Vojisllavi humbet 7-15
Thyen hundet rezoluta radikale e forcave qe mbeshtetin linjen anti-europiane dhe nacionaliste ne Serbi
Qeveria e Serbisë ka dhënë mendim negativ për “Projektrezolutën mbi mbrojtjen e tërësisë tokësore të Serbisë në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare, në veçanti me Bashkimin Evropian”, të propozuar nga Partia Radikale Serbe (SRS). Ndërkohë, presidenti Tadiç ka thënë se do ta nënshkruante menjëherë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në po t’i ofrohej. Ashtu sikurse edhe është pritur, kundër rezolutës kanë votuar 15 ministra nga radhët e Partisë Demokratike të presidentit Tadiç dhe të Partisë “G17 plus”, ndërsa mendim pozitiv kanë dhënë 7 ministra nga koalicioni i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), të kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe Partisë “Nova Srbija”. Arsyetimin e mendimit negativ të kësaj rezolute e ka dhënë Ministria e Jashtme e Serbisë, ndërsa atë pozitiv e ashtuquajtura Ministri për Kosovën. Këtë rezolutë të radikalëve serbë, në mbledhjen e djeshme të Kuvendit e kanë mbështetur koalicioni i partive në pushtet të drejtuara nga kryeministri Koshtunica, si dhe Partia Socialiste, me çka u formua shumica e re parlamentare. Kundër ishin Partia e presidentit Tadiç, “G 17 plus”, Partia Liberal Demokratike (LDP), Socialdemokratët e Vojvodinës dhe partitë e pakicave, të cilat këtë dokument e quajtën antievropian dhe të dëmshëm për interesat e qytetarëve të Serbisë. Mirëpo, edhe pse se rezoluta u radhit si pikë e parë e rendit të ditës, debati megjithatë nuk u hap, sepse kryetari i Kuvendit, Oliver Duliç, tha se për këtë çështje nuk mund të debatohet pa mendimin e qeverisë. Me këtë arsyetim ai e ndërpreu mbledhjen dhe e evitoi miratimin e këtij dokumenti. Me këtë rezolutë prej gjashtë pikash i bëhet thirrje Bashkimit Evropian, që ta konfirmojë sa më qartë tërësinë tokësore të Serbisë, si kusht për vazhdimin e negociatave mbi stabilizim-asociimin me BE; dënohet vendimi i BE-së për dërgimin e misionit “EULEKS” në Kosovë dhe propozohet tërheqja e këtij vendimit dhe gjithashtu, u bëhet thirrje shteteve anëtare të BE-së, të cilët e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta anulojnë këtë vendim. Ndërkohë, presidenti Boris Tadiç tha se do ta nënshkruante menjëherë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në, sikur kjo do t’i ofrohej sot Serbisë. “Për këtë kam të drejtë. Një kontratë e tillë do t’i mbronte interesat e Serbisë dhe identitetin tonë në Evropë, sigurinë dhe integritetin e vendit”, - u tha Tadiç gazetarëve në Beograd. Presidenti serb ka vlerësuar se, nëse nuk “shkojmë drejt BE-së gjatë viteve që po vijnë, me siguri do të privohemi edhe nga integriteti ynë. Sepse “Serbia, si anëtare e BE-së, ka mundësi të evitojë që shtetet tjera të bëhen anëtare, pra mund ta pengojë që Kosova të bëhet anëtare”. Tadiç shtoi se gjatë viteve 90 Serbia ka pasur “politikën e yryshit dhe të rënies në kurthe”, ndaj shtoi se “pasojat e saj po i durojmë edhe sot”. “Pikërisht për shkak të kësaj politike të shkatërrimit, bashkëkombësit tanë sot nuk po jetojnë atje ku kanë jetuar me shekuj. Vetëm me politikën e patriotizmit real e jo të rrejshëm, ne i mbrojmë interesat tona”, - tha Tadiç.Fahri Musliu, RTK