E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Berishës në ‘91: Pse u largova nga Partia e Punës

 AFRIM IMAJSali Berisha nuk e ka mohuar asnjëherë anëtarësinë në radhët e Partisë së Punës. Sakaq, divorcin me të, në të gjitha rastet e ka vlerësuar një moment të rëndësishëm të integritetit të tij.“Ika se nuk mund t’i shërbeja doktrinës dogmatike, e cila prodhonte diskriminimin politik, social dhe ekonomik. Dorëzova teserën e partisë dhe bluzën e mjekut me bindjen se njerëzit nuk mund të shërohen pa “ilaçet” bazë, që janë liritë themelore dhe demokracia”. Deklarata ku për herë të parë, kreu i PD-së ka bërë publike arsyet e largimit nga Partia e Punës, është transmetuar nga “Zëri i Amerikës”, më 12 dhe 13 janar të vitit 1991. Gazeta “Panorama”, ka zbuluar në arkivin e Komitetit Qendror, tekstin e plotë të saj, të cilin liderët komunistë e kanë siguruar nëpërmjet Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).  Një muaj pas krijimit të partisë së parë antikomuniste në Shqipëri, kardiologu i njohur nga Tropoja shpërfaq optikën e vet për regjimin komunist duke vlerësuar skandale të tij deformimin e çështjes kombëtare, sundimin e kultit të individit, terrorin e luftës së klasave, aleancat famëkeqe, politikën e izolimit etj. Ligjërata e liderit të dhjetorit, duke u ndalur në rrethanat e krijimit të Partisë Demokratike dhe fillimin e proceseve reformuese, veçon faktorët e jashtëm, frymën e Konferencës së Helsinkit, efektin e “Gorbaçov” dhe zhvillimet e vrullshme në Evropën Lindore etj. Në përvijim të faktorëve të brëndshëm, rendit pakënaqësinë e masave të gjëra për krizën ekonomike dhe rolin e një opozite intelektuale të padëgjuar deri atëherë. Përkundër bindjes aktuale për Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, në atë komunikim Berisha shfaq vlerësimet   dhe rezervat e tij për këto dy figurat historike të komunizmit shqiptar. Po çfarë thotë tjetër në rrëfimin për “Zëri i Amerikës”, kryetari i PD-së një muaj pas krijimit të saj...Doktor Berisha, sot mbushet një muaj që kur u themelua Partia Demokratike. Cilët ishin faktorët kryesorë, që çuan në formimin e saj?Me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri, që u konkretizua pas lëvizjes së studentëve në dialogun e zhvilluar nëpërmjet përfaqësueseve të tyre dhe presidentit Ramiz Alia, si dhe me themelimin e PD-së, ndihmuan faktorë të jashtëm e të brendshëm. Nga faktorët e jashtëm mendoj se nga më kryesorët ka qenë fryma e Helsinkit. Ndonëse Shqipëria zyrtare fillimisht e denoncoi Konferencën e Helsinkit dhe më vonë kërkoi anëtarësinë aktive në këtë Konferencë, populli ynë, me një kulturë të veçantë, ka dashur dhe dëshiron gjithnjë jo izolimin, por integrimin në proceset evropiane. Një faktor tjetër që ka ndikuar në këto procese ka qenë dalja e Gorbaçovit në skenën e politikës ruse dhe botërore. Zoti Gorbaçov jo vetëm ndryshoi politikën ekspansioniste të BS, por nëpërmjet gllasnosit arriti që të skicojë mitin e suksesit dhe të sekretit, që mbretëronte nga Konispoli deri në gadishullin e Kamçatkes dhe të Indokinës. Me një sens realist të paparë më parë, ai denoncoi si të dështuar sistemin, që për vite kishte njohur vetëm shijen e “sukseseve”. Një faktor tjetër i rëndësishëm ishin ndryshimet në Evropën Lindore. Viti 1989 hyri në histori si viti i mrekullisë. Sundimtarë antipopullorë që me dekret patën vendosur ndryshimin e kulturës së fesë, pronësisë, shtetësisë jo vetëm individuale, por popullatave të tëra, përfunduan në skëterrën që historia rezervon për tiranët... Ndër faktorët e