E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama po bllokon reformën zgjedhore, sepse ka synim bojkotimin e zgjedhjeve lokale

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, njëherazi kryetari i LSI-së Ilir Meta, u shpreh dje se kryesocialisti Edi Rama po mban peng reformën zgjedhore, si një alibi për të bojkotuar zgjedhjet e ardhshme lokale. Gjatë mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore në LSI-së, kreu i saj Ilir Meta u shpreh se duhet të fillojë puna së më parë për të rregulluar me amendamente të veçanta çdo problem që është hasur nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit. Duke bërë thirrje për gjithë përfshirje, Meta theksoi se “çdo vonesë cenon standardin e zgjedhjeve të ardhshme”.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Meta, tha se puna duhet përqendruar tek përmirësimi i kodit aktual zgjedhor, duke shqyrtuar me vëmendje rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
“Një vit mbas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe më pak se një vit kur qytetarët shqiptarë në të gjithë vendin do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme vendore, është urgjente përqendrimi tek përmirësimi i kodit aktual zgjedhor dhe sidomos pasja në konsideratë e punës së këtij komisioni. Por mundësisht sa më shpejt dhe një komision gjithëpërfshirës parlamentar dhe jashtëparlamentar, duke lexuar me vëmendje rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit në Shqipëri në amendamente dhe në koncepte të qarta që garantojnë një transparencë të plotë të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm të zgjedhjeve përpara se ato të fillojnë”, u shpreh kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Ai i bëri thirrje opozitës që të mos neglizhojë bashkëpunimin me mazhorancën për reformën zgjedhore, pasi ky është edhe një mesazh i dy grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Evropian, grupi i Popullorëve Evropianë përmes kreut të tyre Joseph Daul dhe Eurosocialistëve të Martin Shulz.
Ky qëndrim i kreut të LSI-së vjen në një kohë kur mazhoranca ka shprehur vullnetin e saj për të nisur nga puna me reformën zgjedhore, ashtu sikundër rekomandohet dhe në rezolutën e Parlamentit Europian ku i bëhet apel të gjitha forcave politike për të nisur sa më parë nga puna.
Ndërkaq qëndrimet zyrtare në lidhje me ndryshimet që pritet t’i bëhen Kodit Zgjedhor kanë mbërritur dhe nga partitë aleate të selisë rozë. Ajo e Paskal Milos dhe PBDNJ-ja, të cilët janë shprehur të gatshme për të qenë pjesë e një tryeze gjithëpërfshirëse. Deri më tani asnjë reagim zyrtar nuk ka pasur nga Partia Socialiste në lidhje me nisjen nga puna për reformën zgjedhore duke i mëshuar idesë së transparencës një vit pas zgjedhjeve parlamentare.
Për sa i takon partisë më të madhe në opozitë, PS-së, nuk ka ende asnjë mesazh për kompromis të hapur, lidhur me hartimin e reformës së re zgjedhore. Në këtë drejtim, PS dhe Edi Rama s’kanë ndërmend të shkëputen nga mendësia e bojkotit, për sa kohë kanë ende në mendje mos njohjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›