E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 28 Qershorit, nga sheqeri i Fatmir Mediut tek iriqët e Edi Ramës

Nga Bejdo MALO
Partia Republikane do të befasojë votuesit shqiptarë me risinë e re që do të sjellë në fushatën elektorale. Lideri i saj, Fatmir Mediu, me përvojë të gjatë në fushatat elektorale do të shkojë tek 2,5 milionë votuesit shqiptarë me një orgjinalitet interesant. Ai ka porositur në një firmë shqiptare  bustina sheqeri kafeje me logon e Partisë Republikane dhe me fytyrën e lidershipit të saj. E thënë ndryshe, të gjithë votuesve shqiptarë që do tu krijohet mundësia për të pirë një kafe deri më datën 28 qershor 2009, do ta ëmbëlsojnë atë me sheqerin republikan. Kjo risi e re duket se u dha fund çakmakëve mbajtësve të çelësave, bluzave, biçikletave, me mbishkrimin, Votoni, për Bashkim Finon, Votoni, për Anastas Angjalin, Votoni për Elmas Sherifin e të tjera e të tjera. E ashtuquajtura propagandë elektorale në zgjedhjet që do të vijnë, do të jetë krejt ndryshe. Më e kujdesshme dhe më serioze në këtë aspekt po tregohet PD, e cila mesa duket ka vendosur që të paraqitet me imazhin e tablosë së madhe të rrugëve. Këtë e kemi parë jo vetëm kudo ku shkon zoti Sali Berisha, por dhe atje ku shkojnë liderët e saj të konfirmuar të kësaj fushate Astrit Patozi, Ridvan Bode, Lulëzim Basha, Gazmend Oketa dhe Genc Ruli. Me në krye Sali Berishën, këta do të jenë dhe gjashtë gurët e dominosë që po luftojnë ti lënë përsëri në dorë dopio gjashtën pronarit të iriqëve, lidershipit të majtë Edi Rama. Imazhi i Edi Ramës në këtë fushatë është përvijuar mjaft qartë. Ka pak amerikanizëm brenda por më shumë ka politikë absatrakte. Themi që ka pak amerikanizëm së Edi Rama ka kopjuar iriqët që mbanin në dorë tribunalët e presidentit amerikan Barak Obama, por ndryshojnë katërcipërisht në ngjyrë. Tek Edi Rama mbizotërojnë ngjyrat rurale. Edi Rama duket se hoqi dorë nga bluzat që vishnin turma të rinjsh me emrin e tij të shkruar në shpinë. Hoqi dorë nga shallet dhe të tjera ornamente që shpërndaheshin si mbajtëse çelësash, e ku di unë tjetër. Pa filluar mirë fushata zyrtare, një kundërmasë u mor nga Ministri i Transporteve, zoti Sokol Olldashi. U dha paralajmërimi se: Rrugët kanë zot. Janë të taksapaguesve shqiptarë. Por kundërmasa e zotit Sokol Olldashi, që viktimën më të madhe kishte zotin Spartak Ngjela, të cilit ja këputi në mes pllakadën e tij gjigante nuk mund të prekë dot rrugët brenda qyteteve të mëdha. Dje është konfirmuar një shifër shumë tronditëse në Tiranë. Nga rreth 1000 Bill-Border në rrugët e Tiranës, vetëm çereku i tyre janë më leje. Të tjerët janë plotësisht klandestinë. Dy standardet e Edi Ramës janë më të çuditshmit. Nga njëra anë ky njeri vendos rrota të kuqe për makinat që parkojnë afër trotuareve dhe pronarët hallexhinj të makinave paguajnë nga 3000 lekë gjobë, dhe nga ana tjetër trotuaret i kanë pushtuar  Bill-Border-at klandestinë dhe ai pi kafe për shtatë palë qejfe me zotin Koço Kokëdhima botuesin e frikshëm të gazetës më të madhe në vend përballë vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, në krah të adoleshentëve që braktisin orët e mësimit nga gjimnazet e Tiranës. Kjo lloj kafeje më kujton zotin Koço para 19 vjetësh, kur në Fier ishte promotori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës