Misionet ushtarake me NATO,Qeveria shkel Kushtetutën
BLEDAR HOTIQeveria shmang Kuvendin për dërgimin e ushtarëve shqiptarë me mision me Aleancën e NATO-s, duke shkelur dhe Kushtetutën e vendit. Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit miratimin e një projektligji me përplasje me Kushtetutën për mënyrën e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, për dërgimin e trupave ushtarake me misione jashtë vendit apo dhe kalimin tranzit të ushtarëve brenda territorit shqiptar. Nisma e re e qeverisë është propozuar pikërisht nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, personi që njihet si bashkëhartuesi i ligjit themeltar të shtetit shqiptar, Kushtetutës. Me projektligjin e ri qeveritar i hiqet e drejta Kuvendit për të miratuar dërgim apo pranim forcash të huaja ushtarake në Shqipëri. Projektligji "Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit" bie ndesh me nenin 12, pika 3, të Kushtetutës. Në të theksohet se "asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveçse me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit". Në draftin e depozituar në Kuvend, i miratuar nga qeveria 23 dhjetor të vitit 2009, shfuqizohen kompetencat e Kuvendit për t'u njoftuar për pjesëmarrjen e misioneve ushtarake ndërkombëtare. Në draft propozohet që të hiqen fjalët "me pëlqimin e Kuvendit" në pikën 1 të nenit 15 të ligjit aktual. "Këshilli i Ministrave, me pëlqimin e Kuvendit, vendos për pjesëmarrjen e forcave ushtarake të huaja në misione humanitare në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kërkesa e Këshillit të Ministrave për këto raste shqyrtohet nga Kuvendi brenda 7 ditëve", thuhet në nenin 15, të ligjit aktual. Ndryshimet propozohen në kuadër të angazhimit të Shqipërisë si anëtare e re në NATO. Gjithashtu Kuvendi zhvishet nga kompetenca kushtetuese dhe ligjore për të miratuar me ligj që dhe trupat ushtarake shqiptare të nisen me misione ushtarake jashtë. Ndryshimet në nenin 8 të propozuara shmangin tërësisht Kuvendin në dërgimin e trupave. Nëse më parë dërgimi i një trupe ushtarake mbi një nivel kompanie duhej një ligj i veçantë nga Kuvendi, tani kjo kompetencë bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa deri në një nivel kompanie, që shkon deri në 60 ushtarë, kalon si kompetencë nga Këshilli i Ministrave, te ministri i Mbrojtjes. Këshilli i Ministrave do të përcaktojë sipas draftit misionin, nivelin e pjesëmarrjes, kohëzgjatjen e operacionit, si dhe çdo element tjetër të domosdoshëm për mbarëvajtjen e operacionit ushtarak. Gjithashtu është ndryshuar procedura e miratimit të autokolonave ushtarake të shteteve të tjera anëtare të NATO-s që kalojnë tranzit në Shqipëri. Kjo kompetencë i kalon ministrit të Mbrojtjes, duke ia hequr Këshillit të Ministrave. Ndryshimet ligjore lidhen me ndryshimin e statusit të Shqipërisë, në një vend anëtar i NATO-s, për të realizuar përafrimin e legjislacionit të brendshëm me aktet ligjore të Aleancës. Kohë më parë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Sigurisë, e pati hedhur si një domosdoshmëri ndryshimin e Kushtetutës për sa i përket kompetencës së Kuvendit në dërgimin e trupave me misione paqeruajtëse jashtë vendit. Mediu e argumentonte faktin se Shqipëria duhet të ti përgjigjet në kohë sfidave të NATO-s pas bërjes si anëtare me të drejta të plota. Por siç duket mungesa e opozitës në Kuvend e bën të pamundur ndryshimin e ligjit themeltar të Kushtetutës, pasi nevojitet një shumicë e cilësuar votash dhe mbi të gjitha, një konsensus dypalësh, PD dhe PS.ndryshimetIshteNeni 91. Vendimi për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misione humanitare ndërkombëtare jashtë vendit merret nga Këshilli i Ministrave, me pëlqimin paraprak të Kuvendit.2. Kërkesa e Këshillit të Ministrave për këto raste shqyrtohet nga Kuvendi brenda 7 ditëve.Ndryshohet: 1. Në pikën 1 fjalët "....me pëlqimin paraprak të Kuvendit..." hiqen.2. Pika 2 shfuqizohet.Neni 8/2 Ishte 2. Vendimi për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në stërvitje e në veprimtari ushtarake ndërkombëtare jashtë vendit merret:a) deri në nivel toge, me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes;b) deri në nivel kompanie, me vendim të Këshillit të Ministrave;c) mbi nivel kompanie, me ligj nga Kuvendi.Bëhet: a) deri në nivel kompanie, me urdhër të Ministrit të Mbrojtjesb) mbi nivel kompanie, me vendim të Këshillit të MinistraveNeni 15Vendimi për pjesëmarrjen e forcave ushtarake të huaja në misione humanitare në territorin e Republikës së Shqipërisë1. Këshilli i Ministrave, me pëlqimin e Kuvendit, vendos për pjesëmarrjen e forcave ushtarake të huaja në misione humanitare në territorin e Republikës së Shqipërisë.2. Kërkesa e Këshillit të Ministrave për këto raste shqyrtohet nga Kuvendi brenda 7 ditëve.Ndryshon: 1. Në pikën 1 fjalët ".... me pëlqimin e Kuvendit...." hiqen.2. Pika 2 shfuqizohet