E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapiten Feti Vogli shpallet “Dëshmor i Kombit”

21-02-2012 / Gazeta 55

Ministria e Mbrojtjes: Përmirësohet gjendja shëndetësore e Nëntetarit Aleksandër Peci, pritet të niset drejt Gjermanisë, për trajtim më të specializuar


Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar sot se është gjendja shëndetësore e Nëntetarit Aleksandër Peci, vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Në një konferencë për shtyp, gjeneral Viktor Bërdo, ka theksuar se kapiten Feti Vogli i është akorduar titulli “Dëshmor i Atdheut”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes varrimi i Kapiten Feti Vogli do të bëhet në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit ndërsa detaje të tjera të ceremonisë mortore shtetërore do të ketë komunikime të mëvonshme, pasi të jetë përcaktuar koha e mbërritjes së trupit në Atdhe. Gjithashtu Ministria e Mbrojtjes thekson se autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllim masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë. Ministria gjithashtu ka dhënë me detaje edhe ngjarjen e rëndë, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin Shadizi Robat në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak ku Grupi i Parë Special i Kontingjentit EAGLE 4, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane. “Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë Afgane të përfshirë në ngjarje. Nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evekuimin mjekësor ajror të të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti Vogli nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit. Në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës18:30 të datës 20. 02. 2012, pasi ishin njoftuar më parë familjet e ushtarakëve. Në orën 22:34 sipas orës lokale, ose orës 19:04 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar se Nëntetar Aleksandër Peci kishte përballuar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishte në jetë. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 20:30 të datës 20. 02. 2012. pasi ishte njoftuar më parë familja e Nëntetar Aleksandër Pecit. Rreth orës 23.00 të datës 20. 02. 2012 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA ka njoftuar publikun përmes një komunikate tjetër në të cilën i është përcjellë publikut lajmi për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Nëntetar Aleksandër Peci, pasi ishte njoftuar më parë familja e tij”, thekson Ministria e Mbrojtjes.


Bashkia Kamëz shpall “Qytetar Nderi” komandon Aleksandër Peci


Në një mbledhje të jashtëzakonshme Bashkia Kamëz ka shpallur “Qytetar Nderi” Aleksandër Pecin, komandon i cili u plagos ditën e djeshme gjatë sulmi në Kandahar të Afganistanit. Kreu i Bashkisë Xhellal Mziu u shpreh se ky titull i jepet Pecit për trimërinë dhe kontributin e dhënë në Kontingjentin “Eagle 4” në Afganistan. Më pas kreu i Bashkisë ia dorëzoi titullin babait të komandos së plagosur. Ndërkohë që në nder të kapitenit Feti Vogli i cili humbi jetën këshilli i Bashkisë Kamëz mbajti një minutë heshtje. Gjithashtu këshilli bashkiak i Kamzës ka miratuar edhe një fond prej 1 milionë lekësh në ndihmë të familjes së komandos së plagosur Aleksandër Peci.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›