Disa pyetje mbi vdekjen e dëshmitarit kyç të Gërdecit
Kosta Trebicka gjendet i vdekur një ditë pasi Senati Amerikan kërkon të vërtetën mbi Gërdecin shqiptar. Një ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme në televizion, përmendi emra dhe rrethana mbi trafikun e armëve. A nuk është një rastësi si tepër e habitshme?
I habitshëm është edhe fakti që një filmim ekskluziv u shfaq menjëherë në një televizion proqeveritar. Madje pamjet e transmetuara ishin makabre. Ishte ky një mesazh për “të tjerët”? Për ata që duhet të mbajnë gojën mbyllur? Njësoj si mesazhi që Kryeministri dha duke pozuar para kamerave në Dajt me djalin e tij të akuzuar? Pse pikërisht me djalin? Kujt i flet me ato pamje z.Berisha? Policisë, Prokurorisë?
Fjalën e fundit le ta thotë prokuroria. Por si ish-hetues ushtarak dy-tre gjëra edhe mund t’i komentojnë. E para, vendndodhja dhe pozicioni i trupit të viktimës nuk të bëjnë të mendosh për një aksident. Çfarë kërkonte vetëm fillikat për gjah, dëshmitari kryesor i një çështje me rëndësi jetike, i një hetimi ndërkombëtar?
Përse kamera “ekskluzive” fiksonte vazhdimisht çiften pranë trupit të viktimës? Si është e mundur që kjo arma e gjahut gjendej pranë trupit, ndërkohë që makina ishte 30 m larg? Për të dhënë me patjetër idenë që i ndjeri ishte për gjah?
Shtrirja lineare e rrugës nuk jep mundësi për një aksident të tillë, sepse mungojnë objektet që mund të sjellin një aksident të këtij niveli (shikoni shtypjen e makinës në pjesën e sipërme).
Pse PD është e vetmja parti që nuk komentoi ngjarjen? Nëse z.Berisha do ishte në opozitë, me këtë ngjarje ai dhe militantët do kishin pushtuar Kuvendin, Kryeministrinë, Parlamentin dhe TVSH. Këtë e dimë të gjithë ne që kemi jetuar 14 shtatorin në Tiranë.
Prokuroria dhe Ambasada Amerikane, urgjentisht duhet të zbardhin këtë ngjarje makabre. Prokuroria, sepse z.Trebicka ishte dëshmitar kyç në një ngjarje të madhe si ajo e Gërdecit. Ambasada, sepse i ndjeri, ishte shtetas amerikan.