Mish nga Paraguaj me dokumente të falsifikuara
DURRES – Dy kontenierë me mish dhe dhjamë gjedhi të ngrirë u bllokuan dje në Portin e Durrësit, pasi ka rezultuar se firma e veterinerit zyrtar ishte e falsifikuar. Dyshimet erdhën pasi në certifikatat që shoqëronin mallin rezultonin se ai duhej të transportohej për në Rusi. Sipas burimeve të Ministrisë së Bujqësisë bëhet e ditur se, “më 10 mars të këtij viti, në pikën e Kalimit Kufitar, Porti Durrës, kanë mbërritur dy kontenierë që përmbanin respektivisht mish gjedhi të ngrirë në sasinë 27600 kg dhe dhjam gjedhi të ngrirë në sasinë 28400 kg, të cilat janë zhdoganuar në doganën e Tiranës. Nga verifikimi i certifikatave veterinare që shoqëronin produktin pranë Shërbimit Veterinar në Paraguaj rezultoi se ngarkesa e dhjamit të gjedhit ishte lëshuar për mish të ngrirë pa kocka, kurse ngarkesa tjetër me mish ishte destinuar për në Rusi”. Menjëherë është bërë lidhja me Autoritetin Kompetent në Paraguaj, i cili konfirmoi se firma e veterinerit zyrtar në të dy certifikatat është false. Nga ana e tij, Inspektorati i Sigurisë Ushqimore së Tiranës ushtroi më datën 18 mars kontroll në magazinat frigoriferike të kompanisë dhe konstatoi se dhjami i ardhur nga Paraguaj nuk gjendej në magazinë. Të pyetur se ku ka përfunduar malli, drejtuesit e kompanisë pretendojnë se e gjithë sasia prej 27600 kg është futur në përpunim për prodhim nënproduktesh me origjinë shtazore. Në magazinë u gjet një sasi prej 26450 kg mish, i cili u bllokua deri në verifikimin dhe përcaktimin e cilësisë së tij. Nga burimet e Ministrisë së Bujqësisë mësohet se që nga data 6 Mars 2010, në sheshin e kontenierëve në port gjenden 3 të tillë me ngarkesë mishi të pashoqëruar me dokumentacionin që garanton sigurinë e produktit (certifikatë veterinare) si dhe vendin nga janë nisur, dërguesin dhe kush është pritësi në Shqipëri. Për këtë ka nisur hetimi dhe i është kërkuar bashkëpunim dikastereve përkatëse, ku veç Ministrisë së Bujqësisë do të bashkëpunojnë dhe Drejtoria e Krimit Ekonomik në Ministrinë e Brendshme si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Hyrja e mishit pa kontroll përbën shqetësim për sigurinë ushqimore, duke ndikuar direkt te konsumatori shqiptar.