Vdekja e Kosta Trebickës, një kambanë që bie për të gjithë
Më duket e saktë kjo analizë e bërë dje në sajtet që pasqyronin vdekjen e Trebickës: “Rreziku që prodhon vdekja e dëshmitarit Trebicka ka të bëjë me frikën tonë se një grupim mafioz ka mundur ta përdorë pushtetin deri në atë masë, sa është bërë pushtet më vete dhe nuk është më i interesuar për fasadën politike të shumicës, por për interesat e veta. Nëse Kosta Trebicka është vrarë, atëherë shenjat e frikës janë shumë herë më të mëdha sesa mendohet. Vdekja e tij do të provonte se klani mafioz nuk lejon askënd të dalë jashtë kontrollit, dhe kjo është një kambanë që bie për të gjithë, por sidomos për qeverinë.
Nga ana tjetër, mitizimi i kësaj historie, nëse ajo është vërtet aksident dhe ne e shikojmë siç jemi të prirur ta shikojmë, pra si atentat, do të bëjë që të fuqizojmë pa e merituar një grup burracakësh mafiozë dhe do të mbjellim frikë dhe terror në shoqëri, do të bëjmë që shumë dëshmitarë të tërhiqen nga dëshmitë dhe media të bëhet gjithnjë e më e dëgjueshme ndaj versionit zyrtar.
Ndaj është urgjente që ngjarja të hetohet në detaje, me shpejtësinë dhe seriozitetin që ka pesha e rëndë e historisë së trafikut shtetëror në Gërdec. Shqipëria e ka tepër një paranojë të re për vrasje politiko-mafioze. Shoqëria jonë tashmë ka nevojë për kurajë dhe burrëri për ta përballuar mafien, edhe nëse ajo ka mbërritur në këtë stad”.