E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama s’do reformë zgjedhore, pasi do t’i humbasë zgjedhjet e vitit 2013”

10/10/2011  Berisha akuzon opozitën për bllokim të integrimit

Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është projekti i radhës i qeverisë shqiptare, për të cilin Kryeministri Berisha akuzoi që nga Korça liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për bllokim të tij. Kreu i qeverisë tha se drejtues të opozitës kanë vendosur të përdorin pushtetin që u kanë dhënë zgjedhësit për të dëmtuar interesa personale, interesat e shqiptarëve. “Ju jeni vetë dëshmitarë dhe i ndiqni televizionet, sesi këta shokë konsiderojnë provokacion kërkesën për të votuar ligjet me 3/5. As në kohërat më të vështira, po të kish pasur pluralizëm, kjo nuk mund të imagjinohej. Votimi i ligjeve me 3/5 është detyrim që buron nga përgjegjësia e çdo të zgjedhuri para zgjedhësit të tij, është detyrë që buron nga interesi jetik i çdo qytetari shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij politike, por që ka ëndërr kryesore integrimin e Shqipërisë në Evropë”, theksoi Kryeministri në fjalën e tij. Por shefi i ekzekutivit garantoi se pavarësisht shkelmimit mbi ëndrrën e tyre evropiane, siç u shpreh ai, opozita nuk do të mund kurrë të pengojë shndërrimin e saj në realitet. Kreu i qeverisë ka kritikuar edhe sjelljen e opozitës në parlament, e cila me premtimin për ndërrimin e kursit politik, përveç pjesëmarrjes në Kuvend, nuk ka marrë asnjë nismë tjetër pro reformave. “Pas disfatës së 8 majit, kreu i opozitës u deklaroi zgjedhësve të tij se tani do të votojmë ligjet në parlament, se do të bëjmë gjithçka për integrimin, se nuk do ta pengojmë më integrimin e do të ndjekim politikë konstruktive. Por, të dashur qytetarë të Korçës e Shqipërisë, nuk kanë votuar asnjë ligj, kanë të njëjtin qëndrim me atë që kanë mbajtur më parë, sepse nisen nga një parim, sipas të cilit, e keqja juaj, e keqja e gjithsecilit, e mira e tyre”, vijoi Berisha. Ai u rishpreh i gatshëm për reformën zgjedhore dhe ballafaqimin e Rregullores së Kuvendit shqiptar me atë evropian. “Por ai nuk e ka hallin tek këto, sepse këto nuk i duhen, se do të humbasë dhe zgjedhjet e vitit 2013, nuk ka çfarë t’u thotë e do të thotë se nuk kishim bërë reformën. Ne nuk mund ta bëjmë Rregulloren e parlamentit dhe ligjet e vendit si statutin e PS-së”, përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›