Bogdani: “Golat do të vijnë shpejt”

Nëntë ndeshje në kampionat, 15 pikë të fituara dhe Siena e Erjon Bogdanit është e katërta në renditjen e Serie A, për shumëkënd kampionatit më të bukur në botë. Të gjithë në skuadër e kanë të qartë se është ende herët që të përmendet fjala "Evropë" dhe kështu mendon edhe sulmuesi shqiptar i bardhezinjve Erjon Bogdani.
"Po kalojmë një momemt të mrekullueshëm por është e vështirë të themi se deri ku do të arrijmë", thotë shqiptari. "Me rëndësi është që të përjetojmë këto momente. Me siguri se do të arrijnë edhe periudha kur do të kemi vështirësi, prandaj është e rëndësishme që të marrim maksimumin e pikëve në fillim të kampionatit. Tani për tani gjërat po shkojnë si është më së miri".
Të dielën në Ascoli skuadra e drejtuar nga trajneri Beretta ka arritur që të shënojë edhe fitoren e tretë si mysafir. "Nuk ishte një ndeshje e mirë. Luftuam për 90 minuta dhe mendoj se në fund goli i Codreas që na dhuroi tre pikët ishte i merituar", ka shtuar Bogdani.
Të dielën në stadiumin "Franchi" të Sienës do të udhëtojë Parma. Një ndeshje që do të mund ti dërgonte bardhezinjtë e Sienës edhe më lart në klasifikimin e Serie A.
"Skuadra emiliane është e nivelit tonë. Shpresojmë që të luajmë mirë për të fituar ndeshjen. Më pas do të presim në shtëpi përsëri Regginën, dhe do të jetë e rëndësishme që të marrim pikët maksimale në këto dy përballje". E meta e Sienës së këtij sezoni është vështirësia me të cilën Bogdani po has në shënimin e golave, pas një sezoni të kaluar të shkëlqyer kur kishte shënuar 11 gola. Por 29-vjecari shqiptar tregohet i qetë. "Nuk më shqetëson shumë pasi skuadra po arrin të fitojë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Zakonisht në fillim të sezonit ndjej lodhjen e fazës përgatitore. Edhe në sezonin e kaluar golat e mi erdhën në pjesën e dytë të kampionatit. Kam qenë pak i penalizuar edhe nga disa probleme fizike. Tani jam mirë dhe jam i i sigurt që shpejt do të zhbllokohem".