Taksa e pasurisë së paluajtshme, ministri Demo: Nis implementimin në 2026, rrit transparencën dhe cilësinë e shërbimeve

Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi reformën e re të taksës dhe pasurisë së paluajtshme në Shqipëri, një nismë që synon krijimin e një sistemi modern të taksës së pronës, të bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme. Ai tha se reforma do të implementohet në vitin 2026, synon të forcojë kapacitetin e bashkive për mbledhjen e taksave dhe të përmirësojë shërbimet lokale për qytetarët.
“Ky ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë dhe ka rëndësi për bashkitë në vend. Kjo reformë do të implementohet në vitin 2026 për pushtetin vendor, lidhur me taksën e pasurisë. Është një proces i ndërlikuar për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe për t’i ofruar bashkive mundësinë për të rritur potencialin për të grumbulluar taksën vendore mbi pasuritë. Nëse i referohemi buxhetit të vitit 2026, hyrja në fuqi e kësaj reforme parashikon një rritje të konsiderueshme të të ardhurave lokale bazuar në taksën e pronësisë. Kjo taksë do të administrohet nga bashkitë për të përmirësuar shërbimet lokale dhe për të krijuar një sistem transparent, të barabartë për të gjithë dhe uniform në territor, pavarësisht madhësisë së bashkive, ku të gjithë qytetarët trajtohen dhe kontribuojnë njëlloj”, tha ministri Demo.
Ai shtoi se reforma, e shoqëruar me digjitalizimin e shërbimeve vendore dhe hartën territoriale, do të krijojë një sistem të qëndrueshëm dhe do të forcojë shërbimet ndaj qytetarëve.
“Një nga sfidat kryesore të pushtetit vendor është financimi, dhe qeveria ka në fokus adresimin e kapaciteteve financiare për bashkitë. Taksa e pronësisë, reforma territoriale dhe sistemi i digjitalizimit të shërbimeve vendore do të ndodhin në vitin 2026 dhe kjo do të rezultojë në një hartë territoriale të qëndrueshme dhe do të forcojë shërbimet për qytetarët”, tha ai.
/rtsh.al/