dhe sot duket sikur është vendosur para shtëpisë së tij si për të realizuar një ëndërr për tu bërë një zyrtar i rangut të lartë të këtij vendi. Dikush më solli si shembull zotin Fidel Ylli, i cili ka qenë më i flaktë se zoti Koço Kokëdhima si promotor i orës së parë për ndryshime të mëdha. Të dy këta njerëz elitë të biznesit shqiptar, në thelb kanë realizuar ëndrrën e tyre. Ashtu siç është dhe ëndrra e njërit prej biznesmenëve më të mëdhenj dhe më të rinj të hidrokarbureve, i cili ka ravijëzuar ëndrrën për tu bërë kryeministër njësoj si skenari i zotit Silvio Berluskoni. Është e vërtetë që të relakson një atmosferë dhe një ëndërr e tillë, por kafja e zotit Rama  të linte shije të hidhur për një fakt shumë interesat. Para një muaji, Edi Rama i kishte lëshuar një ushtri me policë lokalit ku pinte kafe. Policët i ngarkuan tavolinat dhe kolltuqet e lokalit në një makinë kamion të bashkisë. Kur pyetëm na thanë se: Vetë Edi Rama, ia kishte risjellë. Këto dy standarde janë njëlloj kafeje e hidhur që dhe sikur sheqerin me logon e Partisë Republikane ti hedhësh brenda përsëri mbetet shumë i hidhur. Risia e dytë më interesante e kryeqytetit është se duket sikur numri një i Bashkisë së Tiranës dorën e ngrohtë ua ka vënë mbi sup fierakëve. Është rrethuar si në kohën e meriumit një copë e ish-bllokut dhe i ndjeri Enver Hoxha duket sikur është zëvendësuar nga biznesmenët dhe politikanët fierakë me biznese dhe parti kombëtare. Por tragjedia e Bill-Bordeve të Tiranës përsëritet edhe në Durrës, Fier dhe më gjerë. Nuk ndodh në Shkodër se  fshati ka zot. Por ende përgatitjet e propagandës elektorale duket se janë në fazën e tyre të nëndheshme. Përgatitjet po bëhen në shumë ofiçina dhe në shumë studio grafike të Tiranës. Ato do të shfaqen si një uragan më datën 13 maj 2009. A do të ishte më mirë të kopjohej vendi ynë fqinj, Italia. Propaganda të ishte portative. Të nxirreshin në mëngjes në rrugë dhe sa të binte nata të ngarkoheshin në furgonë dhe të çoheshin në magazinat e partive. Një gjë është e qartë. Për këtë fushatë të nxehtë do të ketë shumë e shumë mënyra të reja propagande për të bindur votuesit që tu drejtohen kutive. Thuhet se pjesën e luanit për harxhimet e kësaj fushate do ti bëjë KQZ-ja por kjo është vetëm maja e ajsbergut të fondeve që do të harxhohen. Edi Rama duket se shpresat e mëdha i ka tek fshati. LSI, është akoma në fazën e diskutimeve të mëdha të konsolidimit të listave të kandidatëve dhe ende nuk ka shfaqur imazhin e saj propagandistik. Pasi është zverdhur fuqia e sondazheve, tani është radha e fushatës mediatike. Motorët ende nuk i kanë ndezur. Një gjë është e qartë me sheqer ose pa sheqer, me iriqë ose pa iriqë, këtyre njerëzve duhet tu thuhet ndonjëherë si është e vërteta. Projektet për makroekonominë dhe për fushatat e mëdha bëhen mbi bazat e mikroekonomisë. Mikroekonomia e shqiptarëve sapo është prekur nga gripi i derrave. E kam fjalën për krizën. Hë për hë të gjithë nuk dëgjojmë nga ai vesh sepse tradicionalisht ne provojmë emocione shumë të forta në kohë fushatash sa dhe bar të hamë dhe luftojmë si qen për fushatën. E vërteta fare do të shfaqet aty diku afër 28 qershorit.  

Last Updated on Tuesday, 28 April 2009 22:34

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›