Traktati i Varshavës, rrezik real për RPSH

Pushtimi ushtarak i Çekosllovakisë më 21 gusht 1968 nga trupat e Traktatit të Varshavës, bëri që reagimi i kancelarive botërore të ishte i menjëhershëm. Dënimi i këtij veprimi fashist erdhi jo vetëm nga vendet perëndimore, por edhe nga shtete totalitare komuniste, siç ishin Rumania, Jugosllavia dhe Kina, të cilat kishin dhënë prova se nuk e kishin fort për zemër tutelën sovjetike. Kështu, për ngjarjen e 21 gushtit, Çaushesku do të shprehej se ishte “një shkelje e sovranitetit kombëtar të një vendi socialist”, nga ana e tij Tito do ta cilësonte “pushtim të paligjshëm”, kurse Çu En Lai e quajti “shembulli më i qartë i politikës fashiste të përdorimit të forcës”. S’kishte asnjë mëdyshje se Shqipëria staliniste mund të heshte përballë kësaj situate. Në numrin e kaluar zbardhëm fjalën e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 2 shtator 1968, i cili argumentoi përse kishte ardhur momenti që Republika Popullore e Shqipërisë të denonconte botërisht Traktatin e Varshavës dhe pse në koniunkturat e krijuara ndërkombëtare merrte rëndësi të veçantë nga shteti shqiptar revokimi i këtij traktati. Padyshim që gjithë diskutimet e anëtarëve të Byrosë Politike do të ishin në të njëjtën gjatësi vale me opsionet e shprehura nga kreu i partisë dhe i shtetit. Në diskutimin e tij, kryeministri Mehmet Shehu do të përqendrohej kryesisht në fushën e mbrojtjes. “Të gjithë e dimë, - do të theksonte ai, - se pas Konferencës së Moskës, sa herë që kemi diskutuar në Byronë Politike, ne e kemi shikuar Traktatin e Varshavës me syrin real, si rrezik për pavarësinë e vendit tonë, prandaj qysh atëherë kemi marrë të gjitha masat për t’u mbrojtur jo vetëm kundër Jugosllavisë, Greqisë, Italisë dhe SHBA-ve, por edhe kundër vendeve të Traktatit të Varshavës. Sistemi ynë i mbrojtjes është ndërtuar për të përballuar çdo agresion, nga çdo anë që të vijë, si nga vendet imperialiste, ashtu edhe nga ato të Traktatit të Varshavës. Por, gjersa nuk e kemi denoncuar ligjërisht Traktatin e Varshavës, ai qëndronte mbi ne si shpata e Damokleut dhe nga ana juridike forcat e tij mund edhe ta invadonin Shqipërinë”. Pavarësisht frymës euforike, Mehmet Shehu e vë në dijeni Byronë Politike për nevojën e një ndihme suplementare nga shteti kinez për ushtrinë tonë, e cila “duhet të jetë në gjendje të përballojë çdo zbarkim që mund të bëhet në territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë”. Dhe kjo ndihmë sipas kryeministrit të shtetit shqiptar, konsistonte në dy drejtime, e para: “për të forcuar më tepër mbrojtjen bregdetare me mjete fushore, të karrocuara dhe me artileri” dhe së dyti: “për të forcuar aviacionin dhe mbrojtjen kundërajrore”. Qëndrimi distancues ndaj agresionit ushtarak në Çekosllovaki dhe denoncues ndaj Traktatit të Varshavës, e impononte shtetin shqiptar të ishte i përgatitur ndaj rrezikut real që i kanosej sovranitetit të Republikës Popullore të Shqipërisë. Shoku Mehmet Shehu: - Shoku Enver foli përse është e përshtatshme që ne të denoncojmë tani Traktatin e Varshavës. Unë dëshiroj të theksoj se më 14 maj 1955 ne shkuam për ta nënshkruar Traktatin e Varshavës me zemër revolucionare dhe me qëllime të pastra, sepse ashtu sikurse shprehet edhe në nenet e këtij traktati, ai kishte për qëllim mbrojtjen e socializmit dhe të kampit socialist, pasi në atë kohë, me