Misionari i paqes Feti Vogli humb jetën nga një sulm terrorist në Afganistan

++ Ministria e Mbrojtjes: Forcat e Armatosura humbën dy ushtarakë të zotë
++ Trupi diplomatik shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave
++ Berisha: Ngushëllime familjes Vogli, shërim të shpejtë Nëntetarit Peci
++ Kush është Kontingjenti “Eagle 4”, misioni i kontingjentit paqeruajtës nën drejtimin e nënkolonel Behar Mara
U nisën për një mision paqeje por fati e desh që njëri prej komandove të “Eagle 4” tyre të humbte jetën dhe tjetri të luftojë më vdekjen në spital fal një sulmi terroristë në Kandahar të Afganistanit. Dy komando shqiptarë janë gjendur në mesin e një sulmi të ndodhur ditën e djeshme në Kandahar – Afganistan, ku njeri prej tyre, Kapiten Feti Vogli 31 vjeç nga fshati Shpat i komunës Baldushk në Tiranë ka humbur jetën, kurse specialisti i armatimit Aleksandër Peci 23 vjeç nga Lekbibaj i Tropojës, i cili ka marrë plagë të rënda ka hyrë në koma në spitalin ushtarak të Komandës ISAF, Rol 3 në Kandahar. Një ekipi mjekësor i specializuar po monitoron hap pas hapi ecurinë e gjendjen së tij shëndetësore. Ngjarja është regjistruar në Kandahar, në orën 15:05, ku në drejtim të komandove të Kontingjentit “Eagle-4”, është hapur zjarr prej efektivëve të policisë afgane, siç njofton ministria e Mbrojtjes. Ministria e Mbrojtjes sqaron se ngjarja ka ndodhur në fshatin Robot 2, në Kandahar ku Grupi i 1-rë Special, i drejtuar nga Kapiten Feti Bedri Vogli, si dhe një grup nga Bat. 2-38 CAV, janë sulmuar teksa ishin në mision patrullimi. Ata kishin detyrë të patrullonin dhe siguronin jetën e “personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”, të cilët po zhvillonin një takim për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në këtë fshat. Por papritur, në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektiva të policisë lokale (sipas të dhënave paraprake është hapur zjarr nga 5 armë automatike (Aut.Mod.56) dhe një mitraloz i lehtë.
Po sipas njoftimit të ministrisë, gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur 3 ushtarakë, një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të Kontingjentit “Eagle-4", njeri humbi jetën ndërsa tjetri është duke luftuar për jetën në spital. Ndërkohë që mësohet se janë arrestuar 11 persona të veshur me rroba të policisë afganë, që hapën zjarr në drejtim të efektivave tona. Kjo është hera e parë që komandot shqiptarë, pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s pësojnë humbje jete në Afganistan. Humbje e madhe për gjithë Shqipërinë, lavdi veprës së tyre humane madhështore, një përvojë kjo për ushtrinë Shqiptare, sepse misione të vështira si ky në vende ku sundon anarkia dhe kaosi i shkaktuar nga talebanët e terroristë të Al Kaedës është i shoqëruar me shumë të papritura. Në një konferencë për shtyp, Ministria e Mbrojtjes sqaroi edhe njëherë se vrasja e dy komandove shqiptarë në Kandahar është bërë nga “një grup personash të veshur me uniformën e policëve afgane”. Ministria e Mbrojtjes ngushëllon familjet e tyre duke