Mirupafshim në krizë
Kryefjala e përballjes së fundit me median, e shefit të qeverisë shqiptare, ishte paraja. Fonde të dhëna për pagat, pensionet dhe shpërblimet, për mbi 110 mijë buxhetorë dhe mbi 580 mijë pensionistë (votues në zgjedhjet e ardhshme), fonde për të rindërtuar Gërdecin dhe rrethinat të shkërmoqura nga krimi shtetëror, fonde për të blerë energji nga jashtë, që shqiptarët të kenë energji në shtëpitë e tyre, koncesione të huaja që do të bëjnë Shqipërinë superfuqinë (lexo: superfuçinë) energjitike të rajonit, fonde që do të kërkojë ushtria si pjesëtare e NATO-s pas hyrjes së përfolur në prill 2009.
Paraja është sigurisht kryetema botëtore dhe nuk ka pse të mos jetë edhe në Shqipërinë me 3.5 milionë banorë dhe mbi 1.5 milionë emigrantë. Ndaj, dhe nuk kishte pse të mungonte në konferencën e shtypit të Kryeministrit më me fat në rruzull.
Me fat, sepse me gjithë njollën e së kaluarës së largët e të afërt, me gjithë masakrën e Gërdecit, implikimeve të rënda të zyrtarëve të çdo rangu në qeverinë e tij, avokatisë së hapur për afera ku janë zhdukur fonde kolosale të këtij populli, e mbylli vitin 2008 në kolltukun e shefit të qeverisë.
Se pësimi nuk është bërë mësim. Kryeministri i gërdecëve të vitit 2008, e përmendi rastin tragjik të humbjes së 26 jetëve të pafajshme dhe sakatimit të mbi 300 të tjerëve, vetëm si shprehje e aftësive rindërtuese të kabinetit që drejton (!). Pa pranuar të rrëfehet për arkitektët dhe përfituesit dhe pa qetësuar shpirtrat e lënduar se kur do të vendoset drejtësia në vend.
Si një rast i veçuar në këtë krizë botërore, shqiptarëve, më shumë se kombeve të tjerë u duhet të jenë më të shqetësuar për vitin që po troket, sepse kanë në krye një qeveri që di vetëm të krijojë kriza dhe jo t’u paraprijë atyre. Tollovia e fundvitit nuk mund të fshehë shqetësimet dhe krizën që po rrëshqet nën këmbët tona.
“Ajo do të tregojë dhëmbët në shkurt”, - thotë me trishtim një vlerësues pasurish të patundshme në Tiranë, dhe biznesi i tij është ai që e ndjen i pari krizën që ka hyrë me të dyja këmbët.
Impotenca qeverisëse për ta bazuar zhvillimin e ekonomisë te ekonomia reale dhe e qëndrueshme, është e qartë. Ndoshta ende jo për të gjithë, por për sa javë akoma do mundet demagogjia amatore ta mbulojë këtë?
Se sa e vërtetë është kjo, e tregon pasoja e metamorfozës së bankave private nën trysninë e krizës.
Vitet e fundit tek to është rrotulluar gjithë i ashtuquajturi boom ekonomik. Janë marrë kredi për të shlyer kredi. Për ironi të fatit, qeveria e Kryeministrit Berisha, investimin më elektoral dhe më të përfolur, atë për rrugën Rrëshen-Kalimash e ka bazuar te kredia tregtare që ka marrë te një bankë greke. Ngrirja e kreditimit, është pak të thuash se ka lënë pa punë bizneset. Një dhuratë e padëshiruar për një qeveri që, me krenari idiote, deklaronte tre muaj më parë, se falë sistemit “One stop shop” kishte mundësuar hapjen e mbi 17 mijë bizneseve të rinj, kur të punësuarit ishin vetëm 700 (!!!).
Krizës së bankave u shtohet rënia e eksporteve me mall porositësi, pas uljes së kërkesës botërore për konsum, rënia e çmimit të mineraleve apo metaleve me ngjyrë, të cilat përbëjnë pjesën kryesore të eksporteve shqiptare, rënia e dërgesa të emigrantëve nga jashtë, që e tregoi edhe ky fundviti me kursin e pandryshuar të euros.
Kur flitet për krizën financiare që ka gjunjëzuar edhe superfuqitë e planetit, qeveria na thotë: jemi një rast i izoluar dhe kriza nuk do të prekë shqiptarët, me ato përmasa që ka provuar qytetari amerikan, britanik, apo ai gjerman. Dhe kanë të drejtë. Këta qytetarë kanë qeveri që dinë çfarë të bëjnë për të tejkaluar krizën dhe për ta bërë atë sa më pak të ndjeshme për qytetarët. Në Shqipëri, ku u bë e modës të ndodhë edhe Gërdeci, qytetari ka mbi krye një qeveri që nuk denjon as ta njohë krizën dhe as të parapërgatitet për të. Sepse këtu paguan qytetari.