krijimin e Republikës Federale Gjermane dhe futjen e saj në bllokun ushtarak të NATO-s, rrezikohej Republika Demokratike Gjermane dhe kampi socialist. Traktatin e Varshavës ne e nënshkruam, duke u nisur nga pozita të drejta internacionaliste, mirëpo më pas, evolucionin që pësuan vendet socialiste të Evropës Lindore dhe politika tradhtare që ndoqi udhëheqja revizioniste sovjetike e larguan Traktatin e Varshavës nga qëllimi i tij i drejtë, duke e kthyer atë nga një instrument mbrojtjeje kundër agresionit imperialist, në një instrument të rrezikshëm në duart e udhëheqjes sovjetike. Qysh para gjashtë vjetëve, për partinë dhe popullin tonë u bë mëse e qartë se revizionistët sovjetikë mund ta përdornin Traktatin e Varshavës për të sulmuar të gjithë vendet anëtare të këtij traktati. Partia dhe qeveria jonë, por edhe Komanda e Përgjithshme qysh në fillim kanë luftuar kundër shkeljes së neneve të Traktatit të Varshavës nga ana e revizionistëve sovjetikë. Marrëveshjet e përfunduara dhe vendimet e marra pas nënshkrimit të traktatit kanë qenë krejtësisht formale. Të marrim për shembull çështjen e Komandës së Përgjithshme. Në marrëveshjen e përfunduar thuhet se “ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare duhet të jenë nënkomandantë të Forcave të Armatosura të vendeve të Traktatit të Varshavës”, kurse në fakt, ky vendim ishte vetëm formalisht, sepse përveç atij të Bashkimit Sovjetik, ministrat e tjerë të Mbrojtjes nuk luanin asnjë rol. Ne nuk e dinim se çfarë forcash, çfarë programi stërvitjeje dhe çfarë plani për mbrojtjen e përbashkët kishte Komanda e Përgjithshme. Kur shefi i shtabit të Komandës së Përgjithshme, Antonovi, ishte këtu dhe e pyetëm nëse Komanda e Përgjithshme kishte ndonjë plan mbrojtjeje të përbashkët, ai na u përgjigj: “Ne mendojmë edhe për Shqipërinë”. Partia dhe qeveria jonë vazhdimisht janë përpjekur për të forcuar ushtrinë tonë. Por kur ne u thoshim revizionistëve sovjetikë përse të mos kemi 10-15 komplete armatimesh, ata menjëherë na vinin çështjen, që “të mos kishim frikë nga jugosllavët”. Bile në një mbledhje të Komitetit Konsultativ në Moskë, sovjetikët na propozuan t’i pakësonim forcat në kufirin jugosllav, të mos kishim regjimente në Kukës dhe Peshkopi dhe korpus në Shkodër, sepse bëheshin ata garantë për mbrojtjen e Shqipërisë nga Jugosllavia. Revizionistët sovjetikë e konsideronin ushtrinë tonë si forcë simbolike, prandaj, sikurse dihet, armatimin e sotëm të ushtrisë ne e kemi siguruar pas tradhtisë së udhëheqjes sovjetike. Në fakt, para prishjes me revizionistët sovjetikë, ne s’kishim ushtri nga pikëpamja e armatimeve, prandaj shyqyr që u prishëm me ta! Në Traktatin e Varshavës ne kemi pasur fërkime edhe për çështje ekonomike. Këto fërkime i bënë sovjetikët të arrinin në konkluzionin dhe të thoshin se “shqiptarët i bëjnë këto gjëra, pasi kanë frikë nga jugosllavët” dhe se po të na nxirrnin “frikën”, atëherë ne do të tërhiqeshim. Në të vërtetë, ne ishim në kundërshtim me Nikita Hrushovin para se të nënshkruhej Traktati i Varshavës, qysh në kohën kur ai bëri tentativën për të shkuar tek Titoja dhe Byroja Politike, ku vendosi të mos e pranojë këtë akt tradhtie. Por, në atë kohë, raporti i forcave ishte i atillë, që ne nuk mund të dilnim hapur kundër udhëheqjes revizioniste sovjetike, megjithëse nuk e njihnim akoma mirë fytyrën e asaj, ashtu siç u bë plotësisht