Në vitin 2004 lejoi auditin, 6 vjet më pas injoron kontrollin e fondeve të buxhetit të shtetit
Standardet e dyfishta në zbatimin e ligjit nga Edvin Rama
Edi Rama vazhdon të snobojë ligjin dhe rendin funksional të një institucioni që ka të drejtë të japë llogari për abuzimet ashtu dhe për përgjegjësitë që mbart kundrejt komunitetit. Dalja jashtë kuadrit të ligjit dhe injorimi i tij nga ana e kryebashkiakut e ka kthyer bashkinë e Tiranës në një gangrenë të rrezikshme korrupsioni dhe hajdutërie, teksa sipas Ramës askush s’ka të drejtë t’i kërkojë llogari atij se i shpenzon paratë e taksapaguesve kryeqytetas ashtu dhe fondet e buxhetit të shtetit. Debati i lindur ditëve të fundit mes Prefektit të Qarkut dhe bashkisë së Tiranës, ka vënë në pah standardet e dyfishta të përdorimit të ligjit nga ana e kësaj të fundit. Kryebashkiaku Rama, hodhi poshtë kërkesën për auditim të prefektit Keltis Kruja, bërë pak javë më parë, me argumentimin se është e pabazuar në ligj. Por ndërkohë, të njëjtën kërkesë, Rama e ka quajtur të ligjshme në vitin 2004, kohë kur i kërkohej auditimi nga prefektura e drejtuar nga Besnik Dervishi dhe Ministria e Pushtetit Vendor, siç e vërteton edhe korrespondenca mes tij dhe Ministrit të Pushtetit Vendor të asaj kohe, Ben Blushi.
Në letërkëmbim Rama pranon kërkesën e Prefektit Dervishi për auditim, por i kujton atij se hapësirat e kontrollit janë të limituara, vetëm në të ardhurat që ky institucion përfiton nga buxheti i shtetit, siç shihet edhe në këtë shkresë.
Ndërkohë që të njëjtën kërkesë bërë këtë muaj nga Prefekti aktual i Tiranës, Keltis Kruja, dhe të specifikuar për të bërë kontroll financiar brenda hapësirës që i krijon ligji, pra vetëm për të ardhurat që përfiton nga pushteti qendror, Rama e refuzon duke kundërshtuar dhe vetveten dhe duke deklaruar se është kërkesë antiligjore.
Në fakt, baza ligjore nuk ka pësuar ndryshim këto 6 vitet e fundit. E përbashkëta e Ramës së 2004 me Ramën e 2010 është se asnjëherë në këto vite që drejton bashkinë që përfiton të ardhurat më të mëdha nga të gjitha bashkitë nga buxheti i shtetit, nuk pranon të bëjë transparente mënyrën sesi përdoren këto të ardhura, para të taksapaguesve shqiptarë.
Pra, gjithçka është e qartë. 6 vjet më parë Rama e lejoi auditin e brendshëm të kontrollonte shpenzimin e fondeve publike dhe mënyrën e menaxhimit të tyre. 6 vjet më pas, Edvini tenton të përcjellë një realitet krejt ndryshe, sikur të mos ekzistojë ligji për auditin dhe kjo me qëllimin flagrant për t’i shpëtuar hetimit të abuzimeve marramendëse gjatë veprimtarisë së tij në Bashkinë e Tiranës. është mesë e kuptueshme se 6 vjet më pas, Edvini nuk ka më atë bazë imunitare të zhvatjes së fondeve publike, por përgjegjësia është ligjore dhe pikërisht kësaj të fundit ai po tenton t’i shmanget me çdo kusht, duke injoruar ligjin dhe mohuar transparencën para qytetarëve shqiptarë.