijeni edhe për pasurinë, madje edhe për vendin ku ai i mbante paratë. Vajzat kishin zbuluar se daja i tyre kishte një shumë të konsiderueshme parash në një valixhe të vjetër, të cilën e mbante sipër një dollapi te dhoma e gjumit. Këto para, rreth 15 milionë lekë, Projko ka deklaruar se nuk i kishte depozituar në bankë, pasi po i bënte gati për të blerë flori në Turqi, pasi atje furnizohej herë pas here. Por vajzat janë joshur nga shuma e majme dhe bashkë me mikeshën e tyre, Afërdita Pecmarkaj, kanë thurur planin për të grabitur paratë. Fillimisht dy kushërirat 18-vjeçare kanë arritur të vjedhin 5 milionë lekë në shtëpinë e dajës në muajin tetor të vitit 2011. Kur kanë parë që ai nuk kishte diktuar asgjë nga vjedhja e parë, një muaj më pas, në nëntor, vendosën që të tërheqin nga valixhja e dajës edhe 5 milionë lekë të tjerë. Ndërsa për të realizuar goditjen përfundimtare, që të mos linin më asnjë qindarkë në valixhe, ato kanë futur në lojë mikun e tyre më të vogël, 16-vjeçarin Gynter J., i cili ka vjedhur edhe 5 milionë të tjerë që kishin mbetur. Grabitja e fundit është kryer ditën e parë të vitit të ri dhe këtë herë biznesmeni arriti të zbulojë se nuk kishte më asnjë lekë në valixhe dhe e denoncoi ngjarjen në polici.
INVESTIMI I PARAVE TE VJEDHURA
Dy kushërirat e arrestuara dhe mikesha e tyre, pasi janë pasuruar me paratë e dajës, kanë vendosur që shumën e vjedhur ta investojnë duke blerë pasuri të patundshme. Me shumën e konsiderueshme të parave ato kanë blerë një dyqan parukerie me sipërfaqe 50 metra katrorë në rrugën Hoxha Tahsim, pranë sheshit Avni Rustemi në Tiranë, si dhe një apartament 60 metra katrorë te Xhamlliku. Një pjesë të parave vajzat ia kanë dhuruar 16-vjeçarit që i ndihmoi për realizimin e fazës së tretë të vjedhjes, ndërsa policia, pas arrestimit të tyre, ka sekuestruar 2 milionë lekë.

TE ARRESTUARA
1. Oligerta Agushi,
18 vjeçe, mbesa e biznesmenit

2. Laureta Kormaku,
18 vjeçe, mbesa e biznesmenit

3. Afërdita Pecmarkaj,
18 vjeçe, parukiere, mikeshë e kushërirave

4. Gynter J., 16 vjeç,
i proceduar penalisht në gjendje të lirë

Plani për vjedhjen
Gjatë deklarimeve që kanë dhënë në polici, dy mbesat e biznesmenit, Oligerta Agushi dhe Laureta Kormaku, kanë pranuar autorësinë e ngjarjes. Ndërsa mikesha e tyre, Afërdita Pecmarkaj, e cila është arrestuar si bashkëpunëtore e tyre, nuk e ka pranuar akuzën për vjedhje. Ajo ka dëshmuar se duke qenë parukiere, ka ideuar që bashkë me dy mikeshat e saj të hapnin një parukeri, pasi mund të rezultonte biznes fitimprurës. Ajo u ka sugjeruar dy kushërirave që paratë mund tia merrnin hua dajës, meqenëse e kishin biznesmen dhe më pas tia kthenin. Por kaq ka mjaftuar për mbesat e Projkos, të cilat kanë zgjedhur rrugën më të shkurtër, duke i vjedhur paratë. Ndërsa vajza tjetër e arrestuar pretendon se ato nuk i kanë thënë që paratë ishin të vjedhura, por ia kishin marrë borxh dajës.

Konfiskimi i pasurive
Me shumën e majme të parave që i kanë vjedhur dajës së tyre, vajzat 18-vjeçare Oligerta Agushi dhe Laureta Kormaku kishin blerë një dyqan parukerie në rrugën Hoxha Tahsim, ku kishin punësuar mikeshën e tyre, Afërdita Pecmarkaj, meqenëse ishte parukiere. Gjithashtu kishin blerë edhe një apartament 60 metra katrorë në afërsi të Xhamllikut në Tiranë. Një pjesë të madhe të parave të vjedhura e kanë shpenzuar për të blerë pajisje për parukerinë, e cila kishte nisur punën prej dy muajsh. Sipas burimeve, dyqani dhe apartamenti janë bllokuar dhe pritet konfiskimi i tyre, pasi vajzat kanë konsumuar edhe veprën pastrim i produktit të veprës penale. Megjithatë, vendimi për konfiskimin e tyre do të merret pasi të verifikohet plotësisht pronësia e tyre dhe të sekuestrohet dokumentacioni i shitblerjes.

Pas denoncimit nga biznesmeni i floririt
Policia e zbuloi vjedhjen nga përgjimi i bisedave të vajzave
TIRANE – Hetimi i oficerëve të policisë së Komisariatit Nr. 4 për vjedhjen e banesës së biznesmenit të floririt ka nisur më datë 1 janar të këtij viti, kur është kryer vjedhja e fundit dhe Abdyl Projko ka denoncuar ngjarjen. Duke dyshuar se e gjithë shuma e parave ishte grabitur brenda një nate, dyshimet e vetme të Projkos kanë qenë për ndonjë hajdut që ka shfrytëzuar lëvizjet e familjes natën e vitit të ri dhe i ka bastisur shtëpinë. Por në asnjë moment ai nuk ka përmendur emra të veçantë në lidhje me ngjarjen, aq më pak të mbesave të tij. Por, nisur nga mekanizmi se si ka ndodhur ngjarja, policia ngriti menjëherë dyshimet e para se ngjarja ishte kryer nga persona të brendshëm që kishin hyrje-dalje në familjen e Projkos. Sipas burimeve, dera e katit të dytë ku ndodhej valixhja me para është hapur me çelës, që më vonë rezultoi të ishte kopjuar nga mbesat e biznesmenit. Gjithashtu rezultoi që banesa nuk ishte vjedhur me thyerje dhe autorët ishin kujdesur të mos linin asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes. Por, nisur edhe nga fakti që vetëm njerëzit e afërt të biznesmenit kishin dijeni për shumën e parave dhe vendin ku ato ndodheshin, policia dyshoi pikërisht për të afërmit e tij. Duke interceptuar bisedat telefonike të të afërmve të biznesmenit, grupi hetimor arriti të zbulojë autorët e ngjarjes, që ishin pikërisht dy mbesat e tij dhe mikesha e tyr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›