E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Një vit i brishtë” në një rrëfim të trishtë



Nga Isuf Neli

“Një vit i brishtë” është romani më i ri i shkrimtarit Halit Shamata, botuar pak javë më parë nga shtëpia botuese “OMBRA GVG”. Pyetja për vendin që zë ky roman në krijimtarinë e autorit, në letërsinë shqipe dhe romanin modern shqiptar në veçanti, e merr përgjigjen jo në leximin e parë të veprës. Një dendësi ngjarjesh, një mori episodesh, një strukturë shumëplanëshe, pikëvështrime të veçanta për çdo situatë e rrethanë, një indiferentizëm i akullt, artistik, profesional dhe me masë në përshkrimin e secilës prej tyre, ta jep përgjigjen për veprën më të mirë të autorit, për nivelin elitar në prozë dhe prurje të spikatur në kontributet elitare të letrave shqipe në tërësi.

Filozofia krijuese e autorit, po të më japë të drejtë Platoni t’i ndryshoj vetëm një fjalë, duket sikur i bindet proverbit: “Më lini në dorë shpirtin më të rënduar dhe unë jam në gjendje që, nëpërmjet rrëfimit, ta lehtësoj këtë shpirt nga rëndesa e nga errësira dhe t’jua kthej juve në një njeri të zgjuar e të guximshëm”. Adnani, personazhi më i shfaqur në roman, duket se është rrjedhojë e kësaj filozofie, ndërsa pasqyra, si objekt i kthyer në metaforë, e përzgjedhur me mençuri nga shkrimtari, sjell në vepër shëmbëllime e shëmbëlltyra detajesh, situatash e rrethanash si shumëfish i viteve të brishta.

Brenda kësaj filozofie, komponentët e krijimit të strukturës së romanit dhe komunikimit artistik me ne, lexuesit, kanë hapësirën dhe kohën e shfaqjes, të kumtimit, të transmetimit të mesazhit, aq sa autori i vendos në fokus të pasqyrimit nëpërmjet “pasqyrës” apo shembëllimeve në tërësi, që përbëjnë një mozaik portretesh, ngjarjesh, situatash, ndodhish, mozaikun e historisë nëpër të cilën ka kaluar jeta shqiptare.

Prej së këtejmi, stili i të rrëfyerit lëviz paralel me dukurinë e të shfaqurit të personazheve, objekteve, situatave, mjediseve inter-ex që, në pamjen më të parë, të duket sikur imponohen të përfshihen në rrezen e fokusimit të të rrëfyerit letrar. Në fakt, ndodh krejt e kundërta. Autori e drejton “pasqyrën”, atje ku “gjuan” dhe kap lëndë njerëzore të bollshme për një “gatim” artistik. Kaq shumë material përpunohet artistikisht, sa na jep të drejtën të pohojmë se shkrimtari H. Shamata i vendos lexuesit e librit si në një supermarket a galeri multiartistike ku secili zgjedh a blen sipas dëshirës: dikush personazhin, dikush situatën, dikush ndodhinë, dikush-dikush jehonën e tyre. Në këtë mënyrë laboratori i përpunimit artistik të veçantësive apo kompleksiteteve parathënëse është kthyer gati-gati në një studio që diagnostikon, por nuk rekomandon, që përshfaq nëpërmjet përzhbirimeve psikoanalitike heronj dhe fenomene, por nuk dikton. Në një enigmë të tillë dilematike, tregu i përshkrimeve e rrëfimeve koncize shfaqet si simbolikë e veprës. Brishtësia e vitit “gozhdohet” nga përthyerjet strukturore të romanit, që mund t’i numërosh 15 kapituj apo në mbivendosje të tjera planore, sipas rendit që zgjedh lexuesi, mund të jenë shumëfishi i tyre.

Brenda filozofisë së kërkimit dhe vizatimit artistik të jetës janë botë shpirtërore të panumërta. Mospërputhjet kohore të qëndrimeve që mbajnë individualitetet e nominuara apo anonime, arsyetimet dhe gjykimet me diferenca për momentet kohore të paraqitura, pozicionimi individual i të përshkruarve dhe interpretimi i veçantë, edhe pse për të njëjtën situatë, e ka bërë autorin, në dukje të parë, krejt indiferent ndaj rrjedhave që vijnë e ikin. Këtë dukuri, të re për mënyrën e të shkruarit të letërsisë së deritanishme, do ta çmoja si prirje të shkrimtarëve që nuk numërojnë sasinë e veprave të shkruara prej tyre. Parë nga ky kënd, romani “Një vit i brishtë” vjen si dëshmi që poeti, përkthyesi dhe prozatori Halit Shamata në rrugën e zgjedhur si krijues, përmes artit, pa nxitim kërkon që të mbetet protagonist në kërkimin drejt cilësisë së produktit letrar që përcjell te ne.

Duke u përpjekur të vendosem në filozofinë e të shkruarit artistik të romanit “Një vit i brishtë”, si lexues ndiej se kontaktoj me një galeri personazhesh. Boshti lidhës dhe ndarës i tyre, Adnani, ka qenë vëmendja kryesore e autorit. Ky personazh mbart aq shumë veçantësi, sa të duket i afërt dhe i largët, i pranishëm dhe i munguar, tokësor dhe etern, realist dhe aventurier, i sipërfaqshëm deri në shkujdesje dhe i thellë deri në gjykime sentenciale e filozofike. Bota e gjykimeve dhe vlerësimeve që transmetohen përmes tij lëviz me një shpejtësi që dikton dhe diktohet nga rrethanat e përshkruara. Sa herë shfaqet, me fjalën dhe qëndrimin vetjak, mua si lexues më bën ta besoj, por dhe ta shoh me dyshim. Kjo, për mendimin tim, është një vlerë e dallueshme e romanit që jetën shpirtërore të personazhit e shndërron në prani artistike herë reale dhe herë të shumta, irreale. Madje, kufiri artistik i këtyre përshkrimeve në përthyerjet e shpeshta shihet si dimension kohor, rrafshet e prerjes kanë si cak ndarjeje vitin ’90, por edhe pas vitet e tjera. Prozatori nuk merr përsipër ta shterojë temën deri në atë pikë sa lexuesit të mos i mbetet asgjë në pjesë dhe rol. Shamata nuk është puna se e bën lexuesin të lexojë, por që të mendojë.

