Misionet koordinohen me qeverinë e Kosovës

Bashkimi Evropian dhe misioni i tij për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, përkrahin planin e qeverisë për veriun, saktësisht implementimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel. Në një deklaratë për shtyp, EULEX-i njofton se marrëveshja do të filloj implementimin në 16 shtator dhe është një hap përpara në vendosjen e tregtisë së lirë në rajon, duke garantuar perspektivën evropiane për të dyja vendet.
"Ne jemi konsultuar me autoritetet kosovare për procesin e implementimit të marrëveshjes. Plani synon të vendos ligjin në pikat kufitare në veri të Kosovës. Plani do të hyjë në fuqi më 16 shtator. BE-ja pret që embargoja për tregti mes Kosovës dhe Serbisë të hiqet", thuhet në deklaratë.
Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Fernando Gentilini ka thënë se "është shumë pozitive që autoritetet kosovare janë konsultuar për këtë cështje dhe pret që të implementohet në terren ajo që është arritur në tavolinën e bisedimeve". "Plani duhet të ndihmojë në parandalimin e kontrabandës dhe të përmirësojë sigurinë në një zonë unike të Kosovës", ka thënë Gentilini.
Edhe Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac ka thënë se plani është për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, duke shtuar se do të vendosen ekipe mikse në pikat kufitare ndërsa plani operacional do të udhëhiqet nga EULEX-i.