E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnje, Meta: LSI garanton daljen nga krizë të bujqësisë

Lideri i LSI, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me qindra banorë të komunës Krutje në Lushnjë. Në këtë takim, Meta shoqërohej nga Nënkryetari i LSI, deputeti Dritan Prifti, nga deputeti Spartak Braho dhe nga Anëtari i Kryesisë së LSI, Tokli Thomai. Duke folur për krizën e rëndë në të cilën ndodhet bujqësia aktualisht në Shqipëri, Meta theksoi se bujqësia është kryetema e gjithë programit dhe planit të LSI, për qeverisjen e ardhshme. Në qoftë se bujqësia nuk del nga kjo krizë, Shqipëria nuk del nga kriza ekonomike, sepse janë 600 milion euro që vijnë nga paratë që sjellin emigrantët tanë në Shqipëri, që shkojnë përsëri jashtë për të blerë ushqime, tha Meta. Ai theksoi se bujqësia do të dalë nga kjo krizë e rëndë në të cilën ndodhet, vetëm duke zbatuar planin e LSI. Sipas tij, ky program është për të forcuar rolin e shtetit dhe qeverisë, i cili fillon që nga garancitë për sigurinë e farërave, dhe imputeve të tjera që shpesh skadojnë dhe marrin në qafë fermerë të tërë në të gjithë vendin dhe deri tek subvencionimi për farërat, për plehun kimik, për punimin e tokës, për mekanizmat bujqësore e  deri tek subvencionimi i të gjithë prodhimit në mënyrë që ata që prodhojnë më shumë, të subvencionohet dhe të mbështeten më shumë nga shteti e deri tek siguria për grumbullimin e prodhimeve të tyre, apo tek ndërtimi i një industrie të tërë agropërpunuese në të gjithë vendin. Kreu i LSI theksoi se LSI ka edhe disa programe të tjera për punësimin e shqiptarëve, siç është punësimi jetik për të garantuar që për çdo familje që nuk ka të ardhura për të përballuar minimumin jetik, ti sigurojmë një vend pune. Meta deklaroi se në investimet publike pranë komunitetit, punësimi do të jetë kryefjala e politikës fiskale dhe ekonomike të LSI. Ai nënvizoi se për çdo biznes të ri që do krijohet, të mospaguhet tatim fitimi për disa vjet në rast se punëson pesë punëtorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›