Në këtë lloj zgjidhjeje artistike personazhi dhe kufiri kohor i përngjasojnë një treni elektrik, kur shpejtësia e lëvizjes dhe ngjitje-zbritjet e pasagjerëve përputhen me destinacionin e shkrimtarit. Vorbulla kohore dhe aktorët artistikë, në vështrimin tim, krijojnë imazhe të tilla për shumë e shumë vite të brishta që kemi përcjellë dhe që do të vijnë. Parë nga ky plan, në roman gjenden skena, situata, meditime për shumë dekada paskohësie. Kjo shprishje kohezioni shkul kufijtë tradicionalë të transmetimit të moralit të shoqërisë nëpërmjet grishjes për të ruajtur ngastrat individuale apo për t’i bashkuar në raporte më të mëdha shoqërore, atje ku pronari dhe pronësia përballen dhe pranojnë mendësi preferenciale. E kompozuar si ëndërrim, që i rrit fuqinë abstraguese mendjes njerëzore apo si guxim për ta bërë të prekshëm e të realizueshëm ëndrrën, shkrimtari Halit Shamata vendos të provojë një stil të shkruari brenda natyrës qëmtuese dhe përvojës së tij shkrimore, që përbën një risi për prozën shqipe në tërësi.

Prirja për poetizimin e natyrshëm dhe organik të prozës duket se është element vetjak. Brenda rrafshit poetik të provuar, tërë subjekti i romanit mund të krahasohet me autorë modernë që kanë në themel plane të shumta lëvizëse, ku ëndrra dhe zhgjëndrra, liria dhe robëria, dëshira dhe pamundësia, dashuria dhe hipokrizia, jeta dhe vdekja rrjedhin lirshëm brenda natyrës së personazheve, por në asnjë moment jashtë vëmendjes së tij qëmtuese, kontrolluese, por jo diktuese. Në këtë peizazh autori nuk vizaton vetëm njerëz, por edhe realitete historike që përkojnë me përmbysje shoqërore, që duket se nuk kanë as fillim, as mbarim, krijon një kohë në ngjizje. Autori, si zot i mirë shtëpie, e ka menaxhuar plot dinjitet odën, kuvendin, dialogun, ka treguar se ka durimin t’u japë fjalën personazheve, por të mos u bëjë komentin. Tamam sipas një tradite të hershme shqiptare, ku të respektuarit nuk janë vetëm të ftuarit. Përkundrazi, të paftuarit as nga Adnani, as nga Alfida, Petriti, Marseli e shumë e shumë të tjerë, por në nevojë të autorit bashkë me fizionominë e tyre të veçantë vishen edhe me një “gëzof” gjuhësor, që ngroh personazhet me lexuesin. Mozaiku i situatave të përshkruara të bën të ndihesh në roman jo si një mik që e ka zënë nata jashtë, por si një udhëtues që kërkon të anulojë fluturimin, si njërin prej tyre që frymëmerrr në gjallim.

Këto gjendje, përshkruar me një stil lakonik të shkruari, ku të zotit të shtëpisë i sheh vetëm emrin e gdhendur në konakun e tij, e thërret, të hapet porta, të pret me bujari, por nuk e takon kurrë, janë tërheqëse për cilindo lexues. Për ata që e kanë pasur mundësinë ta lexojnë romanin, po të përdor të njëjtën simbolikë me atë të autorit, do të thosha se tërë përmbajtja e romanit “Një vit i brishtë” u ngjan gurëve të një lumi që kalohet pa u zbathur, por që duhet kaluar si pjesë e një rruge të tëre natyrale.

I vështruar nga pikëpamja e vlerave që sjell në tregun letrar të këtyre viteve, mund të thoshim pa hezitim se është në radhën e botimeve cilësore që përcillet te lexuesi. Në ndihmë të këtij konkluzioni na çon fakti se redaktori dhe autori i parathënies së romanit, studiuesi i njohur Behar Gjoka, me gjykimin që bën në përcjelljen e kësaj vepre, nuk e fsheh faktin për një roman dinjitoz të një shkrimtari që përmbajtjen e veprës artistike ka ditur ta transmetojë artistikisht te kategori të gjera lexuesish. Nga ana tjetër, për ne që e kemi ndjekur procesin letrar të pasviteve ’90, na ngjan sikur autori ka ditur të prezantojë copëza realitetesh me përshkrime të shkurtra e të veçanta, aq sa autorëve të tjerë u janë dashur romane apo vëllime me tregime që nuk kanë kumtuar më shumë artistikisht. Në këtë mënyrë, shkrimtari Halit Shamata sjell një roman që shpresoj se meriton të ketë një vend të veçantë në tregun letrar dhe të shtojë para lexuesit dëshirën për veprën tjetër të autorit, gjithnjë me shpresën se botimet cilësore të këtij autori janë në shtratin e kërkuar të pasurimit të letërsisë sonë kombëtare me vepra dinjitoze.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›