E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri, tani përgjon edhe qeveria. PS kundër

Ministria e Financave fiton të drejtën për të kërkuar zbardhjen e bisedave telefonike, me pretendimin e ashpërsimit të luftës kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. Reagon PS: Ky qëllim bie ndesh me liritë dhe të drejtat e shtetasve. 

TIRANE- Zgjerohet numri i institucioneve që gëzojnë të drejtën e përgjimit të telefonave. Me pretendimin e ashpërsimit të luftës kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal, qeveria ka përfshirë edhe Ministrinë e Financave përkrah shërbimeve informative në të drejtën e përgjimit. “Duke pasur parasysh faktin se Ministria e Financave ka në dispozicion forca policore, të cilat veprojnë me atributet e oficerit të policisë gjyqësore, të përfshihet ligjërisht te organet, që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit, për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore”, citojmë nga projektligji në fjalë. Konkretisht, ndryshimi i parashikuar në ligjin “Për Përgjimin e Telekomunikacioneve”, është bërë në pikën 1 të nenit 6, sipas variantit “Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore”. Neni tjetër i amenduar është ai me numër 8 dhe ndryshimi që propozon qeveria është se “Prokurori i Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të Drejtorit të SHISH-it, Ministrit të Rendit Publik, Ministrit të Mbrojtjes ose Ministrit të Drejtësisë, ministrit, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit”. Në relacionin shoqërues të draftit, qeveria pretendon se “miratimi i këtij projektligji do të ashpërsojë dhe konkretizojë luftën ndaj evazionit tatimor dhe doganor, si dhe ndaj personave përfaqësues të shtetit, që punojnë në organet e mbledhjes së të ardhurave, që mund t’i sjellin dëme buxhetit të shtetit, me veprimtaritë e tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në kundërshtim me ligjin”. Ndërkaq, projektligji në fjalë ka shkaktuar reagimin e ashpër të opozitës. Shefi i çështjeve ligjore në Partinë Socialiste, Ylli Manjani në një komunikim të djeshëm me gazetarët e cilësoi nismën në fjalë të qeverisë, si shkelje të së drejtës kushtetuese të jetës private të shtetasve. “Ky qëllim i Sali Berishës bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të shtetasve. Kushtetuta e vendit garanton të drejtën e ruajtjes së jetës private të çdo shqiptari. Kurse qeveria i shkel këto të drejta kushtetuese! Me kësi ligjesh, PS-ja nuk mund të pajtohet”, - u shpreh Manjani.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›