E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikë më Myftarajn, për konvertimin e muslimanëve në protestantë

Nga Doan DANI
Inkoherent si gjithmonë, në asnjë vetëpohim i qëndrueshëm, spekulues formulash të një historiografie më tepër se kurrë e lëkundur nga pamundësia e vërtetimit të kështjellës së kashtës  që ka vetëndërtuar; i mësuar me vulgaritetin e cinizmit dhe shpik(f)jes; kalimtar nga toskëria në gegëri, nga mbrojtës i myslimanëve duke kritikuar Vatikanin, në lavdërues i ambasadores së Katolicizmit (Nënë Terezës) kundër identitetit Islam në favor të të njëjtit Vatikan që më parë e identifikonte si rrezikshmëri, për të këshilluar së fundmi (momentalisht) zgjedhjen e Protestanizmit, z. Myftaraj nuk ka lënë identitet fetar (dhe jo) pa piedestalizuar dhe njëkohësisht denigruar, nuk ka lënë asnjë komunitet pa etiketuar ose përkëdhelur, nuk ka lënë asnjë identitet pa përqafuar dhe njëkohësisht braktisur. Juda  kish ndjekur Mesian, e kish dëgjuar, i kish qëndruar pranë; madje e kish puthur (përshëndetur) natën e fundit të jetës, por njëkohësisht e kish shitur, braktisur, shkëmbyer për një grusht para. Njeriu pa identitet nuk mund të shqetësohet për identitetin e të tjerëve. Gjetja e fundit ishte krahasimi i Jugosllavisë me Shqipërinë, në modelin nacionalist ku aglomerati sllav i Jugosllavisë peshohet me të njëjtat njësi matëse me popullin shqiptar: popullsi që flisnin dialekte të së njëjtës gjuhë, por që dallonin nga fakti se kishin fe të ndryshme- shkruan z. Myftaraj. Nga ky rresht barazues i dy realiteteve, zbulojmë risinë se populli ynë, ashtu si ai jugosllav, qenka i përbërë nga popullsi me disa dialekte: pra unë që vij nga Shkodra i përkas një populli të ndryshëm nga ai i Lezhës! Natyrisht kush ka lexuar shkrime të Myftarajt, njeh etiketa si: labokomunistë, areali labo-vllaho-komunist, komunizmi toskë etj, të përdorura masivisht në krijimtarinë përçarëse myftarjane. Këtu vërehet vështirësia e autorit për të barazuar dy modelet që ai ka gjetur për ti njësuar. Jugosllavia nuk përbënte komb, por një bashkësi popujsh-kombe, të mbledhura nga Fuqitë e Mëdha, nën flamurin politik të një shteti, ndërsa Shqipëria është shtet i një populli-komb i formuar sipas modelit të nacionalizmit etno-kulturor gjerman, me vendosmërinë e të njëjtave Fuqi të Mëdha. Jugosllavia vërtet kishte maxhorancë sllave, por sllavë nuk janë vetëm ato të Ballkanit, dhe nëse ndjekim një logjikë të kombëzimit të të gjithë popujve me origjinë të përbashkët atëherë Jugosllavia duhej të formonte një shtet me të gjithë Lindjen sllave, ndoshta me emër tjetër. Anglezët janë me origjinë gjermane, por nuk kemi dëgjuar ndonjë anglez të pohojë se i takon popullit apo kombit gjerman dhe për këtë meriton të jetojë në një shtet! Për të konkretizuar më mirë diversitetin e identiteteve në ish-Jugosllavi do të sjell shembullin e Serbi-Mali i Zi. Janë dy popuj-kombe me gjuhë të përbashkët, etnografi, kostume dhe tradita, origjinë sllave dhe fe ortodokse, që, kundër hipotezave të Myftarajt, jetojnë në dy shtete të ndryshme. Ai që sot quhet Mali i Zi në shekullin e XI njihej si Doklea dhe banoret si dokleate apo thjeshtë sclavorum siç i quante Papa Gregorio VII pas investiturës së Mihailit. Zeta e ardhshme është një rajon katolik i ortodoksizuar pas një dominimi serb. Crnojevicët do të rikthejnë elementin vendas (sllav apo shqiptar kjo është relative) tashmë të shkëputur nga Papati, rreth të cilit ndërtohet bërthama e kujtesës historike të malazezëve. Autonomia territoriale e njohur nga Porta e Lartë, kundrejt një Serbie të mposhtur, krijon premisat e lindjes së një populli me identitet autonom nën petkun e vlladikës: një teokraci ortodokse në tokat e sulltanit. Kështu merr jetë dhe zhvillohet dallimi i vetëm mes malazezëve dhe serbëve: historia. Populli malazez i ndikuar nga rrethanat strukturon një histori të vetën e ndryshme nga ajo e serbëve që mbesin vëllezër por tashmë në dy shtëpi të ndara. Do të bashkohen në 1919, një vit pas bashkimit të Serbi-Kroaci-Sllovenisë (katolikë dhe ortodoksë), dhe vetëm me presionin ndërkombëtar, forcën e armëve dhe ndërhyrjet e agjenturave serbe. Bashkimi