E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirëmbajtja e banesave, tashmë nga një administrator

Qytetarët të kujdesen për banesat, ku jetojn렠   
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje projektligjin "Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit", që synon rregullimin e marrëdhënieve juridike në fushën e administrimit të objekteve të përbashkëta, të ndërtesave të banimit, truallit etj, që janë në bashkëpronësi të detyrueshme. Projektligji, i cili ishte debatuar edhe në mbledhjet e kaluara të këtij komisioni u miratua me disa ndryshime të paraqitura nga anëtarët e komisionit. Tashmë, banesat e pallateve do të mirëmbahen nga një administrator. Pronarët e banesave apo qiramarrësit e tyre do të paguajnë një tarifë mujore për mirëmbajtjen e ambientit, ku ata jetojnë. Ky projektligj që është sipas standardeve evropiane, synon rregullimin e marrëdhënieve juridike në fushën e administrimit të objekteve të përbashkëta, të ndërtesave të banimit, truallit etj, që janë në bashkëpronësi të detyrueshme. Gjithashtu, projektligji përcakton subjektet, marrëdhëniet mes tyre dhe me të tretët, të drejtat dhe detyrimet reciproke, por dhe sanksionet. Përcaktohet detyrimi ligjor që kanë banorët e një ndërtese banimi për të kontribuar në kostot për administrimin dhe mirëmbajtjen e saj. Në projektligj përcaktohet detyrimi për regjistrimin ligjor jo vetëm të pronës, por edhe të aktit të bashkëpronësisë, i cili për herë të parë hyn si një koncept i ri. Projekti përfshin ngritjen e asamblesë së bashkëpronarëve, format e administrimit të bashkëpronësisë, ku futen disa koncepte të reja. Në mbledhjet e kaluara të Komisionit të Ligjeve ka pasur kontestime për miratimin e këtij drafti. Relatori i këtij projektligji, deputeti i PS-së, Besnik Dervishi ka vërejtur se projektligji nuk merr parasysh disa marrëdhënie rregullatore të rëndësishme ndërmjet palëve, si mes njësive të qeverisjes vendore, të bashkëpronarëve, personave fizikë e juridikë administratorë të këtyre objekteve etj. Ndërsa, nga ana tjetër Drejtoresha e Politikave dhe Strehimit në Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Doris Andoni, në përgjigje të vërejtjeve të relatorit Dervishi ka shpjeguar se projektligji nuk merr përsipër të rregullojë marrëdhëniet juridike të pronësisë, të cilat rregullohen nëpërmjet kontratave të shitblerjes dhe studimeve, që miratohen nga organet e qeverisjes vendore. Drejtoresha Andoni sqaroi se nëse një objekti i është dhënë leja për ndërtim me një koeficient të caktuar shfrytëzimi, atëherë studimi duhet të përcaktojë dhe se çfarë ndodh me territorin përreth; nëse ai do të jetë pjesë e pronës publike apo i mbetet territor shfrytëzimi bashkëpronësisë. Në rast se është kjo e fundit atëherë, ka thënë Andoni, kjo rregullohet sipas një ligji, nëse mbetet pronë publike atëherë është bashkia që ka kompetencat të plota për ta administruar territorin. Ky projektligj, me rreth 45 nene, përmban një sërë risish që lidhen me detyrimet ligjore reciproke që kanë banorët e një ndërtese banimi për të kontribuar në kostot për administrimin dhe mirëmbajtjen e saj. Në draft përcaktohet detyrimi për regjistrimin ligjor, jo vetëm të pronës, por edhe të aktit të bashkëpronësisë, i cili për herë të parë hyn si një koncept i ri. Projekti përfshin ngritjen e asamblesë së bashkëpronarëve, format e administrimit të bashkëpronësisë, etj. Hartimi i tij i është nënshtruar një procesi të gjatë konsultimesh me grupet e interesit, asistencës teknike të ofruar nga IFC, si dhe është mbështetur në legjislacionin e disa vendeve të tjera, si SHBA, Britani e Madhe, etj .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›