theksuar se, “Forcat e Armatosura humbën dy ushtarakë të zotë, të devotshëm, të përgatitur më së miri për plotësimin e detyrave në shkallë shumë të lartë vështirësie, ndërsa familjet humbën njerëzit e dashur. Janë marrë të gjitha masat për riatdhesimin, ceremonialin e ndërrimit dhe mbështetjen financiare të familjeve”, thuhet në njoftim. Kapiten Feti Bedri Vogli, vetëm para disa muajsh i kishte mbushur të 30-at dhe kishte lënë në lagjen periferike Bathore në Tiranë, një vajzë rreth dy vjeçe dhe gruan e tij. Në qershor të këtij viti, Kapiten Feti Bedri Vogli do të mbushte 31 vjeç por jeta e tij u pre fatalisht dhe tragjikisht nga sulmi me armë zjarri që iu bë nga forcat policore lokale në Kandahar, Afganistan. Ai ishte me origjinë nga fshati i Rrove i komunës Baldushk i rrethit të Tiranës. Ndonëse ai kishte një shtëpi ne qesarake të teleferiku prindërit dhe të afërmit i kishte në Baldushk atje ku dhe është hapur dera e zisë. Që në orët e mbrëmjes prindërit kanë hapur dyer duke pritur të afërmit për ngushëllime. Edhe Aleksandër Jak Peci ishte po ashtu objektiv i sulmit. Një tjetër komando, djalë beqar, pjesë e ekipeve më të mira të komandove shqiptarë ishte pjesë e sulmit në Afganistan por për fat ai ende nuk ka dhënë jetë dhe vazhdon të luftojë me vdekjen ndonëse po bëhet e pamundura nga stafi spitalor që ai të mbijetojë. Aleksandër Peci ishte vetëm 24 vjeç dhe ka gjetur goditjen e dhimbshme, në një sulm të padrejtë që iu krye në mision e sipër humanitar. Vetëm dy ditë më parë, Aleksandri, komandoja 24 vjeçar me origjinë nga Lebibaj i Tropojës ka përcjellë mesazhin e fundit për të gjithë miqtë dhe të afërmit e tij. Të shtunën e 18 shkurtit, Aleksandër Peci ka postuar në profilin e tij në Facebook, videon e tij të fundit në një gëzim familjar bashkë me miqtë e tij. Pas kësaj, në profilin e tij nuk do të ketë më asgjë. E vizituam këtë faqe për të përcjellë ndjesitë e fundit për komandon e mirë, i cili që prej 16 janarit të këtij viti nuk ka rreshtuar së menduari për vendin e tij por edhe dashurinë e largët. Mes shumë postimeve, bien në sy këngët e ndjeshme, të mallit por edhe dashurisë. “Mos u pendo për dicka qe ke bere, sepse kur e ke bere ke qene i lumtur”, shkruajti Aleksandri, 10 ditë pasi kishte mbërritur në tokën e luftës, në Afganistan bashkë me komandot e tjerë të misionit “Eagle 4”, këtë herë në Kandahar”
Kush është Kontingjenti Eagle 4
Kontingjenti “EAGLE 4” përbëhet nga 45 efektiva të Batalionit të Forcave Speciale. Ky kontingjent zëvendëson kontingjentin “Eagle 3”, i cili aktualisht ndodhet me mision luftimi në terren, në vijën e parë të frontit të luftës në Kandahar, Afganistan. Kontingjenti “EAGLE 4” është i atashuar pranë Komandës së Forcave Speciale Amerikane dhe do të drejtohet nga nënkolonel Behar Mara. Kontingjenti Eagle 4 ka marrë detyrën, me datën 28.01.2012 në një nga zonat më problematike të zonës jug–lindore të Afganistanit, në kufirin që lidh, atë me Pakistanin. Situata e përgjithshme është kjo. Një ndër synimet kryesore të komandës së ISAF, për zonën juglindore