E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mirëpresim anëtarësimin e Shqipërisë, jetike implementimi i reformave”

Parlamenti Evropian kërkon ngritjen e komisionit për hartimin e reformës zgjedhore

Eurodeputeti Joran Farm, përfaqësues i Grupit Social Demokrat në Parlamentin Europian, tha dje në Tiranë se angazhimi i partive politike në hartimin e reformës elektorale do të garantonte transparencën për zgjedhjet e ardhshme sikundër do t’i jepte zgjidhje ngërçit politik. Farm foli gjithashtu për çështje që lidhen me integrimin europian të vendit si shqyrtimi i statusit të vendit kandidat, apo dhe procesi i pritshëm për liberalizimin e vizave. “Parlamenti Europian po planifikon të adaptojë një rezolutë për Shqipërinë dhe jam i bindur se në, mënyrë unanime do të mirëpresim shqyrtimin e aplikimit tuaj për anëtarësim, por do të nënvizojmë nevojën për reforma të mëtejshme ekonomike, politike, në sistemin gjyqësor dhe reforma sociale. Ne kemi dhënë mbështetjen paraprake për procesin e liberalizimit të vizave, por sigurisht me kushtin që Komisioni Europian të verifikojë në muajt që vijnë përmbushjen e kritereve të mbetura dhe unë kam shumë shpresë për këtë”, u shpreh eurodeputeti Joran Farm.
Rezoluta gjithashtu u bën thirrje partive politike të angazhohen në një dialog konstruktiv për të përcaktuar rregullat elektorale që do të garantonin transparencë në zgjedhjet e ardhshme dhe do të zgjidhnin ngërçin politik.
Kjo nuk është hera e parë që zëra të veçantë të PE, KE por dhe vetë këto institucione në dokumente të miratuar për Shqipërinë i bëjnë thirrje forcave politike në Shqipëri që të konsiderojnë prioritare kryerjen e reformës zgjedhore bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›