E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmat për Greqinë në pikëpyetje

Nga Express më 28 maj 2011 në ora 15:30

Greqia rrezikon të mos marrë muajin e ardhshëm ratën e e pestë prej 12 miliardë euro të kredisë së treshes.

Kryeministri George Papandreu nuk mundi të sigurojë konsensusin e nevojshëm politik ndërpartiak, kërkuar si kusht nga treshja për livrimin e parave por edhe akordimin e një kredie të re prej 60 miliardë euro, për evitimin e falimentimit të vendit dhe vazhdimin e reformave. Mbledhja tri-orëshe e krerëve partiakë, nën kryesinë e presidentit të republikës, Karolos Papulias, përfundoi pa rezultat.

“Do të vazhdojmë përpjekjen e konsensusit kombëtar për të mirën e vendit me një synim: të shpëtojmë atdheun, por edhe ta ndryshojmë rrënjësisht”, deklaroi Papandreu, i cili u shpreh i gatshëm edhe për qeveri koalicioni, por përjashtoi zgjedhjet e parakohshme.

Opozita e djathtë vë si kusht “rishikimin e memorandumit”.

Komisionari evropian, Oli Ren, shprehu keqardhjen e Komisionit Evropian dhe “kërkoi të arrihet së shpejti marrëveshja, se koha po mbaron”.

Ndërkohë vazhduan me pjesëmarrje akoma më të madhe, pavarësisht motit të keq, për të tretën ditë me radhë protestat paqësore anti-qeveritare të “qytetarëve të revoltuar” në Athinë dhe Selanik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›