të Afganistanit, është mbajtja e hapur, lëvizja e lirë e popullsisë në autostradën nr 4 që lidh ,Pakistanin me Afganistanin, si një nyje e rëndësishme, për zhvillimin e rajonit dhe tregtisë ndërmjet dy vendeve. Siguria dhe kontrolli i plotë nga forcat e koalicionit, në mbështetje të policisë lokale, për parandalimin e kontrabandës, trafiqeve të paligjshme, si armë, eksplozivë, pengmarrje për qëllim përfitimi parash, tregtia e drogës. Përgatitja e forcave të sigurisë Afgane, rritja e rolit drejtues, e aftësive menaxhues së tyre, për kalimin gradual të qeverisjes, drejtimit dhe sigurisë tek partnerët vendas. Zona në të cilën operojmë dhe kryejmë detyrat operacionale është ndër rajonet më problematike, të sigurisë dhe për kërcënimin e trupave të koalicionit dhe forcave të sigurisë Afgane, sepse është arteria kryesore ku zhvillohet kontrabanda, trafikimet e paligjshme. Talebanët kanë ndryshuar strategjinë e tyre të veprimit, ndryshojnë teknikat dhe taktikat e sulmit dhe goditjes ndaj forcave të sigurisë dhe ato të koalicionit. Elementet terroriste talebane, përgatiten dhe penetrojnë nga kufiri Pakistanez, duke depërtuar në zonën tonë të operacionit, të cilët janë luftëtare të huaj, të rekrutuar nga vende të ndryshme kufitare të Afganistanit, si dhe nga vende të tjera. Qëllimi i tyre është të përhapin panik në popullsi, përhapja e ndjenjës së pasigurisë, për mos funksionimin e Qeverisë afgane dhe rolit të trupave të koalicionit. Rreziku konsiston, jo vetëm në vendosjen e minave të improvizuara të cilët i përsosin dhe i sofistikojnë dita-ditës, përdorimi i makinave bombë, në vende të populluara. Por në përdorimin e taktikave të reja. Një taktikë tjetër e tyre e përdoruar kohët e fundit është sulmi i kombinuar, që do të thotë, nëse përpara përdornin vetëm shpërthim ndaj patrullave shumëkombëshe, pastaj largoheshin, tani përdorin tjetër taktike, shpërthimi koordinohet dhe me sulm, pasi patrulla ndalet, goditet me raketa apo zjarr të kombinuar, duke shkaktuar pasoja, sa më të rënda.
Çfarë është Misioni i EAGLE 4
Të sigurojë, mbështesë, drejtojë Distriktin kryesor të Policisë Afgane në qytetin Spin Boldak, Kandahar, të kontrollojë, mbështesë të gjitha pikat e kontrollit që lidhin Pakistanin me Kandaharin, patrullime të përbashkëta me policinë Afgane në një thellësi mbi 80 km. Të kryejë detyra operacionale speciale, të ndërhyrjes në të gjithë zonën e përgjegjësisë ku vepron Brigada 504 e survejimit USA. Të kryejë detyrat e zbulimit dhe të grumbullimit të informacionit në zonën e përgjegjësisë. Detyra, kërkim kontrolli në qytet dhe zonat rurale, për kapjen e elementeve terroriste të etiketuar. Të kryejë detyrat e shoqërimit të Personelit VIP, ushtarak e civil në zonën e përgjegjësisë. Trupat tona kryejnë detyra të mirëfillta operacionale, gjatë 24 orëve në zonë mjaft të gjerë të përgjegjësisë që shkon në një thellësi mbi 80 km, terren mjaft i thyer, i zhveshur, zona e cila mjaft e detonuar nga vendosja e lëndëve të improvizuara në rrugët e afrimit dhe lëvizjes së forcave të koalicionit.