shoqëron, përsëri nën hijen e armëve, fundin tragjik të shekullit të XX, për të vdekur me referendumin e malazezëve. Ky është shembulli i dy  popujve monofetarë të ndarë në dy shtete. Një realitet të tillë jetojnë arabët e gadishullit Arabik që janë ndarë  nga ngjyra e shamisë që mbajnë në kokë burrat. Feja në këto raste nuk është element kohezioni, siç nuk është për Pakistan-Bangladeshin, Vietnam-Laos-Kamboxhian, Moldavi-Rumaninë, Rusi-Bjellorusinë; ashtu sic nuk është element bashkëjetese paqësore në Spanjë (Katolicizmi), mes kastiljan-katalanëve dhe baskëve. Kombi francez vetëdijesohet në shekullin e Iluminizmit për vlerat e përbashkëta dhe shpik nacionalizmin politik, model i ndryshëm nga ai etno-kulturor gjerman. Është i pamundur barazimi i dy formave shtetformuese (gjerman dhe francez) për ti përballuar me modelin shqiptar, i cili i përket plotësisht modelit gjerman. Paqja mes dy degëve kristiane, Protestanizëm / Katolicizëm është arritur me luftë e jo me një rrugëtim shpirtëror ose filozofik. Konflikt i filluar me Luterin kulmon në luftën 30 vjeçare për tu ripropozuar edhe sot në Irlandën e Veriut, ku dy komunitete të krishtera luftojnë njëri-tjetrin. Shembull tjetër ky, në kundërshtim me teorinë që një fe e përbashkët është unifikuese. Z. Myftaraj redukton në fjalinë Franca dhe Gjermania mbijetuan si shtete pavarësisht dasive fetare, Jugosllavia u shpërbë jo vetëm të gjitha konfliktet fetare mes dy feve të mësipërme, por edhe konfliktet mes popullit francez dhe atij gjerman deri gjysmë shekulli më përpara, ku feja e përbashkët e tyre nuk i pengoi të vriteshin dhe pushtonin njëri-tjetrin. Përse feja nuk bashkoi? Përgjigja është e thjeshtë: kombi francez dhe ai gjerman nuk karakterizohen (bashkohen) nga feja, por nga një kulturë (ku hyn edhe feja, por jo në rolin primar) me vlera të përbashkëta tek secili, që i dallon këto dy popuj nga njëri-tjetri, që i bën të ndryshëm, që i bën francez dhe gjerman, përndryshe do të quheshin katoliko-protestan dhe do të kishin jetuar në një identitet të njëjtë, në një shtet. Nacionalizmi, Liberalizmi, Socializmi janë vepra laike dhe aspak kristiane. Në 1919 Antonio Gramshi shkruante: Socializmi është feja që duhet të vrasë krishtërimin. Gjashtë vite më vonë Papa Pio XI dënonte Liberalizmin dhe Socializmin, por veçanërisht lëvizjen nacionaliste franceze Action Française, duke e quajtur doktrinë që vendos politikën përpara Fesë dhe bën që kjo e fundit të shërbejë të parën, për të vazhduar [nacionalizmi] bën Shtetin objektiv dhe qytetarin apo njeriun, mjetin e thjeshtë [për të arritur objektivin], Liberalizmi dhe Socializmi, për Papën, bashkoheshin në  shpalljen e hyjnizimit dhe mbinjerëzimit të Shtetit, në forma dhe emërtime të ndryshme. Ky vizion negativ i Atit të Shenjtë për lëvizjet politike, përbën edhe konceptin katolik të përpalljes me Nacionalizmin dhe idealizimin e Kombit. Në Mit Brenneder Sorge të 14 mars 1937, Papa dënonte konceptin racist dhe panteist të ideologjive që identifikojnë Zotin me universin, që vlera si Kombi dhe Populli i ngrenë mbi çdo gjë, edhe mbi vlerat fetare, duke i hyjnorizuar me kulte [Kombi] idhujtare. Ne enciklikën tjetër po të vitit 1937, Divini Illius Magistri, Nacionalizmi etiketohet si i tepruar dhe fals; Ati i Shenjtë është kundër atyre që pretendojnë se Shteti ka, mbi edukimin, të drejtën absolute [që mënjanon fenë] duke përcaktuar si të pabazuar logjiken që këto [teoritë nacionaliste] e drejtojnë individin ti përkasë më parë Shtetit [se fesë Hyjnore, Katolicizmit]. Për katolikun që mishërohet tek figura ideale e Nënë Terezës, është Zoti përpara Kombit dhe Feja përpara politikës laike të shndërruar në fe, pra Nacionalizmit. Nënë Tereza personifikon individin që për ideale fetare braktis vendlindjen, familjen, jetën e saj, për tju përkushtuar idealit primar, Krishtit, i arritshëm vetëm me nënshtrim të plotë, natyrisht vetëm nëpërmjet Katolicizmit. Kjo është arsyeja e mungesës totale të shqiptarizmit tek kjo figurë botërore. Propozimi i Myftarajt për tu konvertuar vjen si një kërkesë normale për një aksion të

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›