E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shteti regjistron 500 hotele, rritet me 16% numri i turistëve të huaj”

10/10/2011  Drejtori i Zyrës së Shërbimit Turistik: Në sistem 10 mijë dhoma për turistët, gati database

TIRANË- Rëndësia kombëtare për të shtuar hovin e turizmit shqiptar duket se ka dhënë frytet më të prekshme këtë vit më tepër se kurrë. E krijuar si hallkë parësore, Zyra e Shërbimit Turistik po qëndron në pararojë të kësaj strategjie konkrete, duke e shtrirë aktivitetin në çdo cep të vendit, për t’i shërbyer turistit me informacion të bollshëm dhe për ta orientuar atë në top-destinacionet e vendit apo për t’i hapur horizonte të reja. Në pak më tepër se një vit nga krijimi i saj, kjo zyrë ia ka dalë të skanojë të gjitha hotelet apo njësitë akomoduese shqiptare, për t’i hedhur në një sistem të dhënash. Vërshimi i miliona turistëve drejt bregdetit, parqeve, muzeve apo maleve të Shqipërisë, kërkon edhe mirëpritjen e tyre dhe daljen faqebardhë nga këto vizita që kushtojnë miliona euro. Më shumë se 3 milionë ishte numri i sivjetshëm i turistëve, ndërsa Shqipëria numëron shumë njësi akomoduese, nga të cilat Zyra e Shërbimit Turistik ka futur në sistemin e saj 600 prej tyre. Të paktën 6100 vizitorë të huaj më shumë vizituan parqet arkeologjike dhe muzetë kombëtarë. Duke qenë se objektiv tjetër i rëndësishëm i kësaj zyre është edhe mbrojtja e turistit, vendas dhe të huaj, kundrejt shkeljeve apo padrejtësive që ai mund të pësojë nga ofruesit e shërbimeve turistike, drejtuesit e ZSHT-së iu ofruan një pyetësor, ku do të marrin mendimet e cilësisë së shërbimit. Drejtori i Zyrës së Shërbimit Turistik, Benard Tërkuci, jep më tepër detaje për gazetën “Metropol”, rreth ecurisë në terren të punës përkujdesëse ndaj turistëve.

Zoti Tërkuci, e mendonit të tillë rezultatin e zyrës që ju drejtoni, duke pasur parasysh se u krijua rreth një vit më parë dhe nuk është shumë. Cilat janë disa prej hapave konkrete që keni ndërmarrë dhe planet për ta përmirësuar sistemin turistik shqiptar?

Gjatë vitit 2011 Zyra e Shërbimit Turistik ka qenë mjaft aktive në të gjithë territorin e Shqipërisë. Them mjaft aktive sepse dhe ajo çka është realizuar në vitin 2011 është ndjeshëm më e mirë dhe më profesionale se 1 vit më parë kur kjo zyrë u krijua dhe ende nuk njihej. Numri i turistëve, të cilët kanë kërkuar informacion pranë nesh ka qenë ndjeshëm më i lartë se 1 vit më parë, ku vetëm në zyrat në Tiranë ishin me dhjetëra në ditë turistët që kërkonin informacione nga më të ndryshmet, duke filluar që nga vendet ku dëshironin të shkonin, shërbimet që mund të merrnin në to, hotele të ndryshme, kampingje, makina me qira, apo material të ndryshme promocionale dhe ndihmëse. Kemi mundur të realizojmë një faqe të re zyrtare www.zsht.gov.al, e cila është gjithnjë në përmirësim e sipër, çdo ditë dhe më e pasuruar me materiale, që në fund të vitit 2011 do të marrë formën e plotë në 2 gjuhë, shqip dhe anglisht dhe më pas me idenë që brenda 3 mujorit të parë të vitit të kalojë të paktën edhe në gjuhën gjermane dhe frënge, por jo vetëm kaq, por në të do të gjenden informacione të detajuara për hotelerinë shqiptare, agjencitë e ndryshme të udhëtimit, restorantet apo më mirë të themi të gjithë bizneset turistike. Kjo do të realizohet falë databazës që ZSHT tashmë ka ndërtuar.

Për të qëndruar tek hoteleria shqiptare, si pikë kyçe e përthithjes së turistëve kryesisht të huaj, në këtë drejtim si keni operuar në terren, pra i keni identifikuar këto hotele dhe ç’kapacitete mbajtëse kanë?

