E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirënjohja e hebrenjëve

Filmi "Shpëtimi në Shqipëri", sipas Dardan Islamit, njërit prej realizuesve të filmit, ka për qëllim që ta paraqesë mirënjohjen nga perspektiva e çifutëve të mbijetuar.

“Numri i çifutëve pas luftës në Shqipëri, ishte disa herë më i madh se ai i para luftës”, citon portali Albinfo.ch fjalët e ambasadorit të Shqipërisë në Bern, Mehmet Elezi, me rastin e shfaqjes si filmit dokumentar “Shpëtimi në Shqipëri”, që flet për shpëtimin e çifutëve në Shqipëria nga përndjekja e nazistëve gjermanë, në Luftën e Dytë Botërore.

Elezi gjithashtu përmendi se, “ka dokumente që dëshmojnë se edhe Albert Einstein kishte shpëtuar falë pasaportës shqiptare, edhe pse kjo është një çështje që duhet të hulumtohet më tej. Ndërkaq, në qendër të filmit është humanizmi shqiptarëve, i treguar në mbrojtjen e të gjithë çifutëve. Asnjëri nga ta nuk iu dorëzua nazistëve”.

Nga ana tjetër, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, tha se shqiptarët, si popull i vogël, kanë të drejtë të jenë krenarë për atë që kanë bërë duke mbrojtur çifutët.

“Popujt e tjerë nuk e kanë bërë këtë, për shkaqe të ndryshme”, u shpreh ai, ndërkohë që lavdëroi autorët e filmit për punën e shkëlqyeshme për shpalosjen e kësaj faqeje të ndritshme historike.

“Një meritë e veçantë iu takon realizuesve të filmit, të cilët hulumtuan arkivat dhe para opinionit dolën me një mesazh tjetër të shqiptarëve, me atë të sakrificës së tyre për shpëtimin e çifutëve”, shtoi Malaj.

Gjatë rreth 30 minutave, sa zgjat filmi “Shpëtimi në Shqipëri”, në ekran parakalojnë një numër çifutësh të shpëtuar nga Holokausti, për shkak se “në kohën e duhur” ishin strehuar në Shqipëri. Autorët e filmit e ndërtuan rrëfimin e tyre, me fokus në mirënjohjen e çifutëve të shpëtuar për shpëtimtarët e tyre shqiptarë.

“Po t’i pyesje atëbotë shqiptarët se përse e vinin veten në rrezik për të na shpëtuar, ata nuk do të dinin të përgjigjeshin ndryshe, përpos që kjo është gjëja më normale që ne mund të bëjmë”, thotë në film njëri prej familjarëve të të mbijetuarve.

“Këtë e bënë, sepse kjo është pjesë e kodit të tyre të besës, ku miku çmohet si i shenjtë”, thuhet tutje në film.

Dardan Islami, është njëri prej realizuesve të filmit që u shfaq para publikut në Bern, pjesë e të cilit ishin edhe diplomatë të akredituar në Zvicër.

“Është në traditën shqiptare që kur e bëjmë një të mirë, nuk duam ta përmendim atë” thotë për albinfo.ch, derisa sqaron se përse në film kanë marrë vetëm deklarimet e palës çifute.

Kjo edhe ishte ideja që udhëhoqi krijuesit e filmit “Shpëtimi në Shqipëri”, kur vendosën të mos intervistonin shqiptarët shpëtimtarë.

“Qëllimi ishte që t’ua lëmë të mbijetuarve ta vlerësojnë vetë këtë vepër humane. Pra, që mirënjohjen ta nxjerrim nga perspektiva e tyre dhe jo nga ajo e shpëtimtarëve”, shton Islami.

“Në Izrael e në SHBA kemi intervistuar çifutë të shpëtuar nga shqiptarët dhe familjarë të tyre, disa prej të cilëve kishin mbetur të jetonin në Shqipëri edhe pas përfundimit të luftës - deri në fillim të viteve 90, e disa ishin shpërngulur menjëherë pas lufte në vendet e përmendura”, thotë ai.

Sipas Islamit, burimet për film ekipi i siguroi nga arkivi shqiptar, televizioni shqiptar, nga filmat italianë të kohës, etj.

“Por, materialet kryesore që u shfrytëzuan janë kujtimet e diplomatit Hermann Bernstein, i cili ishte ambasador i SHBA’ve në rajon, në vitet e 30’a. Nga këto kujtime u bë edhe libri ‘Shpëtimi në Shqipëri’, i autorit Harvey Sanner, i botuar në vitin 1997”.

Mbështetje për realizimin e filmit, Islami thotë të kenë pasur nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, Ambasadat e SHBA’ve në Prishtinë dhe në Tiranë, nga PTK, Eurokoha, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›