E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis procesi i dëmshpërblimit për pushkatimet pa gjyq

10/10/2011  Ministria e Drejtësisë merr në shqyrtim dosjet për 2400 raste

Nis procesi për dëmshpërblimin financiar pa gjyq të të pushkatuarve pas 30 nëntorit të 1944. Pas disa muajve vonesë, Ministria e Drejtësisë ka nisur për të 2 400 dosjet, përgjigjet pas shqyrtimit që i ka bërë secilës kërkesë të depozituar pranë saj. Sipas VKM-së Nr. 933, datë 17.11.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masës së dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991”, pas regjistrimit të dokumentacionit, struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për përfitimin e dëmshpërblimit financiar. Menjëherë pas marrjes nga qeveria të vendimit në fjalë, çdo subjekt nisi përgatitjen e dosjes me dokumentacionin përkatës, brenda një afati 6-mujor nga dalja e vendimit. Sipas VKM-së, kërkesa duhet të shoqërohej me dokumentacionin e mëposhtëm: të dhëna për përbërësit e gjendjes civile të viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, në kohën e ekzekutimit; të dhëna për kohën e ekzekutimit; aktin administrativ apo dokumentin zyrtar, të lëshuar gjatë periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991, që provon ekzekutimin pa gjyq, për motive politike; certifikatën e vdekjes së viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike dhe certifikatën e trungut familjar; dokumentacionin që provon lidhjen familjare të dërguesit me viktimën e ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, si dhe dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues janë të gjallë; çdo informacion, lidhur me gabimet ortografike apo materiale të përbërësve të gjendjes civile të viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, për identifikimin e saktë të tij; një adresë të saktë, të zgjedhur për komunikim. Certifikatat e lindjes duhet të jenë lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kërkesës. Ato u janë përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka nisur gjithashtu verifikimin. Çdo kërkesë i është nënshtruar paraprakisht, hetimit administrativ në sektorin e gjendjes gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë. Nëse Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, SHISH dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda afatit 30-ditor njoftojnë me shkrim Ministrinë e Drejtësisë dhe i përcjellin bashkëlidhur, një kopje të dokumenteve përkatëse arkivore. Dy janë përgjigjet e këtyre autoriteteve: subjekti kërkues është ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, në vitin x; dhe nuk ka të dhëna. Është pikërisht Ministria e Drejtësisë ajo që urdhëron pranimin apo refuzimin e kërkesës, i cili është i formës së prerë.

Përllogaritja e masës së dëmshpërblimit financiar

1. Familjarët e viktimave të pushkatuara pa gjyq, për motive politike, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. Kompensimi financiar kryhet në bazë të përllogaritjes, sipas së cilës, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer në burg, dëmshpërblimi financiar është në masën 2 000 lekë në ditë. Nga shuma që çdo subjekt i ekzekutuar pa gjyq, për motive politike, përfiton nga ky vendim, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme.

2. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Entin Kombëtar të Banesave dhe ZQRPP-në, bëjnë përllogaritjet e masës së dëmshpërblimit financiar.

Autoriteti përgjegjës për miratimin e dëmshpërblimit financiar

1. Këshilli i Ministrave është autoriteti përgjegjës që miraton dëmshpërblimin financiar dhe me vendim përcakton gjeneralitetet përkatëse të të ekzekutuarit padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, mënyrën e ekzekutimit dhe shumën e dëmshpërblimit financiar, gjeneralitetet e sakta të familjarëve dhe masën përkatëse të dëmshpërblimit të tyre.

2. Ministria e Drejtësisë është autoriteti përgjegjës që shqyrton kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, sipas ligjit nr. 9 831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist", të ndryshuar, dhe të këtij vendimi. Kur pas shqyrtimit administrativ rezulton se kërkesa është e drejtë dhe e bazuar në ligj dhe në këtë vendim, ministri i Drejtësisë i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e dëmshpërblimit financiar.

3. Këshilli i Ministrave shqyrton propozimet e dërguara nga ministri i Drejtësisë brenda dy javëve kalendarike. Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në “Fletoren Zyrtare”.

4. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan fondet në mënyrë proporcionale për të gjithë familjarët e viktimave të pushkatuara, pa gjyq, për motive politike, me kusht që vlera e dëmshpërblimit, gjatë fazës së parë, të mos jetë më shumë se 1 000 000 lekë dhe jo më e vogël se 100 000 lekë.

5. Shuma e llogaritur transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë.

Premtimi i Nishanit

Në fund të vitit që shkoi, atëherë ministër i Drejtësisë, sot i Brendshëm, Bujar Nishani ka theksuar vëmendjen maksimale në realizimin e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë, gjë për të cilën deri tani është miratuar vendimi për 6541 persona, për të cilët ka nisur dhe ndarja e përfitimit. Fatura financiare prej 250 milionë dollarë do të shpërndahet në 8 këste. Ky grup ka përfituar nga kësti i parë shumën 30 milionë dollarë dhe nga këta 2495 persona janë përfitues të drejtpërdrejtë (janë gjallë). Ministri i Drejtësisë u deklaroi përfaqësuesve të ish-të përndjekurve se dëmshpërblimi financiar për ta do të jetë i shpejtë dhe brenda 3-mujorit të parë të vitit 2011 do të jetë gati procedura edhe për përfitimin e këstit të dytë. “Ministria e Drejtësisë po punon me intensitet për të përfunduar procedurat për të gjitha kërkesat e depozituara për dëmshpërblimin financiar, si dhe po trajton me prioritet ish-të dënuarit që janë ende gjallë, pa harruar vëmendjen edhe për pjesën tjetër të familjarëve që përfitojnë dëmshpërblim sipas ligjit”, u tha në deklaratën për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›