E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirgen Shamlli, koleksionisti i nostalgjisë së qelqtë

10/10/2011  Ekspozohen artikujt e 4 fabrikave shqiptare të qelqit dhe të importuara

KORÇE- Ndoshta askush nuk e kishte menduar se një ekspozitë me artikujt më interesantë të 4 fabrikave të qelqit në vendin tonë: të Tiranës, të Kavajës, të Vlorës dhe të Korçës, si dhe artikujt qelqorë të importuara nga vende të tjera të botës do të tërhiqnin kaq shumë njerëz dhe do të zgjonin kaq shumë nostalgji. Këtë gjë do ta kuptonte gati rastësisht Mirgen Shamlli, kur befas i kishte rënë në dorë një prodhim qelqi, që dikur, në fëmijërinë e tij të hershme, e kishte pasur në shtëpinë e tij, por po kaq rastësisht do t’i thyhej… Kishte qenë dhe një arsye tjetër që Mirgen Shamllin e kishte bërë të ndjente shpirtin e tij prej artisti dhe antikuari dhe që nga ajo ditë ai nuk do të ndalej më së kërkuari sende të qelqta, të cilat të falin një ndjesi të kristaltë dhe që janë të afta të tërheqin vëmendjen e njeriut në çdo kohë, sepse nën reflekset e dritës, sendet e kristalta ndryshojnë pamjen e tyre ashtu siç ndodh me qeniet e gjalla. Këto ditë Mirgen Shamlli çeli ekspozitën e parë me artikujt prej qelqi, ku u ekspozuan së paku mbi 1000 objekte. Një varg i gjatë njerëzish nuk reshti së vizituari ekspozitën, pasi gjithkush gjeti atje diçka nga fëmijëria e tij.

Nostalgji

Ishte vërtet një ekspozitë nostalgjie. Gjithkush që hynte atje gjente abazhurin e dikurshëm që kishte pasur në dhomën e tij dhe që tani nuk e ka më. Gjetën aty gotat e rakisë me të cilat kishin bërë dasmat dhe kishin ngritur dolli. Pati nga ata që kujtuan rastet kur me këto gota kishin pirë kaq shumë saqë kishin filluar ta ndjenin veten “gjeneralë” të kësaj bote. Nuk mungonte as zamzania e rakisë apo verës, ose siç quhen ndryshe, damixhane dhe që në raste dasmash e adetesh “pijetarët” e shihnin me bishtin e syrit dhe me frikë se mos vallë rakia e rrushit po mbarohej, sepse në atë kohë edhe kështu mund të ndodhte. Kanat e ujit, të përdorura këtu e 70 vjet më parë, qëndronin të heshtura, edhe pse për gati një shekull u kishin shërbyer njerëzve për t’u hequr etjen. Gratë kujtonin me mjaft nostalgji se komplete gotash të tilla kishin qenë për to një krenari e vërtetë. Kriporet e thjeshta ishin një nostalgji tjetër, pasi edhe kur përfundonte banketi vetëm kripa e tyre kishte mbetur e pacenuar. Mes morisë së madhe të artikujve nuk mungonin as peshqit e famshëm të fabrikës së Kavajës me vija të kuqe dhe të bardha, as shishkat e farmacisë, as vazot e luleve, por as tavllat e duhanit, ashtu sikurse nuk mungonin as sendet e qelqta që kishin ardhur nga Italia dhe vende të tjera të botës. Sigurisht, në këtë ekspozitë ishin mbledhur sendet më të bukura të atyre viteve, kur 4 fabrikat e vendit nisën të prodhonin artikuj të tillë. Çuditërisht, të gjithë kishin mall t’i preknin si sende të dashura, t’i mbanin një çast në dorë, të kujtoni diçka nga ajo kohë dhe pastaj t’i drejtoheshin koleksionistit të nostalgjisë së qelqtë, Mirgen Shamllit me pyetjen: “E shet këtë”? Mund të ndodhte edhe kështu, por tashmë këto qelqe të vjetra kanë një çmim tjetër, edhe pse dikur mund të ishin blerë me fare pak lekë. Ndoshta gjithnjë do të mbetet e vështirë shitblerja e nostalgjisë.

Mirgen Shamlli

Koleksionisti i nostalgjisë së qelqtë, Mirgen Shamlli, tregon për gazetën “Metropol” se si një ditë krejt pa pritur ishte gjendur mes pasionit për qelqin. “Sapo kisha hapur një lokal, rrëfen Shamlli. Të gjitha ambientet e tij ishin të veçanta, tërësisht prej druri. Edhe arkitektura ishte e veçantë. Nuk kisha asnjë ide me çfarë mund ta zbukuroja. Çdo gjë që vendosja më dukej sikur nuk i shkonte. Kërkova shumë lloje sendesh zbukurimi, por asnjëherë nuk mbeta i kënaqur. Qëlloi që një ditë më ra në dorë një “kungulleshkë”, kështu i quanim dikur disa gota rakie. M’u duk sikur ato ishin prodhuar enkas për lokalin tim. Që nga ai çast nisa të kërkoja çdo gjë prej qelqi që ishte prodhuar nga 4 fabrikat e vendit tonë, por edhe gjithçka të qelqtë që ishte importuar. Çuditërisht, gjeta sende mjaft interesante, tepër të veçanta, me një bukuri që më linin të mahnitur. I vendosa në lokal dhe pata përshtypje që lokalit tim ato i dhanë dritë. Prita të shihja cili do të ishte reagimi i njerëzve. Të gjithë ata që vinin në lokalin tim mbeten të befasuar. Nostalgjia e për këto sende të dikurshme tërhiqte vëmendje. Ngjallte kërshëri. Kisha gjetur edhe mjaft artikuj të tjerë që shumë pak familje i kishin pasur në shtëpitë e tyre. Rastësisht më ra në dorë edhe një qelq ku ishte formësuar diktatori Enver Hoxha në ditën e themelitë të Partisë Komunistë. Edhe kjo relikte vështrohet nga njerëzit dhe kujtojnë atë kohë të ikur, gjithnjë sipas mënyrës së tyre”.

Koleksionisti

“Nuk do të ndalem asnjëherë për të mbledhur prodhime qelqi, vijon të rrëfehet Mirgen Shamlli. Tashmë ato janë bërë pjesë e jetës time. Shumë shpejt do të kem një ekspozitë tjetër, po kaq të veçantë sa kjo ekspozitë tani. Sigurisht, edhe shumë sende i kam shitur, sepse këmbëngulja e njerëzve për të blerë diçka ka qenë gati e papërmbajtshme. Kur jam ndarë prej tyre gjithnjë kam ndjerë një boshllëk, ashtu si njeriu që ka humbur një diamant të rrallë. Gjatë kohës që mblidhja artikuj prej qelqi, nuk kam nguruar të blej as sende prej porcelani, prej qeramike, prej druri, madje tani kam edhe mjaft antikuarë prej kocke dhe bakri, fotografi të vjetra të viteve 1830-1930, dokumente të vjetra etj. Synoj që për të gjitha këto të kem ekspozita të tjera. Megjithatë, ekspozita e qelqit për mua do të mbetet mjaft e veçantë, ndoshta nga që ishte ekspozita ime e parë, ndoshta nga që vura re se njerëzit e pritën me shumë kënaqësi dhe familjes time i dhuroi një moment mjaft të bukur dhe të paharrueshëm”, përfundoi koleksionisti Mirgen Shamlli.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›