brendshëm, kryesore kanë qenë pakënaqësia ndaj sistemit socialist, e përhapur kjo në të gjitha shtresat e popullit. Në bazë të saj qëndronte cungimi i lirisë së mendimit dhe shprehjes, i lirisë së besimit fetar, si dhe i lirive dhe të drejtave themelore të individit. Të gjithë këta faktorë çuan që gjatë vitit 1990 në qytetet e Shkodrës, Kavajës, Tiranës, Vlorës, Fierit të shpërthejnë revoltat e qytetarëve. Një faktor tjetër i brendshëm, i rëndësishëm është edhe opozita e inteligjencës shqiptare. Nëpër limitete të ngushta të lirisë së ndërgjegjes vërtetë, që në Shqipëri nuk ka ekzistuar ndonjë opozitë e krahasuar me vendet e tjera. Por një opozitë intelektuale në raport me kufijtë e tolerancës zyrtare ka ekzistuar dhe në Shqipëri dhe e ka luajtur më së miri rolin e vet. Fjala e saj në mbledhjet, ballafaqimet, diskutimet publike, artikuj të botuar në gazeta dhe revista pati jehonë dhe rol të veçantë, sidomos këtë vitin e fundit ajo tingëlloi mjaft fuqishëm në hapësirën uniformë shqiptare. Ajo ka shërbyer mendoj unë si një stimul drejt proceseve demokratizuese në vend. Në zhvillimin modest dhe paqësor të reformave në Shqipëri një rol të veçantë ka padyshim dhe presidenti Ramiz Alia.çfarë ndikimi ka pasur zhvillimi i pluralizmit politik në Kosovë për ndërgjegjësimin e forcave opozitare në Shqipëri?Pluralizmi politik në Kosovë ka shërbyer si një stimul i fuqishëm i ndërgjegjes shoqërore kombëtare të çdo njeriu në Shqipëri, në dramën e madhe të kombit shqiptar. Sigurisht akti më tragjik u zhvillua në fillim të këtij shekulli, kur trojet tona padrejtësisht u copëtuan dhe gjysma e tyre u pushtua nga serbomëdhenjtë. Por akti i dytë tragjik u zhvillua në kuadrin e luftës së klasave. Kështu që në Kosovë, krahas përleshjes në mes të pushtuarit dhe pushtuesit, po kaq e përgjakshme ishte dhe lufta ndërmjet vëllait me vëllain. Në Shqipëri lufta e klasave për mëse gjysmë shekulli u konsiderua si forcë lëvizëse e shoqërisë, e cila kishte dhe linja gjenetike. Pasojat e saj kanë qenë tejet të rënda, me viktima të shumta, të burgosur dhe të internuar të panumërt, qarkullime, transferime, pushime nga puna etj. Lufta e klasave ka pasur pasoja të rënda destruktive mbi lirinë e ndërgjegjes, si dhe në unitetin e vërtetë kombëtar. Vendosja e pluralizmit politik sot në Shqipëri përbën padyshim një fitore historike për mbarë kombin, për unitetin e tij shpirtëror, për çështjen shqiptare në tërësi. Ju keni qenë anëtar i Partisë Komuniste. çfarë mendoni tani për idenë komuniste në përgjithësi dhe veçanërisht për mënyrën se si kjo ide u zbatua në Shqipëri?Nga partia jam larguar sepse doktrina mbi të cilën ajo bazohej ishte një doktrinë dogmatike, e cila e konkretizuar në jetë, në shumë aspekte paraqet një diskriminim politik, social dhe ekonomik tragjik. Në Shqipërinë që kaloi nga feudalizmi në socializëm kanë qenë shumë të shprehura nuancat feudokratike. Po përmend këtu aspekte gjenetike të luftës së klasave, dukurive e nepotizmit. Por këto aspekte spikasin në të gjithë fjalorin dhe terminologjinë e propagandës komuniste shqiptare, sipas së cilës “Partia është truri i popullit”, “Partia ia solli popullit dritën, bukën, arsimin demokratik”, të gjitha, të gjitha. Unë personalisht nuk dua dhe nuk do të mohoj asgjë pozitive, që ka arritur Shqipëria gjatë këtyre 40 apo 400 viteve. Por unë nuk mund të pranoj kurrë popullin tim si një popull paralitik, që çdo gjë ia kanë dhuruar, ia kanë falur. E kundërta është. Ky popull ka një gjeni krijuese, ka një gjallëri, ka derdhur lumenj djerse dhe gjaku për tërë çka