e qartë më vonë. Ndërsa në mbledhjen e Bukureshtit, kur partia jonë pa se nuk mund të vazhdohej më me gjendjen e krijuar, ajo doli hapur kundër udhëheqjes sovjetike dhe më pas, në Konferencën e Partive Komuniste e Punëtore të Moskës, më 1960, qëndrimi ynë u bë krejtësisht i qartë. Gjer në Konferencën e Moskës ne ishim “de jure” në Traktatin e Varshavës, kurse në realitet roli i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera anëtare të këtij traktati (Bullgarisë, Rumanisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, Polonisë dhe Republikës Demokratike Gjermane) ishin zero, me një fjalë ne kishim “hapsat e kashtës”. Me ndërhyrjen e armatosur në Çekosllovaki, u duk qartë se vendet e tjera të Traktatit të Varshavës janë bërë shërbëtorë të revizionistëve sovjetikë jo vetëm në furnizimet, në armatimet etj., por edhe në tërheqjen e tyre në rrugën e agresionit. Pas Konferencës së Moskës, “de fakto” Shqipëria u përjashtua nga Traktati i Varshavës, ndërsa në mbledhjen e këtij traktati që u mbajt në mars të vitit 1962 në Moskë, kur në vend të shokut Enver vajti shoku Beqir, ne u përjashtuam edhe “de juro”. Qysh në atë kohë ne u hodhëm definitisht në një forcë kundërshtare të Traktatit të Varshavës dhe forcat e tyre kundra nesh. Pasi revizionistët na përzunë nga Traktati i Varshavës, ne nuk kemi ndërprerë për asnjë moment luftën kundër tyre dhe kemi kundërshtuar të gjithë vendimet që ata kanë marrë pa pjesëmarrjen tonë, siç janë: “Shtytja e traktatit të paqes me Republikën Demokratike të Gjermanisë”, “Thirrja për krijimin e paktit të mossulmimit midis vendeve të Traktatit të Varshavës dhe vendeve të bllokut të NATO-s”, “Përfundimi i traktatit trepalësh për ndalimin e provave të armëve bërthamore” etj. Për të gjitha këto, armiqësia e revizionistëve kundër Shqipërisë ka ardhur vazhdimisht duke u ashpërsuar. Të gjithë e dimë se pas Konferencës së Moskës, sa herë që kemi diskutuar në Byronë Politike, ne e kemi shikuar Traktatin e Varshavës me syrin real, si rrezik për pavarësinë e vendit tonë. Prandaj, qysh atëherë, kemi marrë të gjitha masat për t’u mbrojtur jo vetëm kundër Jugosllavisë, Greqisë, Italisë dhe SHBA-ve, por edhe kundër vendeve të Traktatit të Varshavës. Sipas mësimeve të shokut Enver, sistemi ynë i mbrojtjes është ndërtuar për të përballuar çdo agresion, nga çdo anë që të vijë, si nga vendet imperialiste, ashtu edhe nga ato të Traktatit të Varshavës. Por ashtu sikurse tha shoku Enver, gjersa nuk e kishim denoncuar ligjërisht Traktatin e Varshavës, ai qëndronte mbi ne si shpata e Demakleut dhe nga ana juridike forcat e tij mund të invadonin Shqipërinë. Të mos harrojmë se të gjitha ngjarjet që po zhvillohen në Evropë janë rezultat i aleancës sovjeto-amerikane, prandaj nuk është e rastit as dalja e Flotës sovjetike në detin Mesdhe, e cila, me përjashtim të aeroplanmbajtëseve, ia kalon Flotës së Gjashtë të SHBA-ve. Pra, tani në Mesdhe kemi jo vetëm Flotën e Gjashtë Amerikane, por edhe atë sovjetike, që na paraqitet në një gjendje të rrezikshme. Duke denoncuar Traktatin e Varshavës, ne kryejmë një veprim revolucionar dhe, sido që të bëhet, imperialistët e revizionistët s’kanë asnjë bazë juridike ku të mbështeten për të sulmuar Shqipërinë. Ky është i vetmi qëndrim i drejtë internacionalist. Në rast se revizionistët sovjetikë do të invadojnë Rumaninë, do të ashpërsohet