Përkujtohet dëshmori Florim Rushiti
Kur ra kushtrimi për liri, Florim Rushiti ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe së bashku me bashkatdhetarë e trima si Fehmi e Xhemë Lladrovci, më 1998, zbarkuan në brigjet e shtetit amë, u tha në një akademi përkujtimore me rastin e 12-vjetorit të rënies heroike të luftëtarit të UÇK-së, Florim Rushiti-Kingji.
Në përkujdesje të Shoqatës “Medvegja” nga Zvicra, të shtunën në ambientet e Teatrit Kombëtar në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore kushtuar luftëtarit të lirisë, Florim Rushiti-Kingji. Veprimtari i shquar i çështjes shqiptare, Adem Demaçi ka thënë se populli shqiptar me gjak fitoi lirinë që ne sot e gëzojmë dhe atë duke iu falënderuar luftëtarëve të lirisë, që nuk kursyen jetën si gjënë më të shtrenjtë për liri.
Ramadan Beqiri, magjistër i shkencave natyrore, duke folur për jetën e Florim Rushtit, tha se ai edhe pse i ri në moshë, për asnjë moment nuk u tërhoq nga lufta për liri, për çka dha edhe jetën e tij. Profesor dr. Gani Jashari ka thënë se çështja e Luginës së Preshevës ende nuk është zgjidhur dhe se shqiptarët e Medvegjës gjithmonë e kanë ndjenjën se janë në Kosovë, e jo në ndonjë shtet tjetër.
Florim Rushiti-Kingji u lind më 2 prill të vitit 1979 në fshatin Kapit të komunës së Medvegjës. Më 26 maj të vitit 1999, Florim Rushiti bie heroikisht nga plumbat e armikut në Pashtrik.