arritur gjatë historisë së tij.Doktor Berisha, deri tani veprimtarët e PD kanë kritikuar aspekte të ndryshme të regjimit komunist, por ende nuk është dëgjuar ndonjë kritikë publike kundër Enver Hoxhës. Si e vlerësoni ju figurën e Enver Hoxhës?Së pari, mund t’ju them se në mitingjet e PD ka pasur dhe kritika direkte të adresuara për Enver Hoxhën, për politikën e Enver Hoxhës, por ato janë censuruar nga mjetet e informacionit. Kurse lidhur me vlerësimin tim, do të thosha se është e vështirë të japësh përgjigjen në një pyetje rreth një figure komplekse që për gjysmë shekulli dominoi skenën politike shqiptare, dhe akoma më e vështirë bëhet kjo kur nuk je vetë historian. Ai udhëhoqi Luftën Nacionalçlirimtare, shkëputi Shqipërinë nga Traktati i Varshavës, duke korrigjuar kështu një gabim të madh historik, që e kishte renditur vendin në një botë nga e cila kishte parë mjaft të zeza. Në drejtimin e tij Shqipëria shënoi arritje të pamohueshme në shumë e shumë fusha, por ai ndërtoi një regjim diktatorial në Shqipëri dhe ishte një diktator. Drejtimi i gabuar që në fillim i çështjes kombëtare, kulti i madh që ngriti më vonë, lufta politike që zhvilloi kundër kundërshtarëve të tij, lufta e klasave, politika izolacioniste që ndoqi, aleancat fatkeqe që zgjodhi, janë ndër faktorët kryesorë që qëndrojnë në bazë të krizës së madhe ekonomike, politike e sociale që përjeton sot Shqipëria. Partia e Punës po përpiqet t’u përshtatet rrethanave të reja. Bile, mund të thuhet se programi i saj elektoral nuk ka asgjë të përbashkët me programin, që kjo parti zbatoi vetëm para disa vjetësh. çfarë mund t’u ofrojë qytetarëve PD-ja që nuk u ofron tashti Partia e reformuar e Punës?Partia Demokratike lufton për demokratizimin e plotë, lufton për një demokraci të vërtetë në Shqipëri. Lidhur me programet, nuk besoj që zgjedhësit do ta kenë të vështirë të gjejnë dallimet ndërmjet programit të Partisë së Punës dhe Partisë Demokratike. Sepse ato janë substanciale dhe jo vetëm në rrafshin politik, por edhe atë ekonomik e social. PD-ja do t’u ofrojë shqiptarëve shtetin e vërtetë juridik, të cilin e ka pak të vështirë ta ndërtojë një parti që për 45 vjet ka qenë vetë shtet dhe vetë ligj, pra që ka njohur, ushtruar dhe pësuar vetëm shtetin partiak. PD-ja do të luftojë që në kuadrin e shtetit juridik të respektohen të gjitha të drejtat dhe liritë e individit, të organizimit politik dhe zgjedhjet e lira. Iniciativa e lirë dhe ekonomia e tregut... Strategjia jonë synon në realizimin e aspiratave të kombit tonë për përparim dhe bashkim kombëtar. Kjo vetëm në kuadrin e proceseve evropiane dhe dialogut nëpërmjet të gjitha palëve të interesuara.Doktor Berisha, dëshiroj ta mbyllim me një pyetje personale. Ju jeni kardiolog i njohur dhe me sa di unë kurrë nuk jeni marrë me politikë. çfarë ju shtyu që të merreni me politikë?Sivjet kam pasur fatin të njihem gjithnjë e më shumë me njerëzit, me virtytin dhe shpirtin e tyre. Nuk mund të jesh kurrë një mjek i mirë, po të mos i duash njerëzit. Dhe sa më thellë futesh në shpirtin e tyre, njeh gjerësinë e tij dhe virtytet e njerëzve, aq më shumë i do ata. Kështu që për mua titujt, gradat, ofiqet e çdo rangu kanë qenë hiçgjë në krahasim me hallet e dertet e një të sëmuri, të cilat nuk zgjidhen dhe nuk duhet të zgjidhen, vetëm nëpërmjet ilaçeve. Për zemrën dhe shpirtin e njeriut ilaçet bazë janë liria dhe demokracia, prandaj dhe jam angazhuar me të gjitha forcat e mija në këtë proces, duke shpresuar se do të mund të bëj diçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›