gjendja edhe me Shqipërinë, por në esencë, këtu nuk ndryshon asgjë, sepse ata armiq ne i kemi pasur dhe për këtë arsye kemi marrë masa për mbrojtjen e kufijve nga të gjitha anët, nga toka, deti dhe ajri. Denoncimi i Traktatit të Varshavës mund të sjellë që vendet anëtare të tij të presin marrëdhëniet ekonomike me vendin tonë, megjithëse ato kanë interes të bëjnë tregti, por edhe kjo nuk na prish punë. Me këtë rast, unë u interesova për të parë marrëdhëniet tona ekonomike që ekzistojnë me vendet e Traktatit të Varshavës, dhe del se marrëdhënie tregtare kemi më tepër me Çekosllovakinë, që kapin shumën e 20 milionë rublave dhe këtu peshën më të madhe e zë hekur-nikeli, nga 70-të milionë rubla që është eksporti ynë, kurse marrëveshjet e tjera janë në bazë kleringu, sepse për ato që marrim u japim. Kështu, përveç hekur-nikelit, për të gjithë mallrat e tjera ne mund të gjejmë treg ndërkombëtar. E rëndësishme është ajo që tha shoku Enver, se me agresionin ushtarak ndaj Çekosllovakisë kemi ndryshimin e koniunkturës dhe të forcave në Ballkan. Para pushtimit të Çekosllovakisë nga ushtritë e pesë vendeve të Traktatit të Varshavës, Tito po përpiqej të krijonte një bashkim më të ngushtë me Çekosllovakinë dhe Rumaninë, kurse tani që sovjetikët kërcënojnë edhe Rumaninë, ai e ndjen rrezikun e presionit (jo të agresionit), gjë që e ka çuar të marrë masa mbrojtjeje në kufirin me Bullgarinë dhe Hungarinë. Kjo e zbut rrezikun e një sulmi ushtarak të Jugosllavisë kundër vendit tonë. Në këtë situatë ne duhet të shfrytëzojmë kontradiktat midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, por megjithatë, duhet të jemi kurdoherë vigjilentë. Nga ana tjetër, Jugosllavia është për ne shteti trampolinë për vendet e Traktatit të Varshavës, sepse ushtritë e tyre duhet të kalojnë nëpërmjet saj, megjithëse mund të na sulmojnë edhe nga deti e ajri, gjë që duhet ta kemi parasysh. Në qoftë se Bashkimi Sovjetik do të sulmojë Jugosllavinë, atëherë ne vihemi në një situatë shumë të vështirë, sepse NATO-ja do të hyjë në garë me sovjetikët se kush të pushtojë më parë Shqipërinë. Në këtë rast ne duhet të përgatitemi për t’u mbrojtur si kundër sulmit të sovjetikëve nëpërmjet Jugosllavisë, ashtu edhe kundër atij të NATO-s. Shoku Enver dhe Këshilli i Mbrojtjes, me ndihmën që na është dhënë nga Republika Popullore e Kinës, kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e vendit tonë. Por, ashtu sikurse theksoi shoku Enver, përpara kësaj situate duhet të merremi edhe më shumë me përgatitjen e popullsisë dhe të vetë ushtrisë për të forcuar edhe më tepër gatishmërinë. Ne kemi menduar që këtë situatë dhe koniunkturë t’ua bëjmë të njohur shokëve kinezë dhe t’u kërkojmë një ndihmë suplementare mbi ato që duhet të na japin, megjithëse marrëveshjen e nënshkruar për të na furnizuar me armatime gjatë vitit 1968, për arsye të gjendjes së brendshme në Kinë, ata kanë kërkuar të shtyhet. Prandaj do të kërkojmë që në vitin 1969 të na japin disa armatime të tjera, për vendet që i konsiderojmë më të dobëta, megjithëse ne jemi të siguruar. Kjo ndihmë do të kërkohet për të forcuar më tepër mbrojtjen bregdetare me mjete fushore, të karrocuara edhe me artileri, në mënyrë që të jemi në gjendje të përballojmë çdo zbarkim që mund të bëhet, sepse në luftën e sotme bregdeti mund të sulmohet edhe me tanke amfibër. Nga ana tjetër, do të kërkojmë