Drejtimi i EAGLE-4 nga nënkolonel
Behar Mara dhe ndërrimi i misioneve
Misioni EAGLE-4 drejtohet nga nënkolonel Behar Mara i cili në vitin 2003 ka drejtuar si komandantit i Forcave speciale në Kabul Afganistan. Në vitin 2008 komandant i kontingjentit për Forcat Speciale dhe Komando në operacionin: “Liria Irakut” – Sot komandant i EAGLE-4 në Kandahar Afganistan. Një ceremoni e veçantë, jo vetëm tradicionale, ku shpalosen vlerat kombëtare, por vlerësime të larta për kontingjentin paraardhës dhe fjalë mirëseardhje kontingjentit tjetër. Në këtë ceremoni, ishin të ftuar të gjitha autoritetet e drejtuesit e policive, vendore dhe lokale, komandanti i Brigadës 504 USA, kolonel Jonston, si dhe komandanti i Batalionit Operacional 2-38 kol Jones! Himnet kombëtare të` dy shteteve, jo vetëm të trimërojnë, por fuqia, forca, shpirti, i të kënduarit të himnit, kur këndohet larg atje, duket treguar me burrë, shqiptar, të bëjnë akoma më shumë të duash flamurin tënd, kombin tënd. Fjale të thella të komandantit të USA kolonel Jones, për punën e bërë për kontingjentin e Forcave Speciale. Ai shprehu mirënjohjen me të thellë, për punën e shkëlqyer, bashkëpunimin e gjithanshëm, standardet e arritura, të konkretizuara në detyrat e kryera dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të vendosura me autoritetet afgane dhe popullsinë vendase. Ku në fjalën e tij mund të citoj: “ Kur po përpiqesha të fokusoja, të ndryshoja raportet e mjedisit në një nga zonat e populluara dhe problematike, krahas kontrollit të autostradës nr-4, pra kontrolli i qytetit të Spin –Boldakut, n/kolonel Dauti, u përgjigj, po ne mund të veprojmë, jemi FS mund të bëjmë gjithçka, që tani. Pra koloneli vlerësoi në maksimum, profesionalizmin, përkushtimin e treguar nga Forcat tona Speciale, si dhe partneritetin e shkëlqyer me Forcat Amerikane me të cilët kryejmë operacione të përbashkëta, por duke mos harruar marrëdhëniet e shkëlqyera të vendosur me të gjitha strukturat e policisë vendase, kur për çudi që të gjithë erdhën, nuk munguan në këtë ceremoni. Fjalë mirënjohje e veçantë për trupat tona nga gjenerali afgan i Kandaharit, Abdul Raziq, i cili drejton, të gjitha forcat e sigurisë afgane në të gjithë zonën, pra janë këto marrëdhënie të mira, njohja e traditës, zakoneve, kulturës së tyre, një pikë kyçe për të fituar respekt në popull, për të qenë më pak i rrezikuar gjatë kryerjes së detyrave.
Misionet paqeruajtëse jashtë vendit
Kontributi i Forcave tona të Armatosura në misione paqeruajtëse ka shënuar rritje progresive si sasiore po ashtu edhe cilësore. Në pikëpamje sasiore, numri i personelit të FA i angazhuar në misione jashtë vendit ka arritur në 346 trupa, nga 305 që ishin në 2010, duke rritur në këtë mënyrë prezencën dhe kontributin që Shqipëria jep për paqen dhe sigurinë në botë. Gjatë 2011 Shqipëria rriti natyrën e misioneve duke plotësuar kështu gamën e operacionalitetit të Forcave të Armatosura. Ndërsa gjatë viteve të shkuara ishim prezent në operacione kryesisht me natyrë mbështetëse, gjatë vitit 2010, Forcat e Armatosura angazhuam për herë të parë në historinë e Forcave të Armatosura në operacione luftarake në Afganistan me Forcat Speciale. Gjatë 2011 u arrit edhe një tjetër hop cilësor, duke u angazhuar në misione trajnuese, të cilat nga pikëpamja e cilësisë teknike, shënojnë një arritje madhore. Forcat Armatosura morën përgjegjësinë për herë të parë për drejtimin e një Ekipi Operacional Patronazhi dhe Koordinimi (OMLT 1, 2) të kombinuar shqiptaro-amerikan, misioni i të cilët është trajnimi i një batalioni të mbështetjes së luftimit të Ushtrisë Kombëtare Afgane. Diversifikimi i operacionalitetit të Forcës tonë të Armatosur dhe rritja sasiore dhe cilësore e angazhimit në misionet paqeruajtëse kanë bërë që Shqipëria të konsiderohet si një ndër vendet me kontributet më të larta (e dyta pas SHBA-ve) për frymë veçanërisht në operacionin ISAF në Afganistan, por edhe në tërësi për paqen dhe sigurinë në botë. Misionet paqeruajtëse jashtë vendit i kushtojnë vendit rreth 15 milion dollarë në vit, sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kush janë dy komandot e EAGLE 4
Biografia e Kapiten Feti Vogli
Kapiten Feti Vogli, lindur më 23.05.1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, është i martuar dhe nga martesa e tij me zonjën Alva, ka një vajzë 2 vjeçe me emrin Egi. Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Tokësore u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës Bunavi. Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më datë 16.07.2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi. Nga data 1.06.2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore. Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme si: Medalja e Karrierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar. Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007. Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010. Nga data 16.012012 është dërguar me mision luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.
