E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirënjohja dhe profecia e Presidentit Clinton



Nga Orhan Sakiqi

Dhjetë vjet më parë në lirimin e Kosovës Presidenti Clinton i drejtohej popullit shqiptar: “Dëshiroj që në emër të gjithë popullit amerikan, t’i shpreh popullit shqiptar mirënjohjen tonë për qëndrimin e guximshëm që keni mbajtur për paqen, tolerancën dhe lirinë në Evropën Juglindore. Dëshiroj gjithashtu të garantoj mbështetjen time për përpjekjet tuaja për ndërtimin e një demokracie të fortë dhe të begatë. Këtë pranverë, kur z. Millosheviç filloi fushatën e tij gjakatare të spastrimit etnik në Kosovë, asnjë vend tjetër nuk mbajti peshë më të madhe sesa Shqipëria... Më e rëndësishme është që ju hapët shtëpitë dhe zemrat tuaja për më shumë se 300,000 viktima të spastrimit etnik... Historia do të regjistrojë se një prej akteve më të mëdha të barbarisë që ka parë Evropa këtë shekull, u mund prej akteve të saj më të mëdha të zemërgjerësisë...

Megjithatë, do të këtë gjithashtu një shans për të thelluar partneritetin tuaj më NATO-n dhe integrimin tuaj në Evropë, bashkë me begatinë që do të sjellin këto në të ardhmen.

Gjatë muajve të fundit admirimi i botës për Shqipërinë është rritur pa masë...”

Sot parashikimi i Presidentit Clinton është në rrugë të mbarë. Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në NATO, ka nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunim-Asocimit me BE-në dhe dje Kryeministri Berisha paraqiti kërkesën për hyrjen në BE me statusin e kandidatit. Nuk do të jetë e largët dita kur shqiptarët do të lëvizin pa viza në Evropë. Për të arritur deri këtu, është dashur mjaft djersë e mund. Në Evropë nuk të pranojnë vetëm për zemërgjerësinë, por edhe për një sërë kriteresh e konditash, të cilat janë plotësuar dhe do të plotësohen deri në anëtarësimin e plotë në BE.

Por sidoqoftë, ai akt fisnik i vitit 1999 mbetet unik në historinë e Evropës. Ai zhduku mitin e "egërsisë së shqiptarëve", duke e vënë atë në radhë të qytetërimit evropian. Këtë e kam ndier personalisht në shumë ngjarje. Njëra prej tyre: Në shtator të vitit 1999, në krye të Këshillit Bashkiak të Tiranës, vizituam Marsejën, qytet i cili kishte kontribuar me ndihma për Spitalin Ushtarak të Tiranës, si edhe në ndihma të tjera materiale në pikat e grumbullimit, si pishinat në Kodrat e Liqenit, uzina “Dinamo” etj. Nuk do ta harroj shprehjen e Michel Vauzelle, president i Këshillit Regjional: “Kam mbetur i habitur për pritjen bujare që u bëtë kosovarëve duke u hapur shtëpitë. Sinqerisht, po të kishte ndodhur këtu, nuk kam dyshim për ndihmën e shtetit, por hapja e shtëpisë personale, deri tek lirimi i shtratit tënd, jam në dyshim a do ta bënin të gjithë francezët”.

Kështu tha z. Vauzelle e kështu kanë rrjedhur ngjarjet deri tek Presidenti Sarkozy në pritjen e fundit të z. Berisha e deri në firmat e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Sot shprehja "Oh sa mirë me qenë shqiptar" tingëllon më e fortë, më e ngrohtë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Shqipëria po i afrohet ëndrrës së hershme të rilindasve, hyrjes në Evropë të cilës i përket.

“Pozita e një vendi në botë, - thotë Presidenti Clinton, - nuk matet me fuqinë apo me madhësinë e tij, por edhe me parimet që mbështet dhe përgjegjësitë që është gati të marrë mbi vete”. Dhe këto parime e përgjegjësi tani Shqipëria po i plotëson.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›