për të forcuar aviacionin dhe mbrojtjen kundërajrore, sepse po të na sulmojë Jugosllavia, Greqia, Italia dhe vendet e tjera të NATO-s, si dhe shtetet e Traktatit të Varshavës, duhet të kemi edhe një aviacion më të fuqishëm dhe raketa kundërajrore, të cilat përbëjnë një forcë të konsiderueshme. Këto janë dy drejtimet që mendojmë të kërkojmë ndihmën e shtetit kinez. Pas ngjarjeve në Çekosllovaki, shoku Enver na tha se tani është momenti më i përshtatshëm për ta denoncuar Traktatin e Varshavës dhe ne përgatitëm nga ana e qeverisë të gjitha materialet e nevojshme. Unë jam plotësisht dakord që ne ta denoncojmë Traktatin e Varshavës. Shoku Hysni Kapo: “Jam plotësisht dakord me analizën që bëhet lidhur me ndryshimin e karakterit të Traktatit të Varshavës, me situatën ndërkombëtare, si dhe me vendimin që duhet të marrim për denoncimin e këtij traktati. Marrja e këtij vendimi ka një rëndësi të madhe politike. Gjithnjë partia dhe populli ynë e kanë pasur shumë të qartë, se me tradhtinë e revizionistëve sovjetikë dhe të tjerë, Traktati i Varshavës e kishte humbur karakterin e tij mbrojtës dhe se nuk kishte asnjë vlerë për vendin tonë, por ashtu si u tha nga shokët, për denoncimin nga ana juridike pritej vetëm momenti i përshtatshëm. Marrja e këtij vendimi do të sjellë pa dyshim një mobilizim edhe më të madh në masat punonjëse. Shoku Ramiz Alia: “Edhe unë jam plotësisht dakord për denoncimin e Traktatit të Varshavës dhe vendimi që do të marrim t’i paraqitet për aprovim Kuvendit Popullor. Me denoncimin e Traktatit të Varshavës situata e vendit tonë me vendet ku kanë ardhur në fuqi revizionistët mbetet e njëllojtë, ashtu sikurse edhe përpara denoncimit të tij, bile kjo bëhet edhe më e favorshme si për popullin tonë, ashtu edhe në planin ndërkombëtar. Ky veprim do të rritë edhe më shumë autoritetin e partisë dhe të qeverisë sonë. Dua të theksoj se me këtë akt ne shikojmë sot edhe njëherë urtësinë e partisë sonë, sepse qysh në vitin 1960, kur ne i dënuam hapur revizionistët sovjetikë, Traktati i Varshavës ishte për Republikën Popullore të Shqipërisë një mjet agresiv dhe që duhej denoncuar, por nga urtësia e partisë sonë dhe e shokut Enver ne nuk e morëm në atë kohë këtë hap për efekt të propagandës që mund të zhvillonin revizionistët modernë. Por lufta e pandërprerë që partia jonë ka zhvilluar gjatë kësaj kohe kundër revizionistëve sovjetikë e të tjerëve, si dhe të gjitha deklaratat që ne kemi bërë prej vitit 1960 e këtej lidhur me vendimet e marra nga Traktati i Varshavës, siç janë: “shtytja e nënshkrimit të traktatit të paqes me Republikën Demokratike të Gjermanisë”, “Thirrja për krijimin e paktit të mossulmimit me NATO-n” dhe “Përfundimi i traktatit trepalësh për ndalimin e provave bërthamore”, përveç të tjerash, krijuan terrenin e përshtatshëm për të ndërmarrë sot me plot të drejtë një veprim të tillë. Qysh me prishjen e marrëdhënieve tona me sovjetikët, ne thoshim se Traktati i Varshavës përbënte një rrezik për vendin tonë, kurse ngjarjet e Çekosllovakisë e vërtetuan këtë më së miri edhe për ata që mund të kishin lëkundje.Tani të gjithë argumentet janë në favorin tonë. Ky është momenti më i përshtatshëm, prandaj edhe unë jam plotësisht dakord për ta denoncuar Traktatin e Varshavës. Marrja e këtij vendimi është plotësisht e drejtë dhe e bazuar në marksizëm-leninizmin. (Vijon të dielën e ardhshme)