Biografia e N/tetar Aleksandër Jak Peci
Nëntetar Aleksandër Jak Peci, ka lindur me 26.09.1988, në fshatin Lekbibaj të Tropojës dhe banues në Bathore, Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bathore, është titulluar ushtarak aktiv me gradën profesionist i parë, në Repartin Ushtarak Nr.1001.
Pas kryerjes me sukses të Kursit Bazë të Forcave Speciale, më datën 16.01.2011, është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë specialist armatimi në Grupin e Parë Special të Kompanisë së Aksioneve Special Ujore në Batalionin e Forcave Speciale. Nëntetar Aleksandër Peci ish te një ushtarak i dalluar për disiplinë dhe moral të lartë në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga eprorët e tij. Nga data 16.01.2012, nëntetar Peci është dërguar me mision luftarak “Eagle-4”, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar, Afganistan
Berisha: Ngushëllime familjes Vogli, shërim të shpejtë Nëntetarit Peci
Kryeministri ishte në MM ku u informua nga SHSHPFA Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, mbi ngjarjen dhe rrethanat e saj
-- Kreu i Ekzekutivit i telefonoi Komandantit të Njësisë, Kolonel Behar Mara ku i shprehu atij dhe të gjithë efektivit ngushëllimet për rënien si burrat në krye të detyrës të Kapiten Voglit, në përmbushje të një misioni fisnik, në kuadrin e Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Afganistan. Komandanti i ISAF, Gjenerali John Allen i telefonoi z.Berisha ku i shprehu ngushëllimet për Kapiten Voglin si dhe vlerësimet më të mëdha për ushtarakët shqiptarë, virtytet dhe aftësinë e tyre, në përmbushjen e detyrave Afganistan
Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës, në Kandahar, Afganistan, në përmbushje të misionit të tij fisnik dhe të detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ai sot ju mungon juve, vëllezërve të armëve, me të cilët luftoi në Kandahar, Forcave tona të Armatosura dhe kombit që e nisën në këtë mision të rëndësishëm paqeje. Vepra dhe kujtimi tij do të nderohet gjithmonë. Shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij. Kryeministri Berisha, gjithashtu, ishte në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u informua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, mbi ngjarjen dhe rrethanat, në të cilat Kapiten Vogli ra në krye të detyrës dhe nëntetar Aleksandër Peçi u plagos rëndë, si dhe reagimin e menjëhershëm e të vendosur të njësisë luftarake të përbashkët shqiptaro-amerikane ndaj sulmit të pabesë. Kryeministri Berisha i telefonoi Komandantit të Njësisë, Kolonel Behar Mara, ku i shprehu atij dhe të gjithë efektivit ngushëllimet për rënien si burrat në krye të detyrës të Kapiten Voglit, në përmbushje të një misioni fisnik, në kuadrin e Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Afganistan. Kryeministri u shprehu ngushëllimet të gjithë ushtarakëve tanë në Kandahar, si dhe mbështetjen e plotë të tij, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, në këto çaste shumë të dhimbshme për familjen Vogli, për shokët e armëve të Kapiten Voglit dhe shqiptarët në tërësi. Kolonel Mara e falenderoi Kryeministrin për telefonatën dhe e siguroi atë se trupat shqiptare në Kandahar, ndonëse përjetojnë