Janë afro 500 subjekte pritëse, apo më mirë njësi akomoduese të regjistruara në këtë bazë të dhënash, të cilat jo vetëm që kanë akses individual përmes faqes zyrtare të ZSHT, por në mënyrë individuale japin të dhënat mujore lidhur me frekuentueshmërinë e hoteleve të tyre, numrin e të punësuarve, netëqendrimet e turistëve dhe shtetësinë e tyre. Subjektet e regjistruara deri tani kanë në vlerë të përafërt rreth 10.000 dhoma dhe 19.000 shtretër, ku qarku i Tiranës ka numrin më të madh deri tani me afro 124 hotele të regjistruara me një kapacitet 2300 dhoma dhe 5200 shtretër, e ndjekur nga qarku Vlorë me 107 hotele të regjistruara me kapacitete 1933 dhoma dhe 4463 shtretër, për t’u pasuar nga qarku Durrës me 87 hotele 2076 dhoma dhe 4514 shtretër. Por puna nuk përfundon këtu, pasi kjo nuk është shifra përfundimtare, kjo është rreth 75% e gjithë kapaciteteve akomoduese në Shqipëri. Ne kemi identifikuar edhe të gjithë ato njësi që mungojnë dhe janë pa regjistruar dhe në fund të muajit dhjetor kjo databazë do të marrë formë të plotë. Interesi nuk është vetëm në regjistrim dhe marrje kapacitetesh. Pjesa më e rëndësishme e kësaj pune është deklarimi nga të gjithë i të dhënave që ne kërkojmë, pasi këto të dhëna do të shërbejnë jo vetëm si statistikat e para zyrtare, por edhe për politika dhe veprime të suksesshme të mëtejshme. Nuk doja të lija pa përmendur edhe statistikat e përgjithshme, në të cilat do të thosha që Shqipëria jo vetëm ka një stabilitet, por ka dhe një ngritje të qëndrueshme nga viti në vit.

Dhe cila është kjo ngritje e qëndrueshme?

Numri i turistëve deri në muajin gusht 2011 ka qenë rreth 3 milionë, ku nga këta 2,120,000 janë vizitorë me nënshtetësi të huaj, pra ka një rritje rreth 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga këta 63% janë vizitorë me net qëndrimi, 26% janë vizitorë ditorë dhe 11% janë vizitorë transit. Kosova ka numrin më të madh të turistëve me 51%, më pas Maqedonia me 11%, Mali i Zi me 5%, Italia me 5%, Greqia me 5%, Gjermania me 3%, Amerika me 2% etj. Transporti tokësor ka qenë ai më i përdoruri, me rreth 86% dhe më pas ai ajror 6%. Rritje ka edhe numri i vizitorëve të huaj në muzetë kombëtare dhe parqeve arkeologjike, ku krahasuar me 1 vit më parë është rritur me rreth 6100 vizitorë.

Si do t’i mbledhë përshtypjet e turistëve Zyra e Shërbimit Turistik?

Ndoshta e lashë pjesën më të rëndësishme të punës për në fund. Këtë vit gjatë muajve korrik-shtator Zyra e Shërbimit Turistik ka punuar intensivisht në terren për realizimin do të thosha të databazës cilësore të turizmit shqiptar. Në kuadër të projektit IPA Adriatic, TUR. GRATE2, ZSHT ka mundur të realizojë regjistrimin e më shumë se 600 subjekteve që ofrojnë shërbim turistik, si hotele, restorante, agjenci udhëtimesh, makina me qira, plazhe, teatro etj, si dhe ka mundur të marrë mendimet e shumë turistëve vendas dhe të huaj, kundrejt plotësimit të pyetësorëve. Ditën e premte datë 14.10.2011 në hotel Tirana International, salla “Teuta” zhvillohet takimi i parë ndërrajonal me temë “Krijimi i një sistemi të përbashkët publik-privat për menaxhimin territorial të produktit turistik”. Gjithashtu do të kemi një analizë SWOT të turizmit shqiptar, si dhe cilësinë e ofertës turistike shqiptare, e cila do të analizohet dhe do të dalë pikërisht prej këtyre pyetësorëve. Më shumë nuk doja të zbuloja rreth kësaj teme, por do të thosha që është një punë profesionale dhe shkencore.

Turistët

Janar-gusht 2011, në Shqipëri hynë rreth 3 milionë turistë

Nga këta 2,120,000 janë vizitorë me nënshtetësi të huaj

Rritja është 16% krahasuar me vitin 2010

63% janë vizitorë me net qëndrimi

26% janë vizitorë ditorë

11% janë vizitorë transit

Kosova ka numrin më të madh të turistëve me 51%

Maqedonia me 11%

Mali i Zi me 5%

Italia me 5%

Greqia me 5%

Gjermania me 3%

Amerika me 2%, etj

Vizitorët e huaj në muzetë kombëtare dhe parqet arkeologjike patën rritje me rreth 6100 vizitorë

Transporti

Transporti tokësor ka qenë ai më i përdoruri, me rreth 86%

Transporti ajror u përdor në 6% të rasteve

Hotelet

Janë afro 500 subjekte pritëse, apo njësi akomoduese

Subjektet e regjistruara kanë në vlerë të përafërt rreth 10.000 dhoma dhe 19.000 shtretër

Qarku i Tiranës ka afro 124 hotele, me kapacitet 2300 dhoma dhe 5200 shtretër

Qarku Vlorë ka 107 hotele të regjistruar me kapacitete 1933 dhoma dhe 4463 shtretër

Qarku Durrës ka 87 hotele 2076 dhoma dhe 4514 shtretër

Kjo është rreth 75% e gjithë kapaciteteve akomoduese në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›