me dhimbje të madhe rënien në krye të detyrës të vëllait të tyre, Kapiten Voglit, qëndrojnë më të vendosur se kurrë që krah për krah me ushtarakët amerikanë të përmbushin çdo detyrë që do t’u ngarkohet, në interes të paqes e stabilitetit. Komandanti i ISAF, Gjenerali John Allen i telefonoi Kryeministrit Berisha dhe i shprehu ngushëllimet për Kapiten Voglin që ra burrërisht në krye të detyrës, si dhe vlerësimet më të mëdha për ushtarakët shqiptarë, virtytet dhe aftësinë e tyre, në përmbushjen e detyrave në zona të ndryshme të Afganistanit. Komandant Allen i kërkoi Kryeministrit t’i përcjellë ngushëllimet e tij familjes së Kapiten Voglit. Gjeneral Allen e siguroi Kryeministrin se do të bëhet gjithçka që autorët e këtij akti të marrin ndëshkimin e merituar ligjor. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, e falenderoi Gjeneral Allen për telefonatën dhe ngushëllimet dhe e siguroi atë se Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe qeveria shqiptare kanë besim të madh se trupat e ISAF, nën komandën e Gjeneralit Allen, do të përmbushin me sukses të gjitha detyrimet e misionit të tyre historik dhe se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë mision. Kryeministri Berisha i uron shërim Nëntetarit Aleksandër Peçi, i cili u plagos në krye të detyrës dhe që aktualisht ndodhet në gjendje kritike.
LSI shpreh ngushëllimet e thella për humbjen e Kapiten Feti Voglit
Ilir Meta: Dënojmë aktin terrorist në Afganistan
Z. Ilir Meta, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe të thella për familjen dhe të afërmit e Kapiten Feti Vogli i cili është ndarë në mënyrë tragjike nga jeta në krye të detyrës, duke shërbyer përkrah forcave ndërkombëtare paqeruajtëse në Afganistan. Njëkohësisht, i bashkohemi lutjeve të familjes së Nëntetar Aleksandër PEÇI, i cili ndodhet në gjendje kritike, duke shpresuar për një shërimin të plotë e të shpejtë të tij. Në këtë moment të rëndë, shprehim dhe ndajmë dhimbjen e thellë me familjarët për humbjen e birit të tyre, i cili me vetëmohim të jashtëzakonshëm dha jetën e tij në mbrojtje të vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë. Sot të gjithë shqiptarët përulen me nderim të thellë para heronjve tanë, sakrifica e të cilëve na shërben të gjithëve si kujtesë e dhimbshme për kontributin e madh që Shqipëria jep dhe do vazhdojë të japë përkrah aleatëve tanë ndërkombëtarë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. Sot e gjithë Shqipëria vajton dëshmorin e saj! Sot të gjithë shqiptarët vlerësojnë me mirënjohje e përulësi kontributin e pazëvendësueshëm dhe shpirtin e sakrificës të të gjithë paqeruajtësve tanë të angazhuar në Afganistan e në vende të tjera, për një botë më të sigurt e për ruajtjen e vlerave të përbashkëta njerëzore.
Trupi diplomatik shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave
Trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë ka përcjellë me dhimbje humbjen e jetës së komandove shqiptarë në Afganistan. Në një mesazh ngushëllimi ambasadorët shprehën mes të tjerash se vlerësojnë kontributin e vendit tonë në Afganistan dhe rolin e forcave tona paqeruajtëse. Në mesazhin e tyre ambasadorët shprehin ngushëllime për familjarët e viktimave.